E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daci: LDK-ja është mësuar me trafikim

Lidhja Demokratike e Dardanisë, ka reaguar edhe njëherë ndaj lajmit të LDK-së për kalimin e degës së LDD-së së Gjilanit në LDK.

Kryetari i LDD-së, Nexhat Daci, ka pritur një delegacion të kryesisë së degës së LDD-së në Gjilan, i cili kryesuar nga nënkryetarja Drita Maliqi ku u njoftua për gjendjen aktuale në degën e Gjilanit, pas siç thuhet “cirkut medial të organizuar të premten nga LDK-ja, për kinse shkrirjen e degës së LDD-së në LDK".

“Janë gënjeshtra pohimet e thëna se LDD-ja ka kaluar në LDK. Përveç ish-kryetarit Jakup Bajrami dhe disa bashkëmendimtarëve të tij, të cilët për interesa të përfitimeve krejtësisht personale kanë ndërruar partinë, kryesia e degës, nëndegët dhe të dy forumet, ai i rinisë dhe ai i gruas janë të palëkundur dhe vazhdojnë edhe më me vendosmëri punën në LDD, duke mbështetur fuqimisht kryetarin dhe kryesinë e LDD-së”, thuhet në reagim e partisë së Dacit.

“Kryetari Daci është shprehur se edhe kjo propagandë mediale e LDK-së, është një tentim tjetër për të mashtruar opinionin dhe për të tërhequr vëmendjen nga fakti se LDK si partia më e madhe opozitare nuk është duke funksionuar ngase është parti pa lider dhe pa zot shtëpie dhe se atje janë tri apo katër qendra të vendosjes”, thuhet në reagim

Duke folur rreth individëve që kanë kaluar në partinë tjetër kryetari Daci ka thënë se LDK-ja është mësuar me trafikim.

“Kishte filluar me trafikimin e deputetëve dhe tash me tentime të tjera për individ nga degët apo nëndegët. Individët janë të lirë të shkojnë nga të duan, por firmën, emrin dhe traditën e LDD-së askush nuk mundet ta bartë askund”, ka thënë Daci.

Ai ka premtuar vazhdimin e përkrahjes për degën e Gjilanit në fuqizimin e saj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›