E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmadinexhad refuzon dorën e shtrirë të Obamës

Në një deklaratë televizive e quan ftesën e tij “një tufë me fjalë të bukura boshe”

Edhe pse me pak vonesë, më në fund, Presidenti iranian Ahmadinexhad, ia ka kthyer përgjigjen ftesës së fundit të Obamës për diplomaci në zgjidhjen e problemeve bërthamore. Sipas Presidentit të Iranit, ai personalisht nuk ka parë asnjë lloj ndryshimi në politikat e Uashingtonit. Deklaratat janë bërë gjatë pjesëmarrjes së Ahmadinexhadit në përurimin e një fabrike. Sipas tij, mesazhi i Obamës me rastin e Vitit të Ri iranian, muajin e kaluar, “ishte një përmbledhje e disa fjalëve të bukura, por pa një përmbajtje konkrete”. “Ata thonë se u kanë zgjatur dorën iranianëve, por qeveria iraniane e ka refuzuar atë, por unë i pyes amerikanët: çfarë dore na keni zgjatur? çfarë ka ndryshuar? A mos vallë janë hequr sanksionet? A mos vallë keni ndryshuar qëndrimin tuaj ndaj Irakut, Afganistanit, Palestinës?”, ka deklaruar Ahmadinexhad gjatë fjalës së tij që është transmetuar edhe në televizionin vendas.

Presidenti amerikan, Obama, pasi erdhi një vit më parë në Shtëpinë e Bardhë, një nga gjërat e para që bëri ishte që t’i drejtohej iranianëve me një letër, në të cilën i shtrinte dorën e dialogut në lidhje me çështjet e ambicies bërthamore. Një letër të dytë Obama e shkroi edhe pak javë më parë, në të cilën përcillej i njëjti mesazh. Por nga Irani nuk ka ardhur asnjë përgjigje, ndaj Shtetet e Bashkuara po kërkojnë edhe nga vende të tjera që të vendosin për marrjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit. Së fundi grupit të këtyre vendeve i është bashkuar edhe Kina. Bëhet fjalë për sanksione në lidhje me eksportin e naftës. Sipas Ahmadinexhadit, masa të tilla shtrënguese që janë marrë edhe në të kaluarën nuk do të kenë asnjë efekt. “Ju duhet ta dini që sa më armiqësorë të jeni, aq më të fortë bëhemi ne”, ka vazhduar retorikën e tij Ahmadinexhadi. Në të njëjtën fjalë, ai gjeti rastin që t’i dërgonte një mesazh edhe Izraelit, i cili është duke kërkuar një qëndrim më të ashpër dhe të unifikuar ndërkombëtar ndaj Iranit për shkak të programit bërthamor. Izraeli është i vetmi vend që nuk e ka mohuar mundësinë e ndërmarrjes së ndonjë sulmi ushtarak ndaj Irani,t nëse do të jetë e nevojshme. “Unë dua të paralajmëroj edhe një herë liderët e fuqive arrogante dhe mbështetësit e regjimit sionist të Izraelit që të mos bëjnë një gabim të ri në Lindjen e Mesme. Nëse do të vazhdoni që të sulmoni Gazën, do t’ju duhet të paguani një kosto shumë të madhe”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›