E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bota Islame pret vepra nga Obama

Siç dihet prej kohësh tashmë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, do të mbajë një fjalim drejtuar botës Islame në 4 qershor në Kajro të Egjiptit. Qeveria Obama po mundohet të përmirësojë imazhin e Amerikës në botën islame dhe të rrisë bashkëpunimin me vendet e Lindjes së Mesme e më gjerë. Por fjalët e bukura dhe premtimet duken të pamjaftueshme si një erë ndryshimi për botën islame, duke vlerësuar se më shumë se fjalët, është koha për të vepruar.

Saib Erekat, përfaqësues i Organizatës së Çlirimit të Palestinës, e shfaq haptazi këtë pritshmëri: "Banorët e kësaj zone nuk kanë dëshirë më për të dëgjuar fjalë. Duan të shikojnë vepra”, tha ai për agjencinë Rojters. Ai tha se Obama tashmë duhet të merrte përsipër garantimin e themelimit të shtetit të ri Palestinez. Zëvendëspërfaqësuesi i Hamasit në Siri, Ali Baraka, deklaroi se "Ndryshimi i vërejtur në gjuhën e administratës Obama duhet konkretizuar. Hapi i parë është ndalimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës dhe presioni për ta detyruar Izraelin të heqë embargon në këtë zonë.”

Nga Kuala Lumpuri në Kabil, nga Ramallahu në Rijad, pritshmëria e myslimanëve nga Amerika është heqja dorë nga politikat raciste, militariste, pro-izraelite të administratës Bush për tetë vjet qeverisje, pasi motoja “Luftë kundër terrorit” e Bushit qe kuptuar si “sulm ndaj myslimanëve”.

Kryetari i Partisë së Mirëqenies në shtetin më të madh mysliman, në Indonezi, Tifatul Sembirin tha se "Presim seriozitet dhe drejtësi nga Amerika për zgjidhjen e çështjes palestineze.” Ndërkohë analisti politik saudit, Turad el-Amri, tha se shansi më i madh i Amerikës për të tërhequr vendet myslimane është presioni që do t’i bëjë Izraelit. "Duke bërë presion Izraelit, Obama do të dalë i fitur në shumë çështje si terrorizmi, dosja e Iranit, Libisë etj.”, tha Amri. Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama do të kryejë një vizitë në Rijad të mërkurën, ndërsa ditën e enjte pritet që nga Universiteti i Kajros t’i drejtohet Botës Islame.

Start/Zaman

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›