“Në vjeshtë rinisin bisedimet Prishtinë-Beograd”
Sipas disa mediave dhe analistëve, me gjithë kundërshtimin e fortë të Prishtinës, ka shumë gjasa që në vjeshtë të ketë bisedime të reja Beograd–Prishtinë, të cilat do të përkufizohen si teknike. Burime diplomatike thanë për BBC-në se idesë së zhvillimit të bisedimeve për çështje teknike i është dhënë një shtysë e re, pas vizitave të diplomatëve të lartë amerikanë dhe evropianë në Beograd e Prishtinë javët e fundit. Zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë që të hiqet dorë nga këmbëngulja për hapjen e çështjes së statusit. Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, la të kuptohet në Prishtinë se bisedimet mes të dyja palëve do të mund të fillojnë menjëherë pas takimit rajonal në Sarajevë. Tri mendohet të jenë fushat kryesore të bisedimeve mes palëve: decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe veriu i Kosovës. Prishtina zyrtare mund të krijojë të paktën tetë grupe punuese, të cilat do të ndihmonin në përgatitjen teknike të bisedimeve. Ambasadori italian, Michael Giffoni, i dërguar i BE-së për veriun dhe ambasadori grek, Dimitris Moschopoulos, i dërguar i BE-së për trashëgiminë kulturore, mund të jenë të zgjedhurit për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut për çështjet teknike. Faza përgatitore besohet të jetë muaji gusht i këtij viti, për të hapur pastaj rrugën për bisedimet në nivelin teknik, që mendohet se do të rritet në një përfaqësim ministror. Rihapja e disa diskutimeve, duke përjashtuar çështjen e statusit, ka shumë gjasa që të bëhet menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Beogradi ka pritur përfundimin e gjykimit të Hagës për të ndërmarrë hapat e ardhshëm për bisedime të mëtejshme me autoritetet e Kosovës, të cilën e konsideron ende një pjesë të Serbisë. Të dyja vendet po lobojnë ndërkohë për të arritur zgjidhjen e konfliktit diplomatik sipas bindjeve të tyre. Ministri i Kosovës, Skënder Hyseni, ka nisur këto ditë një turne në disa kryeqytete evropiane të vendeve që e kanë njohur Kosovën. Qëllimi i vizitës së Hysenit është të diskutojë me mbështetësit e fuqishëm të Prishtinës se çfarë hapash mund të zgjedhë Republika e re pas deklaratës së Gjykatës së Hagës mbi shpalljen e pavarësisë, vendimi i së cilës nuk është imponues.