E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia përsërit: Lironi rrugën, bllokuat trafikun



TIRANE - Policia e Tiranës vijoi dje t'i kërkojë kreut të Bashkisë Tiranë që të zhbllokojë Bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Drejtori i Policisë, Tonin Vocaj, i është drejtuar prapë me një letër Edi Ramës, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, duke kërkuar ndërhyrjen për të liruar bulevardin, duke e vënë në dijeni për gjendjen e trafikut gjatë gjithë ditës së djeshme, në 13 rrugët kryesore në kryeqytet. Veç kësaj kërkese tashmë të përsëritur, Vocaj ka hedhur poshtë akuzat e Ramës, për keqdashje në organizmin e shërbimeve policore për sistemimin e trafikut. "Shqetësimet tuaja për mungesë efiçence nga Policia Rrugore, apo për keqdashje në organizimin e shërbimit, janë të pavërteta dhe si të tilla, të papranueshme për ne", është shprehur Vocaj në letër. Drejtori i Policisë së Tiranës ka hedhur idenë e organizimit të sondazheve të përbashkëta, për të evidentuar problemet e mëdha që janë shkaktuar në trafik, si rezultat i devijimeve të shumta dhe i shmangies së qarkullimit përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". "Në lidhje me aktivizimin e Policisë Bashkiake në problemet e trafikut rrugor, ne kemi konstatuar në raste të veçanta aktivizimin e saj në kapërcim të parashikimeve të nenit 12, pika 1, germa 'C', të Kodit Rrugor," ka vijuar letrën e tij për Edi Ramëm, drejtori Vocaj. Gjithashtu ai i ka rikujtuar Ramës, po ashtu edhe kreut të PS-së Dega Tiranë, Besnik Baraj, me një tjetër letër se ngritja e pengesave dhe ndalimi i mjeteve të transportit përbën vepër penale. Sipas policisë, bllokimi i bulevardit dhe për rrjedhojë devijimi i trafikut në akse të tjera rrugore është bërë shkak për përkeqësimin e jetës publike në kryeqytet. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›