E Diel, 1 Nëntor 2026

Katastrofa mjedisore në SHBA, BP do të paguajë të gjitha shpenzimet



Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka vlerësuar rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës si një katastrofë mjedisore të paprecedentë. Rrjedha e naftës është shkaktuar nga dëmtimi i një tubacioni nëntokësor. Obama tha se kompania “British Petrolium”, (BP), duhet të paguajë për zhdëmtimin. “BP është përgjegjëse për rrjedhjen dhe do të duhet të paguajë faturën. Si President i SHBA-ve nuk do të lë asgjë pa bërë për të adresuar krizën. Do të bëjmë gjithçka është e mundur për të pastruar zonat e dëmtuara”, tha Obama. Ai premtoi se Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të bëjë gjithçka që është mundur për të pastruar derdhjen e karburantit nga një platformë shpimi në brigjet e shtetit Luiziana, që është në gjendje të jashtëzakonshme. Deri në bregdetin e Floridas është ndaluar kategorikisht peshkimi. Edhe autoritetet e kompanisë gjigante të energjisë, BP pranuan përgjegjësitë për shkatërrimin mjedisor që po i ndodh një pjese të brigjeve amerikane. BP u zotua se do të paguajë të gjitha kostot e nevojshme për pastrimin e sasisë së madhe të naftës. Drejtori i Kompanisë, Tony Hajuard, tha në një intervistë për NBC, se rrjedhja nuk ishte për faj të BP-së, megjithëse kompania ka përgjegjësi për naftën e derdhur dhe pastrimin e saj. Sonda e shpimit që shkaktoi derdhjen e naftës ishte prodhim i firmës zvicerane “Trans-Ocean” dhe se kjo pajisje nuk funksionoi siç duhet gjatë shpimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›