Ahmetaj feston në çadër pesë-vjetorin e vajzës së tij
Deputeti socialist Arben Ahmetaj është mallëngjyer dy ditë më parë nga surpriza që i ka bërë e bija, e cila festonte 5-vjetorin e saj. Ahmetaj i ka dërguar vajzës një buqetë me lule me rastin e ditëlindjes, ndërsa ajo i ka shkuar në çadrën ku ai është i ngujuar për të drejtën e votës. I pyetur nga "Panorama", Ahmetaj tha se kishte përjetuar suprizën më të bukur dhe më të veçantë që e bija i kishte bërë ndonjëherë. Nuk ka munguar mallëngjimi nga ana e deputetit socialist, ndërsa vajza e tij i ka çuar Ahmetajt një aparat DVD dhe një disk, ku ajo kishte filmuar festën e ditëlindjes të organizuar në kopshtin e saj. Këtë rast, Ahmetaj e ka ndarë dhe me grevistët e tjerë, por nuk ka fshehur lotët që natyrshëm dalin në raste të tilla dhe në kushte specifike si këto të grevës së urisë, larg familjes dhe gëzimeve familjare. Ndër-kohë nuk ka mundur të konsumojë asnjë ëmbëlsirë, që janë të natyrshme në raste të tilla. Por në çadrën e grevës së urisë nuk mungojnë mesazhet dhe bisedat telefonike me familjarët dhe fëmijët e tyre. Mësohet se disa nga familjarët kanë dërguar librat e preferuar për disa nga grevistët, ndërsa këta të fundit zënë kohën më të madhe me leximin e librave dhe gazetave. Ahmetaj është një nga deputetët më aktivë socialistë, i cili është dhe pjesë e delegacionit të Parlamentit shqiptar në Këshillin e Evropës, bashkë me deputetët Damian Gjiknuri dhe Olta Xhaçka.