Lëvizja për Bashkim me kandidat të vetin për president

Klinaku ka thënë se është shumë e rëndësishme që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen të papërgatitura, për shkak të shpërdorimit të votës që ndodhi në zgjedhjet e fundit, përderisa për zgjedhjet presidenciale kërkon që të respektohet marrëveshja e arritur ndërmjet krerëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së.
“Ajo çka ne mendojmë në lidhje me zgjedhjet e ardhshme është që së paku zgjedhjet parlamentare mos të mbahen të papërgatitura. Ka problem me ligjin zgjedhor, ka problem me listat, ka problem deri më mënyrën e organizimit të komisionerëve. Ju e dini si është bërë shpërdorimi i votave. Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, unë mendoj se edhe pse nuk jemi pjesëmarrës të asaj marrëveshjes së famshme mes Thaçit, Pacollit dhe Mustafës, mendoj që duhet respektohet marrëveshja. Marrëveshja është bërë, e mirë apo e keqe dhe mendoj se zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen në vitin 2012, ndërsa më 2013-ën siç janë paraparë zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale”, ka thënë Klinaku për Kosovapress.
Për zgjedhjet presidenciale, sipas tij, në Lëvizjen për Bashkim është duke u punuar intensivisht në mënyrë që ky subjekt politik ta ketë kandidatin e vetë.
“Ne jemi duke punuar intensivisht që ta kemi kandidatin tonë. Sipas të gjitha gjasave, kandidatura do të jetë në formën e një pakoje, të cilën ne jemi duke e përgatitur. Ajo do të ketë përveç presidentin, njëkohësisht do të votohet edhe për zëvendëspresidentin dhe gjithmonë nëse aprovohen në Kuvend ndryshimet në ligj, por në përputhje me atë që sot është duke u deklaruar, ne jemi të përgatitur dhe do të dalim me kandidaturë të veçantë”, ka thënë Klinaku.
Duke mos dashur të nxjerr emrin e kandidatit të kësaj partie që do të përballet me kandidatët tjerë në garën për president, Klinaku vetëm ka bërë të ditur se ai si kryetar i Lëvizjes për Bashkim nuk do të jetë kandidat për president. /Kosovapress/