Kabineti i Merkelit aprovon paketën e ndihmës për Greqinë
Kabineti i Qeverisë gjermane, i mbledhur nga kancelaria Anxhela Merkel, ka aprovuar të japë kontributin e saj në planin e shpëtimit të Greqisë. Lajmi është bërë i ditur nga burime qeveritare dhe pritet që plani të aprovohet edhe në Parlament. Gjermania do të japë një kontribut prej 22.4 miliardë euro. Qeveria gjermane kërkon që ta vërë në jetë këtë ndihmë sa më shpejt, duke llogaritur pak ditë edhe për votën në Parlament. Megjithatë, “duhet të nxjerrim një mësim nga kjo krizë greke”, ka deklaruar Merkel. Në veçanti ajo iu referua rregullave më të ashpra kundër spekulimeve në tregjet financiare dhe “transformimin e paktit të stabilitetit, në mënyrë që të mos shtrembërohet”. “Ne do të paraqesim propozime për të përmirësuar aplikimet e një politike stabiliteti dhe monetare të përbashkët”, tha ajo duke iu referuar një lloj programi që do të paraqesë Gjermania në takimin e ardhshëm të ministrave të Eurogrupit në Bruksel, i cili do të zhvillohet të premten. Ajo kërkon modifikime mbi traktatet që bëjnë të mundur një reagim më të përshtatshëm për raste të tjera, nëse ndodhin, si ky i Greqisë. Ndërkohë Banka Qendrore Evropiane ka aprovuar një program ristrukturimi ekonomik dhe financiar, i cili është negociuar me Komisionin e Brukselit, në bashkëpunim me vetë BQE-në dhe FMN-në. Këshilli i administratës së BQE-së e ka vlerësuar programin e Qeverisë greke dhe të bashkëpunimit të institucioneve financiare për ndihmën, të përshtatshëm. Vendet evropiane dhe FMN-ja pritet të zyrtarizojnë gjatë javës planin e shpëtimit për Greqinë, i cili u vendos të ketë vlerën 110 miliardë euro. Kjo është edhe ndihma më e madhe që i është ofruar ndonjëherë një vendi të vetëm. Sipas marrëveshjes, shtetet e eurozonës do të japin 80 miliardë euro për Athinën, kurse pjesa tjetër e fondit do të vijë nga FMN-ja. Populli grek nuk i ka mirëpritur aspak zhvillimet e fundit në politikën financiare të Qeverisë së Papandreut. Sindikata e punonjësve të administratës greke, “Adedy”, ka paralajmëruar një grevë 48-orëshe, që nis sot. Greva mbahet për të protestuar ndaj masave qeveritare kundër krizës, të cilat u publikuan të dielën, pas dhënies së ndihmës BE-FMN prej 110 miliardë eurosh. Të mërkurën, më 5 maj, në grevë do të përfshihet edhe sindikata e punonjësve të sektorit privat dhe ajo komuniste “Pame”. Nga protestat, në Greqi do të paralizohet trafiku ajror, por edhe trafiku urban kombëtar dhe do të mbyllen edhe spitalet, shkollat dhe zyrat publike.
Dominique Strauss-Kahn
Sipas kreut të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qëllimi i planit të ndihmës për Greqinë është që Athina të mos i drejtohet tregut për ndihmë gjatë 18 muajve në vijim. Në një intervistë për “Le Monde”, Kahn tha se “I binda evropianët se duhej kjo përpjekje e madhe për të evituar që Greqia t’i kërkonte ndihmë tregut për 18 muajt e ardhshëm. Binda ligjvënësit gjermanë se nuk kërcënohej vetëm stabiliteti i eurozonës, por vetë ekzistenca e euros dhe paratë e Gjermanisë”, ka theksuar Kahn.
Franko Fratin
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, tha se paketa e ndihmës evropiane në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar erdhi shumë vonë për Greqinë dhe shkak për këtë ishte vetëm pavendosmëria e Gjermanisë për miratimin dhe domosdoshmërinë e një pakete të tillë. Edhe Italia renditet në një nga vendet me borxhet më të mëdha në BE. Pas Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë, ajo është e katërta në radhën e vendeve me deficitin më të madh buxhetor në Eurozonë.