E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisaari, Rohan dhe Wisner vizitë në Kosovë për Kushtetutën

Prishtinë -Marti Ahtisaari, Frank Wisner dhe Albert Rohan do të zhvillojnë një vizitë në Prishtinë, me rastin e 1 vjetorit të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë ceremoni, do të jetë i ftuar edhe i dërguari i BE-së në procesin e Treshes, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger. Ahtisaari ka ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës si i Dërguar i Kombeve të Bashkuara.

Të katër diplomatët kanë mbetur emra të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe që prej shpalljes së pavarësisë vazhdimisht kanë dhënë komente për zhvillime për dhe rreth shtetit më të ri si dhe kanë lobuar për njohjen e mëtejme.

Burime diplomatike i kanë thënë të dielën gazetës Express, se z.Ahtisaari përveç që do të marrë pjesë në një mbledhje të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ISG), i cili mekanizëm ishte ngritur sipas planit të tij për të kontrolluar zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova e pavarur, do të mbajë edhe një fjalim përpara deputetëve kosovarë.

ISG kësaj here do të mblidhet në nivel të drejtorëve për Ballkanin. Ardhja e ish-emisarëve bëhet në njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, pjesa thelbësore e së cilës del nga propozimi i Ahtisaarit.

Ahtisaari kishte promovuar një shtet të pavarur, me të drejtat më të mëdha për minoritetet në Europë duke rregulluar në mënyrë të posaçme statusin e komunitetit serb të Kosovës dhe marrëdhëniet e tyre me Serbinë. Diplomatët do të mbërrijnë në Kosovë më 15 qershor, nga ku Ahtisari do të mbajë edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›