Shima: Si krijova 30 vjet në fshehtësi nën diktaturë
Alma Mile
Diku na paraqitet si përbindësh, diku si një gjysmë kafshë e gjysmë njeri. Me kokë gomari e sy të dalë… Ai ishte diktatori i përthyer në imagjinatat krijuese të piktorit Alush Shima dhe ishin vitet ’70-’80, kur u krijuan. Për të tilla gjëra atëherë të ikte koka. “Shima-artist i kundërt”. Kështu titullohet albumi me vepra të piktorit Alush Shima, të krijuara gjatë viteve të diktaturës, i cili u prezantua dje në Panairin e Librit “Tirana 2009”, në stendën e shtëpisë botuese “Toena”. Pas gati 20 vitesh nga rënia e diktaturës, autori vendos t’i botojë, nën kurimin e studiueses së artit, Suzana Varvarica Kuka. Janë vizatime, grafika dhe piktura mbi letër, pjesë e një “ditari” sa politik aq dhe social, që Shima e mbajti në fshehtësi gjatë viteve të diktaturës. Ai pranon se ajo çka ai bënte ishte e rrezikshme, por në të njëjtën kohë, ndërgjegjja e tij prej krijuesi e qytetari e shtynte që në mos të ekspozonte, të fiksonte përshtypjet nga ajo periudhë e errët. Autori tregon se si krijonte në atë kohë, si hoqi dorë nga ekspozimi, cilat ishin punët që i vunë vulën e “dekadentit”, si i fshihte veprat e “rrezikshme”… Ekspozimi i vëllimit të parë do të shoqërohet edhe me dy vëllime të tjera, ku do të paraqiten edhe punët bashkëkohëse, të krijuara pas viteve ’90.
Z. Shima, pas 20 vjetësh nga rënia e komunizmit, ju i sillni publikut vepra të panjohura, të realizuara gjatë diktaturës, ç’mund të na thoni mbi historinë e tyre?
Janë disa vepra që në atë kohë ishin tmerrësisht të rrezikshme, por me një kujdes dhe vëmendje të veçantë arritëm t’i ruanim dhe sot janë para publikut. Pjesa dërrmuese e veprave ka një histori pas. Janë ankthet frika, tmerri, situata e pasigurisë që ekzistonte tek të gjithë ne. Mendoj se epiqendra e të gjithave është diktatori dhe është pjesa që mua më pëlqen më shumë, pasi ai ka qenë njeriu që na solli gjithë ato fatkeqësi dhe ai meriton më shumë se kushdo tjetër të jetë pjesë e këtij libri.
A nuk ishte kjo e rrezikshme për kohën kur u krijuan?
Njeriu ka dhe kurajo, guxim, dëshirën për të thënë gjëra që dëshiron t’i thotë, të thotë të vërtetën ashtu si është. Janë të shumta ato arsye që e detyrojnë njeriun që ta lërë frikën pas dhe të paraqesë atë që njerëzit dëshironin të shihnin në atë kohë. Një mundësi që unë nuk e kisha atëherë dhe ua jap tani. E mira do qe që kjo të ishte në atë kohë, por mendoni vetë se çfarë mund të ndodhte në atë kohë me një vepër të tillë.
Në ç’periudhë janë krijuar këto punë dhe në ç’rrethana?
Është një periudhë shumë e gjatë. Nga viti ‘73 unë e mbylla ciklin e ekspozimit të punëve të mia në ekspozita. Pasi provova 4-5 vjet, gjithçka ishte e pamundur, unë quhesha një piktor dekadent për kohën, isha një piktor që paraqisja siklete për realizmin socialist dhe detyrimisht e pashë të arsyeshme të tërhiqesha pa ndodhur e keqja e madhe. Dhe nisa të punoja fshehurazi. Që nga ai vit deri në ‘90-ën veprat e mia kanë qenë të mbyllura, edhe për familjarët e mi, me përjashtim të gruas që dinte gjithçka. Pas ‘90-ës fillova edhe unë vetë nisa t’i shihja si çdo piktor veprat e veta, sepse punoheshin në darkë dhe ngjiteshin e fshiheshin diku. Kjo ishte situata e atyre viteve.
Megjithatë pritët gati 2 dekada për t’i publikuar ato..
Sigurisht. Pasi duhet të themi që vijmë nga një diktaturë tmerrësisht e egër dhe ithtarët e saj dhe tani madje, një pjesë janë gjallë dhe ata nuk pranojnë të trajtohet idhulli i tyre siç e kam bërë unë. Detyrimisht duhet të prisja një periudhë kohe, sa të qetësoheshin gjërat. Por njëkohësisht duhet të pranojmë se veprat e artit nuk kanë ngut, nuk kanë kohë reale, kanë një kohë tjetër. Ky është një libër që nuk ka persona konkretë. Flet për diktaturën, por në sensin universal. Ky libër mund të shërbejë edhe në Kili, apo Kongo, sepse flet për diktaturën në përgjithësi, nuk ka figura të ngacmuara në pamjen e tyre fizike, me ngjasime konkrete, por aludohet dhe kuptohet se për kë bëhet fjalë. Për mua dhe për gjithë shqiptarët, është e sigurtë që aty bëhet fjalë për Enver Hoxhën, pa dyshim.
Si i ruanit veprat në atë kohë?
Një pjesë i kam ruajtur në tavanin e shtëpisë, por gjithnjë në varësi të ngjarjeve që ndodhnin rrotull meje isha i detyruar t’i lëvizja. Sot duket si shaka, por atëherë për ato gjëra të ikte koka dhe jo vetëm personit, por edhe familjes, fisit dhe detyrimisht duhet të ishe tepër i kujdesshëm.
Në të gjitha punët e këtij albumi mbizotërojnë ngjyrat e errëta, lidhet kjo me vetë periudhën?
Është e vërtetë që si individ, mbi të gjitha kam preferuar lirinë dhe kur kjo liri më mungonte, unë gjithë mllefin tim do ta derdhja kundër atyre që ma mohonin këtë liri. Detyrimisht pikturat nuk mund të ishin të shkëlqyeshme, me dritë, me ngjyra të pastra. Flitet për një periudhë shumë të errët dhe ne e pamë vetë se si përfundoi ai sistem në vitin 1990, kur njerëzit vriteshin në radhë për të marrë një bukë, pra të gjitha ato ëndrra që ata krijuan tek njerëzit, shkuan në një hiç. Një njeri që vëzhgonte me vëmendje atë mënyrë jetese, do të mbante një qëndrim dhe nuk mund ta paraqiste me ngjyra diellore, të pastra. Nuk do të ishte normale.
Nëse kthehemi pas në kohë, cilat ishin ato punë që ju vunë “vulën” e dekadentit?
Janë disa punime. Unë mora pjesë 6-7 herë nëpër ekspozita dhe shumicën e herëve puna ime nuk u ekspozua, duke përjashtuar një minator që unë e pata bërë për një ekspozitë të vitit 1972. Edhe ajo mu dha për ripunim dhe u ekspozua dhe u ble nga Galeria Kombëtare. Kjo është e vetmja punë e imja në galeri nga ajo periudhë. Por edhe atë po ta shohësh në raport me punët e tjera ka ndryshime shumë të mëdha, nuk përkon me metodën e realizmit socialist me njeriun e qeshur, optimist që sheh të ardhmen... Ai ishte një punëtor që meditonte pas pune… Por ka edhe vepra të tjera. Kam pikturuar Naim Frashërin, që pati pasojat e veta, Margarita Tutulanin, e cila nuk u ekspozua fare... Madje kisha bërë edhe një Skënderbe të madh. Isha 26 vjeç në atë kohë dhe si janë të rinjtë që duan të tregojnë se çfarë dinë të bëjnë, realizova një punë gosha të madhe, një portret 3 x 2 m, që mbetet një vepër e mirë edhe sot. U refuzua sepse Skënderbeu ishte vetëm dhe nuk kishte luftëtarët rrotull, ishte i vetmuar, i mungonte optimizmi…, pra përralla të kësaj natyre. Madje, filluan edhe gazetat të shkruanin dhe mendoni, nëse shkruante shtypi, pas saj do të vinte ose burgu, ose internimi. Të gjitha këto më bënë të mendoja se ishte mirë ta mbyllja atë cikël, të mos merrja pjesë më në ekspozita dhe të vazhdoja të bëja punën time që mori këtë drejtim.
Ky vëllim do të pasohet edhe me të tjerë, çdo të përmbajnë ata?
Në vëllimet e tjera. Në vëllimin e parë janë punë që janë krijuar nga viti 1965-1990, pra përfshin gjithë periudhën e diktaturës. Në vëllimin e dytë dua të përfshij punët nga viti 1990 deri në ditët tona, ku janë përgjithësisht punët ime në vaj, ekspozitat e ndryshme që kam bërë nëpër botë. Do të zgjedh punët më të mira. Mund të jenë 200-300 punë dhe pas tij mendoj t’i rikthehem një kombinimi të së dyja periudhave, për të gjithë ata që duan ta kenë në shtëpinë e tyre të plotë dhe për të parë më në kompleks veprën time. Sepse këtu është vetëm gjysma.