Qëndrime të kundërta rreth dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë

"Ndoshta do të ketë më shumë ose më pak konsensus rreth Malit të Zi, ku ne synojmë të fillojmë negociatat në mënyrë aktive" tha ministri gjerman për çështje të Bashkimit Evropian, Verner Hojer, përpara një takimi në Bruksel me homologët e BE-së.
Bisedimet do të "fillojnë me siguri në mesin e vitit të ardhshëm" dhe të mirren së pari me korrupsionin, krimin e organizuar dhe çështjet gjyqësore "në mënyrë që të mos ketë surpriza në fund të negociatave", tha Hojer.
Ministrat e BE-së po takohen për të përgatitur vendimet që pritet të merren në samitin e së premtes të Bashkimit Evropian.
Serbia shpreson të shpërblehet, pas arritjes së një marrëveshje për menaxhimin e integruar të kufirit me Kosovën të premten, në përputhje me kërkesën e bllokut për të përmirësuar marrëdhëniet me ish krahinën e vet.
"Ne kemi nevojë të zgjidhim atë që është rënë dakord ndërmjet Serbisë dhe Kosovës gjatë këtyre ditëve të fundit, nuk ka qartësi të mjaftueshme ende, ne shpresojmë se do të marrim atë qartësi sot", tha Hojer.
Gjermania javën e kaluar doli si kundërshtare e fortë për përparimin e Serbisë në BE, pasi ishte indinjuar nga sulmet ndaj ushtarëve gjermanë dhe austriakë të NATO-s nga serbët në veri të Kosovës. Presidenti serb Boris Tadiç është akuzuar se nuk ka bërë sa duhet për të parandaluar dhunën.
"Ne kemi nevojë të sigurohemi se Serbia do të jetë në gjendje dhe do të jetë e gatshme të zgjidh dhe rregullojë marrëdhëniet fqinjësore” ka insistuar Hojer.
Megjithatë ai ka thënë se Gjermania dëshiron që të mbajë përspektivën evropiane të Serbisë “të gjallë dhe të besueshme”.
Minstri finlandez për çështje të BE-së, Aleksander Stub, ishte më optimist.
"Sigurisht që ka disa çështje të pazgjidhura që janë ende duke u hartuar, lidhur me bashkëpunimin me Kosovën, por përveç kësaj, ne jemi shumë në fushën e dritës së gjelbër", tha ai.
"Është një ose ndoshta janë dy shtete antare", të cilat ende kanë dyshime, por "ne kemi kriza të mjaftueshme në pjatat tona tani sa për të shkaktuar edhe të tjera", tha Stub. "Është shumë e rëndësishme se çdo gjë punon pa probleme me Serbinë e sotme" shtoi ai. /rel/
Serbisë i shtyhet statusi i kandidatit deri në mars të 2012?
Insistimi i zyrtarëve të BE-së që me tri ditë maratonike në rundin e tetë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet së paku një marrëveshje ia ka rritur gjasat Serbisë që të marrë statusin e kandidatit, por jo kësaj radhe.
Sipas disa diplomatëve të vendeve kyç të BE-së, të cilët i ka kontaktuar “Koha Ditore” gjatë fundjavës, duket se marrëveshja nuk do t’i ndihmojë Serbisë ta arrijë qëllimin këtë javë, por në mars 2012.
Menjëherë pas arritjes së Marrëveshjes së pagëzuar si IBM, zyrtarët e Komisionit Evropian, por edhe Robert Cooper dhe njerëzit e tjerë të Këshillit, janë vënë në veprim për ta shfrytëzuar këtë rezultat si argument për t’i ndihmuar Serbisë.
Madje, sipas diplomatëve, në këto përpjekje është thënë se “marrja e statusit të kandidatit nga ana e Serbisë do të mund të ndihmojë në vazhdimin e dialogut, ndërsa në të kundërtën do të jetë më e vështirë që Serbia të mbetet konstruktive”. /koha/