E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agron Tufa,mes fantazisë dhe kujtimeve

 

Alma Mile

Krijime të imagjinatës, por edhe kujtime të fshehura, që kanë lënë shenjë. Në edicionin e 12 të panairit të Librit “Tirana 2009”, shkrimtari Agron Tufa vjen me dy romane të rinj. Bëhet fjalë për romanet “Mërkuna e zezë” dhe “Tenxherja”, të cilat u prezantuan dje në stendën e shtëpisë botuese “Toena”. I pari një trill fantazor, i dyti një gërshetim mes shungullimave të së shkuarës dhe krijimit.Për shkrimtarin, të dy janë romane të rëndësishëm.
Për “Mërkunën e zezë”, Fuga thotë se është i vështirë për t’u zbërthyer nga lexuesi. Ai të çon në një fshat malor, në Korab dhe të fut në psikën, në traditat dhe jetën e banorëve të asaj zone. “Te “Mërkuna e Zezë”, Agron Tufa ikën nga simbolika e ndërtuar me lëndë empirike realiste dhe na tërheq bukur, thjesht, ëmbël, në një rrëfim ku përzihen ngjarje, ndodhi, peizazhe realiste, me përfytyrime të praktikave mitike, në një botë ku misteri dramatik përzihet me seksin, jeta dimërore e fshatit malor zhytet në një mjegull të paparë marrëdhëniesh magjie, personazhet bartin një peshë kuptimore dhe një karakterizim psikologjik, që i vendos ata nën një tension dramatik të lëvizshëm”, shprehet filozofi Artan Fuga. Për studiuesin Mark Marku, ai është një nga librat më të mirë të kohëve të fundit. “E kam lexuar brenda një nate dhe ndjeva të më kthejë atë shijen e mirë të të lexuarit”, thotë Marku, për të cilin librat e Agron Tufës po e fusin letërsinë shqipe me të vërtetë në hullinë e letërsisë moderne. Ai e vlerësoi Fugën si një nga romancierët më të mirë shqiptarë, i cili guxon, rrezikon, por jo deri në atë pikë sa të rrezikojë letërsinë, për hir të eksperimentit. “Gjithë materia lëndore e librit është bërë shtëllunga-shtëllunga dhe është vendosur për t’u tjerrur në tri furka: furka e parë është ajo e natyrës që end indiferente flokët e borës, furka e dytë është ajo e magjisë, endur nga Shartimja dhe Nafaka dhe furka e tretë është ajo e autorit që thur e end tekstin letrar. Ka dhe një tjetër më të madhe, që nënkuptohet, ajo e Zotit, i cili në të madh të Vet, end vetë fijet e jetës së personazheve. Fijet e këtyre furkave tiliksen e kokolepsen me njëra-tjetrën, këputen, bëhen nyje të pazgjidhshme”, thotë Balil Gjini. Një tjetër vepër e autorit është “Tenxherja”, një vepër me një titull disi kulinar, që të çon në të kaluarën, në kohën e diktaturës. “Është një sagë familjare, që lidhet me një të shkuar të familjes sime, me një 18-vjeçar i cili dënohet. Dhe tregohet i gjithë ai proces i gjatë raskapitës, ku ishte vendosur dënimi me çdo kusht i këtij të riu”, tregon Agron Tufa. Ai thotë se libri është një krijim dhe jo një autobiografi, kështu që nuk mund të shfrytëzohet si një libër historik. Megjithatë ai nuk e mohon se në të ka edhe shumë të vërteta, situata reale, njerëz realë, madje edhe emra. Pasi ndau disa mendime e përshtypje me miq e të ftuar në promovimin e librit, shkrimtari Agron Tufa firmosi autografë për lexuesit. Tufa është autor i veprave “Aty te portat Skee”, poezi, “Dueli”, “Rrethinat e Atlantidës”, “Fabula Rasa”, “Janusi qindfytyrësh”, “La Prueba della tierra”,  “Avangardë engjëjsh”, “Fryma mbi ujëra”, “Dibra me sytë e të huajve”, “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, “Thembra e Akilit”, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›