E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tjetër i penduar për krimet e bandës së Lushnjës

Krahas Petrit Liçit dhe Arben Kices, prokuroria bën gati letrat për Gramoz Selmanin

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ofruar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dëshmitarit Gramoz Selmani, i cili, disa ditë më parë në gjykatë, tregoi se kreu i bandës së Lushnjës, Aldo Bare, ka marrë pjesë personalisht në dy vrasje. Dëshmia e Selmanit është e rëndësishme dhe drejtësia shqiptare ka lëvizur menjëherë, duke i ofruar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat saktësojnë se, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, do të vendoset për pranimin ose jo të kërkesës. Të njëjtat burime sqarojnë se dëshmia e Selmanit ka fundosur Baren dhe tashmë i rrezikohet jeta, nëse do të lëvizë i lirshëm dhe pa mbrojtjen e shtetit. “Po vlerësojmë të gjitha të dhënat e marra nga Policia e Shtetit dhe nga prokuroria për rolin e Gramoz Selmanit. Nëse dhënia e dëshmisë para gjykatës i rrezikon jetën atij dhe familjarëve të tij, atëherë do të shpallet bashkëpunëtor i drejtësisë”, thanë burimet nga akuza qendrore.

Sipas tyre, Gramoz Selmani ka jetuar 13 vitet e fundit në shtetin grek dhe shpeshherë i është dashur të ndryshojë edhe vendbanim, pasi disa nga anëtarët e bandës së Lushnjës kanë shkuar për ta eliminuar. Gjatë këtyre viteve është kontaktuar nga oficerët e policisë gjyqësore ku dhe është marrë në pyetje në ambasadën shqiptare në Greqi. Ai ka refuzuar disa herë për të ardhur në Shqipëri me arsyetimin se “po erdha në Shqipëri do të më vrasin”.

Burime nga akuza qendrore thanë se një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të prokurorisë kundër bandës së Lushnjës është Selmani, i cili tregoi disa ditë më parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda vrasjen e Ramadan Shkurtit, vëllai të Alfred Shkurtit (alias Aldo Bare). Ai tregoi se në fillim të vitit 1997, Alfred Shkurti dhe i vëllai, Ramadani, kishin tentuar të vrisnin Tur Dajën, por nga shkëmbimi i zjarrit vdiq Genci Kashari dhe Ramadan Shkurti. Gramoz Selmani është pyetur për vendlindjen dhe vendbanimin, ndërsa ai u përgjigj se ka lindur në Lushnjë dhe pas trazirave të vitit 1997 ka emigruar në Greqi, ku dhe banon. Në lidhje me vrasjen e Genci Kasharit, dëshmitari tha se e njihte dhe se është vrarë në një tavolinë ku dhe ishte ulur. “Në lokalin e Xhevat Dajës, në një tavolinë ishin ulur Artur Daja, Lorenc Daja dhe Genci Kashari. Po hanin drekë. Duke kaluar, më thirri Turi: ‘Mozi, hajde pi një birrë’. U ula dhe pak momente më vonë pashë që po vinte një makinë e zezë, tip ‘Audi’ dhe menjëherë qëlloi me breshëri në drejtimin tonë. U futa poshtë tavolinës. Genci më ra në shpatull i vrarë. ‘Audi’ teksa po largohej u përplas me një saurelë. Turi doli duke gjuajtur me automatik. Unë pashë dy veta që po iknin më vrap. Ishte Fred Shkurti dhe një person tjetër. Fredi atë personin e mbante për krahu dhe qëllonte në drejtimin tonë me automatik”, tregoi Selmani. Më tej vazhdoi se “Turi vajti te makina, hyri brenda dhe i mori një pistoletë nga dora të plagosurit, duke e qëlluar atë dhe shoferin. I qëlloi në kokë. E pyeta Turin kush ishte, më tha ‘ishte Ramadan Shkurti’”.

Krahas dëshmisë për vrasjen e Ramadan Shkurtit, prokuroria e ka pyetur Gramoz Selmanin edhe për vrasjen e Nimet Zenelit. Në të dyja rastet, Selmani ka qenë dëshmitar. Ai tha se Nimet Zenelin e njeh si lushnjar. “Ka qenë dimër. Ngjarja ndodhi në Kolonjë të Lushnjës. Unë, së bashku me Masar Aliun, mik i imi dhe Nimet Zenelin, vajtëm në Bubullimë, që të merrnim gështenja. Ishim me një fuoristradë të bardhë. Po ktheheshim, kur në kthesë të Bubullimës pashë dy veta, Arben Boriçin dhe Ilir Stërgun. Ishin në dyqan dhe dolën në rrugë. Ishin të pajisur me armë. Gjuajtën tek e tek. I thashë shoferit shpejt se do na vrasin. Masari u hutua dhe makina ra në kanal. Masari dhe Nimeti ikën me vrap drejt fushës. Unë hyra poshtë makinës. Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu po i ndiqnin me vrap. Unë u largova. Kur, mbrapa dyqanit ishte Fred Shkurti dhe Enver Dondollaku. Gjuajtën me breshëri, por unë hyra në një shtëpi aty pranë. Dolën banorët dhe më pyetën ç’kisha. U thashë që donin të më vrisnin. Nimeti ra në kanal, ku dhe është vrarë. Masarin e takova në shtëpi. Më tha: ‘Ik se do të vrasin’”. Prokuroria e pyeti se cila ishte arsyeja që banda donte ta vriste, ndërsa mori si përgjigje se ishte mik me Tur Dajën. “Përse donin të më vrisnin? Isha mik me Tur Dajën. Më dogjën shtëpinë, më vranë vëllain, m’i dogjën të tëra. Vëllain e madh ma morën peng”, përfundoi dëshminë Gramoz Selmani. Detajet e lartpërmendura janë konsideruar shumë të rëndësishme për organin e prokurorisë, teksa kanë filluar procedurat për statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›