E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërohet drejtori i ri i policisë së qarkut

Kukës

Në kuadër të ndryshimeve në efektivët e lartë drejtues të institucioneve të Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka ndryshuar edhe kreun e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit. Gjatë një ceremonie të zhvilluar dje në mesditë është komunikuar emërimi i Sadri Muçajt në detyrën e drejtorit të Policisë së Kukësit në vend të Ali Elezit, i cili shkon në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, komunikimin e bëri zv/drejtori Rasim Borishi ndërsa të pranishëm kanë qenë edhe prefekti i Kukësit, Elez Maçi, kryetari i qarkut, Bruka etj. Drejtori i sapoemëruar, Sadri Muçaj, i datëlindjes 1959, i diplomuar në Juridik dhe në Akademinë e Rendit është oficer karriere dhe ka shërbyer në detyra të larta në Policinë e Lezhës, në Tiranë dhe Burrel. Kohët e fundit ai ka punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në detyrën e shefit të Sektorit të Rendit Publik. Me rastin e marrjes së detyrës së re Muçaj, ka thënë se prioritet i punës së tij do të jetë lufta kundër krimit të organizuar, kundër trafikut të paligjshëm ndërkufitar, zbulimi dhe zbardhja e ngjarjeve të vjetra etj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›