E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitivisht për vizat

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE’së mbështetën të hënën në Bruksel synimet e Komisionit Europian, për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave deri në fund të vitit. Ata ndërkaq kërkuan nga Serbia që të bëjë progres në çështjen e bashkëpunimit rajonal dhe të zbatojë marrëveshjet që ka arritur me Kosovën. Thanë se këto dy çështje do të merren parasysh të premten nga shefat e shteteve të unionit kur të marrin vendimin rreth kandidaturës së Serbisë.

Vendet anëtare të Bashkimit Europian nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët rreth kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE edhe pas një debati të gjatë të hënën në Bruksel.

Për këtë çështje kanë debatuar Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të cilët këtë temë nxehtë ua kanë lënë shefave të tyre për të vendosur më 9 dhjetor në Samitin Këshillit Europian.

Por, në konkluzionet e tyre kanë përkrahur synimet e Komisionit Europian për të nisur me Kosovën dialogun për liberalizimin e vizave deri në fund të vitit.

“Këshilli mirëpret qëllimin e Komisionit për të nisur dialogun e vizave deri në fund të vitit pa paragjykuar pozicionin e shteteve anëtare rreth statusit, nëse të gjitha kushtet përmbushen në mënyrë efektive” thuhet në konkluzionet e Ministrave.

Po ashtu Këshilli i BE’së është shprehur i përkushtuar rreth pjesëmarrjes së Kosovës në programet e BE’së pa paragjykuar statusin, duke përmendur çështjen e fillimit të dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit. Këshilli i ka bërë thirrje Komisionit që të vlerësojë marrëdhëniet tregtare me Kosovën duke përmendur nënshkrimin e një marrëveshje sa më parë që të jetë e mundur.

Këshilli po ashtu i ka dhënë përkrahje anëtarësimit të Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim duke thënë se zhvillmi ekonomik do të rritej në këtë mënyrë.

Aty po ashtu i bëhet thirrje Kosovës që të nis një agjendë gjithëpërfshirëse për veriun në bashkëpunim me BE’në dhe mbështetet edhe synimi i Komisionit Europian për të përkrahur një gjë të tillë.

Të gjitha këto Komisioneri Stafn Fule i ka quajtur “një debat të mirë për mënyrën se si të normalizohen marrëdhëniet mes BE’së dhe Kosovës duke respektuar pozicionin e disa vendeve anëtare për çështjen e statusit”

Po ashtu është përmendur dialogu Kosovë – Serbi të cilit i është dhënë përkrahje nga Ministrat e Jashtëm.

E çështja e dialogut është përmendur në konferencën për media nga Mikolaj Dowgielewicz Sekretari i Shtetit për Çështje Europiane të Polonisë, e cila ka presidencën e radhës së BE’në.

Duke iu referuar dialogut dhe mundësisë që Serbia të marrë kandidaturën më 9 dhjetor në samitin e shefave të shteteve anëtare të BE’së Dowgielewicz ka thënë se nuk e di përgjigjen për një gjë të tillë.

“Secila ditë numërohet deri para takimit të Këshillit Europian” ka thënë Dowgielewicz.

Ai ka përmendur përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën si element kryesor rreth këtij vendimi .

“Nëse më pyeteni se a do ta marrë Serbia statusin e kandidatit të premten nuk do të përgjigjem në këtë pyetje sepse ky është një vendim për Këshillin Europian” k shtuar ai.

E Komisioneri Fule i cili ka dalë bashkë në konferencën për media me zyrtarin polak, ka përmendur heqjen e disa barrikadave duke thënë se “ procesi për heqjen e tyre ka filluar” derisa ka pasur një vlerësim për marrëveshjen e fundit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Çështja e kandidaturës së Serbisë është adresuar në konkluzionet me kërkesa specifike ndaj Serbisë.

“Këshilli merr në dijeni vlerësimin pozitiv të Komisionit dhe rekomandimin që Serbisë ti jepet statusi i kandidatit që do të shqyrtohet nga Këshilli Europian në pajtim me praktikat e vendosura. Këshilli pret që Serbia të adresojë bashkëpunimin rajonal” thuhet në konkluzione.

Sido që të jetë kundërshtimet rreth kandidaturës kanë qenë të mëdha të hënën në Bruksel.

Kundërshtarët më të mëdhenj kanë mbetur edhe më tej Gjermania dhe Britania e Madhe përderisa Austria e cila po ashtu ka një qëndrim kundërshtues ka provuar të zhbllokojë këtë situatë.

Ministri i Jashtëm i Austrisë Michael Spindelegger ka propozuar që Serbisë ti jepet një status me kusht i kandidatit.

Sipas tij, statusi kandidatit do t’i konfirmohej Serbisë në muajin mars nëse deri atëherë do të impelementoheshin marrëveshjet që ajo ka me Kosovën. Në këtë mënyrë sipas diplomatit austriak do të jepej edhe një përgjigje ndaj vendeve që tashmë nuk ka dyshime rreth Serbisë.

“Nëse tani fillojmë me krejt fuqinë të frenojmë kur është fjala rreth çështjes së zgjerimit besoj se do të ishte vështirë që më pas këtë proces ta ringjallim” ka thënë diplomati austriak.

Por ky propozim nuk është marrë parasysh në konkluzionet e Ministrave. Vendimet për çështje të rëndësishme në BE merren me unanimitet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›