E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agushi ndjek rekord të ri

Agim Agushi më 30 maj, në Frankfurt të Gjermanisë, do të mundohet ta thyejë rekordin e tij personal botëror në disiplinën – ecje shkallëve të një ndërtese e gjatë 257 metra, duke e goditur topin me kokë pa ndërprerje.

Në fakt, ndërtesa ku do të sfidohet Agushi quhet ‘MesseTurm Frankfurt’, që ka 65 kate, respektivisht 1344 shkallë.

40 vjeçari më 30 maj të vitit të kaluar pati thyer rekord, kur për një orë, 12 minuta e 29 sekonda ia pati dalë që pa ndërprerë t’i kalojë 3896 shkallë të ndërtesës së Qeveris së Kosovës duke e goditur topin me kokë.

Pikërisht në këtë ndërtesë, Agushi ka stërvitur që një muaj për të qenë sa më i përgatitur për sfidën e tij të radhës, atë të Frankfurtit.

Ai mbetet me shpresë se do t’ia del ta thyejë rekordin e tij personal. “Në Frankfurt do të ketë gara në disa disiplina, por në disiplinën time do të garoj i vetëm. Kam stërvitur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe atë të PTK-së. Mendoj se jam i përgatitur mirë dhe shpresoj që me sukses ta kryej këtë sfidë”, tha Agushi në një konferencë për media të mbajtur të enjten në Prishtinë.

Agushi drejt Gjermanisë do të udhëtojë të premten, ku për një javë rresht do t’i zhvillojë përgatitjet e fundit para kësaj sfide. Ndërkohë, Ministria e Sportit ka ndarë një fond të mjeteve për ta mbështetur Agushin në këtë sfidë të tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›