Jeta në stacion
Të gjithë kanë nga një vend për të jetuar. Dikush jeton në shtëpi, dikush në banesë apo ka edhe të atillë që kanë mbetur ende në tendë.
Por, në asnjërën prej këtyre vendstrehimeve nuk jeton Selvete Dugolli.
Ajo ka gjashtë vjet që bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre jetojnë në objektin e stacionit të trenit, pronë e Hekurudhave të Kosovës, që ndodhet në lagjen
“Arbëria” në Prishtinë.
Vendqëndrimi i Selvetes aty nuk është i rastësishëm. Babai i saj Selimi, dikur ishte punëtor i hekurudhës dhe si shpërblim, ndërmarrja shoqërore i kishte ofruar atij dy dhoma në shfrytëzim. Duke mos pasur ndonjë alternativë tjetër ku të jetojë, Selvetja u detyrua që në këtë objekt të ndërtuar 100 vjet më parë t’i improvizojë dhomat, duke i dhënë katit të lartë të stacionit pamjen e një shtëpie të vërtetë.
“Jemi të detyruar të jetojmë këtu. Jo pse është vendi më i mirë i mundshëm për t’i rritur fëmijët e mi. Kushtet janë në pyetje”, thotë Selvetja për Express.
Por, as aty kësaj familjeje duket se nuk i ka mbetur vend, së paku jo edhe për një kohë të gjatë.
Jeta e familjes Dugolli deri para pak kohësh në këtë objekt ishte e qetë dhe e lumtur.
Megjithëkëtë, disa fjalë që kanë dalë nga punëtorët e stacionit hekurudhor, e të cilat Selvetja i ka dëgjuar, e kanë bërë atë që të mos e bëjë më gjumin rehat.
“Një ditë kam dëgjuar nga punëtorët këtu se hekurudha ka vendosur që këtë objektin ku po jetojmë ne, ta shndërrojë në zyre”, rrëfen shqetësimin Selvetja.
Këto fjalë, sado që nuk janë zyrtare, ajo nuk i ka mirëpritur fare, pavarësisht se e di mirë që vjetërsia e objektit nuk është vendi më i mirë ku ajo detyrohet t’i rrisë dy fëmijët.
“Edhe përkundër se objekti është në gjendje të mjerueshme, e që po ndikon në shëndetin e fëmijëve të mi, unë nuk kam zgjidhje tjetër, veç të dalë në rrugë”, thotë e dëshpëruar ajo.
Megjithatë, nuk është vetëm kjo familje e cila ka bllokuar objektin e stacionit hekurudhor. Zyrtarë të Hekurudhave të Kosovës shpjegojnë se edhe shumë stacione të tjera të trenit në mbarë vendin janë uzurpuar. Madje, disa janë shndërruar edhe në restorante.
Sipas Rafet Çitakut, zëdhënësit të Hekurudhave të Kosovës (HK), të gjitha stacionet hekurudhore nëpër Kosovë, ku graviton Hekurudha e Kosovës, janë të bllokuara.
“Nuk është vetëm stacioni në Prishtinë. Hekurudhat janë shndërruar në vende banimi
edhe në qytetet e tjera të Kosovës”, thotë Çitaku për Express.
Sipas tij, pak nga banuesit që jetojnë në stacione kanë një vendim me anë të të cilit u lejohet jetesa aty.
“Shumica prej banorëve janë që e kanë uzurpuar pronën e hekurudhës. Më së shumti uzurpatorë ka në stacionin e Fushë Kosovës”, thotë ai.
“Ne e kemi bërë verifikimin e këtyre uzurpatorëve. Tash me ata merren organet kompetente, policia dhe gjykatat”, pohon Çitaku, duke mos u dhënë shumë shpresë as atyre që janë duke jetuar në këto stacione me leje të përkohshme, sikurse familja Dugolli.
Kështu, sipas Çitakut, edhe banorët që dikur kanë qenë punëtorë të hekurudhave, shumë shpejt do të detyrohen të largohen nga banesat që u janë dhënë në shfrytëzim.
Kjo pasi bordi drejtues i Hekurudhave të Kosovës ka marrë vendim.
“Është marrë vendim që punonjësit e vjetër që nuk janë më pjesë e ndërmarrjes, të zëvendësohen me punëtorët e rinj, të cilët vinë nga qytetet e tjera e që nuk kanë mundësi udhëtimi”, sqaron Rafet Çitaku, duke mos pasur përgjigje për ata që jetojnë e duhet të largohen nga stacionet e trenit.
Ndërkohë, Selvete Dugolli është e papunë. Të njëjtin status e ka edhe bashkëshorti i saj. Prandaj kjo familje jeton nga 60 euro që i marrin si ndihmë sociale. Edhe shtëpia që ky çift kishte para luftës në fshatin Harilaq, i është djegur. Të gjitha këto arsye, sipas Selvetes, kanë bërë që ajo të jetë e detyruar të jetojë në objektin e stacionit të hekurudhës.
Edhe përkundër faktit se babai i saj, Selimi, ka një vendim të lëshuar nga Hekurudhat e Kosovës qysh në vitin 1984, ku thuhet se ai mund ta shfrytëzojë objektin për banim, e bija e tij thotë se vendimi i njëjtë nuk vlen edhe për familjen e saj të ngushtë.
“Ky vendim vlen vetëm për babën, jo edhe për mua. Po përderisa prona e hekurudhës është vetëm në shfrytëzim, çdo vendim që ata marrin neve na lë në rrugë”, thotë ajo e shqetësuar, e vetëdijshme se vendi ku jeton është i përkohshëm dhe nuk i përket asaj. “Unë çdo ditë jetoj me idenë se dikush do të vijë të më thotë se duhet të dalë nga këtu”, rrëfen Selvetja.
E derisa ajo e di se vendimi i hekurudhave të Kosovës ka fuqi të përkohshme dhe vlen vetëm për babanë, ndryshe mendon i ati i saj.
Derisa mban në dorë duke treguar një copë të vjetër të një letre, mbi të cilën me shkronja të makinës së shtypit ishte i shkruar vendimi i lejes së qëndrimit të tij brenda këtij objekti të vjetër, Selimi është i bindur për një gjë. Ai thotë se e di që hekurudha kurrë nuk do t’ia bëjë atij këtë, ta largojë familjen nga ky objekt.
“Nuk e besoj që do të na dëbojnë nga këtu pa na gjetë ndonjë zgjidhe”, thotë Selimi i bindur për Express, besimi i të cilit i mungon vajzës së tij e cila tund kokën në shenjë mosbesimi në fjalët që i thotë i ati.
Hekurudhat e Kosovës
Vija e parë hekurudhore në Kosovë është ndërtuar në vitin 1874. Në relacionin Hani i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë. Më vonë ka filluar dhe është kryer ndërtimi i rrjetit ekzistues hekurudhor nëpër tërë territorin e Kosovës. Hekurudhat e Kosovës shtrihen në tërë territorin e Kosovës me një gjatësi prej 333,451 km. Në këtë gjatësi nuk përfshihen vijat industriale të cilat kapin gjatësinë prej 103,4 km. Vijat hekurudhore bëjnë lidhjen e të gjitha qendrave më të rëndësishme të Kosovës përveç Gjakovës dhe Gjilanit. Vijat e hekurudhave të Kosovës kanë lidhje të drejtpërdrejtë edhe me shtetet fqinje si me Maqedoninë e Serbinë dhe përmes tyre edhe me shtetet e tjera. Aktualisht, hekurudhat e Kosovës gjenden në një situatë mjaft të vështirë.
Stacionet e uzurpuara
Përveç stacionit të trenit në Prishtinë, ku jeton familja Dugolli, edhe disa objekte të tjera të Hekurudhave të Kosovës janë ende të uzurpuara. Objekti i stacionit të trenit në Drenas, Mitrovicë apo Klinë, nga destinomi i tyre si objekte të hekurudhës, janë shndërruar në banesa apo restorante.