Ahmeti analizon 100 ditët e para të qeverisjes

Interpretimi autentik i ligjit për amnisti, që dërgoi në histori katër rastet e Hagës, ndryshimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, që mundëson përdorim më të avancuar dhe më të gjerë të gjuhës shqipe si dhe ndryshimet në ligjin për përdorimin e simboleve që sipas Ahmetit garanton paprekshmërinë e flamurit tonë kombëtarë, janë vetëm disa nga projektet që BDI-ja realizoi gjatë 100 ditëshit të parë të bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në.
Por megjithatë, prioritet i Integristëve vazhdon të mbetet anëtarësimi i vendit në strukturat euroatlantike. Në këtë kontekst, Ahmeti ftoi opozitën për bashkëpunim dhe përpjepje konstruktive ndaj zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë.
“Prioritet absolut dhe i padiskutueshëm për Bashkimin Demokratik për Integrim është anëtarësimi i Maqedonisë në NATO. Ky vend nuk ka alternativë tjetër. Për këtë, kemi angazhuar të gjitha kapacitetet tona në zgjidhjen e çështjes së Emrit që mban peng rrugën tonë drejt NATO-s dhe ftojmë miqtë tanë ndërkombëtar që të përfshihen në mbylljen e hershme të çështjes së emrit. E vetmja e ardhme e Republikës së Maqedonisë është anëtarësimi i saj i menjëhershëm në NATO dhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, është shprehur Ahmeti.
Ai gjatë paraqitjes së tij u ndal edhe në miratimin e buxhetit nga ana e qeverisë, buxhet ky i cili sipas tij reflekton multi-etnicitetin. Ahmeti përmendi edhe regjistrimin, duke mos dhënë ndonjë detaj konkret për dështimin e tij, por theksoi se çdo proces regjistrimi në të ardhmen duhet të realizohet vetëm përmes konsensusit etnik dhe politik bashkë me reformimin e tërësishëm të entit shtetëror për statistikë. Megjithatë Ahmeti shpalosi edhe pjesë nga projektet të cilat duhen realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.
“Në këtë vit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka vënë prioritet arsimin dhe kulturën shqiptare si dhe infrastrukturën në Maqedoninë veriperëndimore. Në këtë mandat do të realizojmë vepra konkrete infrastrukturore që do ta përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve duke krijuar kushte më të mira ekonomike dhe lidhshmëri të avancuar me rajonin... Shtrirjen e Korridorit 8, sjelljen e investimeve të drejtpërdrejta në zonën e lirë ekonomikë në Tetovë, realizimin e hekurudhës Kërçovë-Qafë Thanë, rrugës Shkup-Bllacë dhe zgjerimit të kufirit, hapja e vendkalimeve kufitare Bellanoc-Stançiq, Llojan-Miratoc”, shtoi Ahmeti.
Në dallim nga Gruevski i cili për 100 ditëshin realizoi video-konferencë nga kabineti i tij, Ahmeti doli para gazetarëve në konferencë, por nuk lejoi që gazetarët të bënin pyetje.