Agroturizmet, nxitje zinxhirit të prodhimit e punësimit në zonat rurale

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Agroturizmet po kthehen në qendra të zhvillimit ekonomik rural, përmes nxitjes së turizmit, zinxhirit të prodhimit ushqimor dhe punësimit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale modelin e agroturizëm “Nëna Dashuri”, në Dibër që nisi fillimisht si një sipërmarrje e vogël familjare për prodhimin e jufkave të famshme dibrane dhe sot është shndërruar në një bujtinë për pritjen e turistëve.
“”Nëna Dashuri”” është shembulli për të investuar në vendin tonë dhe për të ndërtuar sipërmarrje që na bëjnë krenarë në sytë e turistëve të huaj”, tha Denaj.
Denaj vuri në dukje se, agroturizëm “Nëna Dashuri” ka krijuar një lidhje të shkëlqyer me fermerët e zonës, duke ruajtur zinxhirin e vlerës për produktet cilësore Made in Albania dhe ofruar një mikpritje të jashtëzakonshme, ashtu si traditat tona brez pas brezi.
Ndërsa e zonja e bujtinës, tregon se “ky agroturizëm lindi si ide për të rritur sa më shumë të ardhurat në familje dhe u kthye në një atraksion për Dibrën”.
“Ky është një biznes familjar ku punojmë familjarisht. Këtu ne shërbejmë prodhime tradicionale tipike të Dibrës, siç është jufka dhe trahanaja, ku turistët vendas dhe të huaj janë shumë të kënaqur me gatimet tona. Në këtë pikë agroturistike ne ofrojmë edhe akomodim për fjetje duke ofruar një cikël të plotë pushimi dhe relaksi për vizitorët”, tha ajo.
Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një modeli të ri të zhvillimit rural në Shqipëri. /j.p/