Ahmeti: Aganit nuk i pëlqeu që ia përmenda tenderin dhënë kushëririt

Agani nuk ka pëlqyer të flas shumë për arsyeshmërinë e këtij shkarkimi, ndërsa i shkarkuari, Amir Ahmeti, ka thënë se kjo nuk është diçka e re në PD, ngase sipas tij, nga ardhja e Ferid Aganit në krye të partisë, kanë ndodhur shumë përjashtime.
Ferid Agani, i cili mban postin e ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se arsye për shkarkimin e Ahmetit është shkelja statutore që ai ka bërë.
“Arsye kanë qenë shkeljet statutore të cilat janë bërë gjatë ushtrimit të detyrës së nënkryetarit të partisë”, ka thënë shkurt Agani, përderisa ka konfirmuar se Kuvendi zgjedhor do të mbahet më 11 dhjetor.
Por, nënkryetari i shkarkuar i PD-së, Amir Ahmeti, e konsideron absurd të thuhet se e ka shkelur statutin e partisë, duke thënë se kritikat ndaj kryetarit nuk janë shkelje statutore.
“Unë nuk e di që në statut shkruan që nuk duhet të kritikohet kryetari. Nëse Partia e Drejtësisë bën përjashtim me këtë lloj, ne kemi parti të shumta në Kosovë, ku kryetari me nënkryetarët e vetë kanë mendime të ndryshme dhe kritikohen shumë ashpër njëri me tjetrin, por asnjë parti nuk merr masa të tilla arbitrare, duke i likuiduar njerëzit vetëm pse nuk mendojnë sikur ti. Asnjë parti. Domethënë kjo ndodhë gati ditë për ditë tek partitë në Kosovë, por edhe në botë. Ne nuk jemi robotë, nuk jemi në kohën e komunizmit, kur kryetari i partisë mendon ashtu dhe duhet të gjithë të mendojnë sikur ai”, ka thënë Ahmeti, në një intervistë për Kosovapress.
Ahmeti ishte konfrontuar gjatë verës me Aganin kryesisht rreth implementimit të pjesëve të programit të PD-së në programin qeveritar, sikur që është lejimi i shamisë dhe futja e lëndës fetare në shkolla.
Sot kjo nuk është, arsye, ngase Ahmeti thotë se me Aganin ka qëndrim të njëjtë në këtë çështje dhe se është arritur pajtueshmëri që të ketë afat shtesë për të parë praktikat e vendeve të Evropës.
“Normalisht, por kryetari Agani e ka mbajtur mend atë pjesë dhe ka filluar prej atëherë të më shmanget, nuk ka dashur të bashkëpunojë me mua nga ajo kohë, ndërsa pas debatit të djeshëm, papritmas kur unë kërkova llogari për tenderin që ia ka dhënë kushëririt të vetë, atëherë ajo i dhimbi shumë dhe nuk mundi të durojë dhe kërkoi nga Këshilli Drejtues që unë të mos jem nënkryetari partisë”, ka thënë Ahmeti.
Megjithëse muaj më parë kishte paralajmëruar mundësinë e largimit të tij nga Grupi Parlamentar i KKR-së, Ahmeti tani pavarësisht se partia e ka shkarkuar nga posti i nënkryetarit, thotë se do ta respektojë elektoratin e PD-së dhe do ta jap kontributin e tij në kuadër të GP të KKR-së.
“Kjo masë e djeshme ka qenë e pritshme. Unë e konsideroj vetëm pastrim, sepse tash nuk kam kurrfarë obligimi ndaj kryetarit Agani, kam obligim vetëm ndaj elektoratit të PD-së. Kurse ai do të ballafaqohet vetë, pa përkrahjen time dhe t’i shpjegojë gjithë të bëmat në Ministrinë e Shëndetësisë, prej që është ministër”, është shprehur Ahmeti.
Deputeti Ahmeti thotë se as për shkarkimin e tij, Agani nuk e kishte mbështetjen e gjithë Këshillit Drejtues, përderisa thotë se ka mbështetje nga anëtarë të shumtë të kryesisë, të Këshillit Drejtues dhe kryetarë të degëve, por mohon të ketë synon që më 11 dhjetor ta sfidojë kryetarin aktual Ferid Agani, duke kandiduar për kryetar të partisë./Kosovapress/