Ahmetaj: Qeveria po zhyt shqiptarët në borxhe
Që prej 1 janarit 2010, çdo familje shqiptare ka si barrë të vetën një borxh prej 8700 dollarësh ose mesatarisht 2000 dollarë për person. Konstatimi vjen nga Partia Socialiste, e cila përmes deputetit të saj, Arben Ahmetaj, bëri publike situatën e borxhit publik të Shqipërisë, që sipas tij ka arritur në 6.6 miliardë dollarë. Ai ka bërë një prezantim krahasues të kësaj shifre për të bërë më të kapshëm peshën që çdo shqiptar ka në ngarkim për shkak të keqqeverisjes. “Rritja e borxhit është sa pesëfishi i rritjes së pensioneve e rrogave. Për ta thjeshtuar nëse rritja e pagës për një shqiptar është 2000 lekë, rritja e borxhit është prej 10.000 lekësh”, deklaroi Ahmetaj. Për më shumë që sipas pritshmërive të qeverisë, kjo shifër ka prirjen për t’u rritur edhe këtë vit me rreth 300 dollarë për person, duke e çuar barrën për familje në 10.000 dollarë. Përkeqësimi i situatës, sipas Ahmetajt, bëhet më i ndjeshëm për shkak të zhbalancimit mes shpenzimeve dhe thithjes së të ardhurave, një kurs për të cilin përgjegjëse është qeveria aktuale. Kjo oponencë teknike e opozitës, që në kuadër të abuzimit të qeverisë vjen si akuzë, përbën sipas deputetit socialist një arsye më shumë për të protestuar më 30 prill; tashmë edhe në emër të interesit të gjithsecilit.
#