E Diel, 1 Nëntor 2026

Prodhuesi i portierëve

Viteve të fundit shumë futbollistë shqiptarë kanë filluar të bëjnë emër në futbollit evropian, madje ka edhe nga ta që cilësohen si talent me të ardhme të ndritur.

Mirëpo, përveç tyre, tashmë edhe disa trajnerë kanë filluar të lënë gjurmë nëpër vendet ku janë duke punuar. Njëri nga ta është Arben Kasolli, i cili që nga viti 1999 punon si trajner i portierëve në Holandë.

Ish portieri shqiptar me punën që ka bërë në skuadrat Ajax e Den Haag, akademinë e legjendës holandeze Johan Cruijff , ‘Cruyff Court’ dhe së fundi në akademinë e tij ‘Kasolli Goalkeeping Academy’, ka zgjuar interesimin e disa klubeve.

Kasolli në të ardhmen e afër pritet ta lë vendin e tulipanëve për të punuar në akademinë e ndonjë klubi nga Bundesliga ose Serie A. Ai dëshiron ta bëjë këtë pasi në Holandë thotë se i ka arritur të gjitha.

“Në Holandë nuk më bën përshtypje më puna me klube si Ajax. Punën që kam bërë këtu dua ta bëj edhe në shtete tjera. Inter, Parma dhe Livorno kanë parë punë që kam bërë dhe kanë shprehur interesim për mua”, ka thënë Kasolli për Express.

Arben Kasolli është i vetmi trajner i huaj portierësh në Holandë, nga duart e të cilit kanë dalë portierë të një niveli të lartë, të cilët janë pjesë e skuadrave të ndryshme holandeze.

Trajneri me prejardhje nga Tirana si 18 vjeçar debutoi në kategorinë e parë me fanellën e Naftëtarit. Ai më pas mbrojti ngjyrat e skuadrës 17 Nëntor (Tirana e sotme) për t’u transferuar më pas në Greqi te klubi i Janinës.

Në vitin 1992, Kasolli u martua me një vajzë nga Holanda, ku edhe e vazhdoi karrierën si portier. Ai iu bashkua Ajaxit, ku u stërvit nga trajneri i njohur i portierëve, Frans Hoek,
për t’u bërë portieri i tretë te gjiganti holandez, pas Stanley Menzo e Van der Sarit.

Pas klubit të njohur holandez, Kasolli mbrojti ngjyrat e skuadrave si; HFC Haarlem, AZ Alkmaar, Fortuna Sittard e NEC Nijmegen.

Pas përfundimit të karrierës si portier, Kasolli vendosi që të vazhdojë të merret me zejen e trajnerit. Ai u ftua nga Federata e Futbollit e Holandës që të bëhen trajner i përfaqësueses U -17 të Tulipanëve.

“Kam qenë trajner i portierëve te Kombëtarja e Holandës U-17. Deri më sot nuk ka ndodh që në Holandë një i huaj të punojë si trajner”, tregon ai.

Nga shtatori i vitit 2007, Kasolli nisi punë si trajner i portierëve te akademia e ish yllit të përfaqësueses së Holandës dhe skuadrës së Barcelonës, Johan Cruijff, ‘Johan Cruijff foundation’, ku vazhdon të punojë edhe sot.

Pas kësaj, 43 vjeçari ka bërë një hap tjetër të madh, duke e hapur akademinë e portierëve "Kasolli - Goalkeeping Academy", e para në Holandë e hapur me investimet e një individi.

“Akademinë e portierëve e kam hapur këtë vit. Aty kamë gjashtë trajnerë të portierëve, doktorin si dhe psikologun. Nëse transferohem në Itali për të punuar me ndonjë klub, edhe në atë vend do të hapi akademinë time”, theksoi Kasolli i cili njëkohësisht është edhe si skaut i Ajaxit për vëzhgimin e portierëve.

Një trajner i portierëve me një bagazh të madh prapa vetës, siç është Kasolli, nuk u ka bërë përshtypje drejtuesve të Federatës së Futbollit të Shqipërisë (FSHF) ta angazhojnë në Kombëtare.

“Unë isha i gatshme të punoj me Kombëtaren U15, U17, U19 çoftë edhe me U21, por deri më sot nuk kamë pasur asnjë ofertë nga drejtuesit e futbollit shqiptar”, deklaroi Kasolli, i cili është i gatshëm çdoherë t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së FSHF-së në rast se i vjen.

Ish portieri i disa klubeve holandeze tregon se ka shumë portierë shqiptarë që kanë talent dhe që mund të kenë një të ardhme të ndritur. Mirëpo, një gjë që e brengos Kasollin është se nuk ka kush të punojë me ta.

Arben Kasolli në viti 2008, vetëm një vit pasi kishte filluar punën në akademinë e Johan Cruijffit, kishte arritur të zgjidhet trajneri më i mirë i portierëve nga të gjitha akademitë e futbollit në Holandë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›