Ahmeti: Presidenti i Maqedonisë, mund të jetë edhe shqiptar

Lideri i partisë maqedonase Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka deklaruar se Maqedonia një ditë mund të ketë president apo kryeministër shqiptar. Gjatë një takimi zyrtar me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, Ahmeti tha se kushtetuta e Maqedonisë hap rrugën që të kandidohet një shqiptar për postin e presidentit. Sipas tij, asgjëkundi në kushtetutë nuk përmendet origjina e Presidentit të Maqedonisë. "Maqedonia si shtet multietnik ofron shanse edhe për komunitetin shqiptar. Tani ne jemi duke analizuar, studiuar rrethanat. Jo vetëm president, por pse mos të jetë një kryeministër shqiptar", u shpreh Ahmeti gjatë vizitës së tij të parë në Kosovën e pavarur. Ai shtoi se akoma nuk ka ndonjë qëndrim të prerë të partive shqiptare në Maqedoni. Megjithëatë, Ahmeti vlerësoi se zgjedhjet që do të mbahen në Maqedoni duhet të jetë të lira, demokratike dhe të qeta. Ndërsa, kryeministri kosovar Thaçi, lidhur me mundësinë e kandidimit të një shqiptari për president në Maqedoni, ka qënë më i përmbajtur. Ai tha se në Maqedoni duhet të ketë zgjedhje të drejta, të qeta dhe demokratike. "Maqedonia është vendi i të gjithëve, pra përgjigjjen mund ta japin vetë qytetarët e Maqedonisë", nënvizoi Thaçi. Kryeministri i Kosovës Thaçi shtoi se bashkëpunimi i dy vendeve fqinje është në interes të paqes dhe bashkëpunimit rajonal dhe integrimeve euroatlantike.