E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisaari fiton Çmimin Nobel për Paqe

Nga Radio Evropa e Lire

Ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, fitoi Çmimin Nobel për Paqe, kumtoi dje Komiteti Norvegjez.

"Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur ta shpërblejë me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2008, Martti Ahtisaarin, për përpjekjet e tij të rëndësishme në disa kontinente për më tepër se tri dekada, për t'i zgjidhur konfliktet ndërkombëtare", tha kryesuesi i Komitetit norvegjez, Danbolt Mjoes.

Kryesuesi i Komitetit norvegjez të Nobelit, Danbolt Mjoes, pas ndarjes së çmimit, 10 tetor 2008.Ai tha se zoti Ahtisaari është një ndërmjetësues i shkëlqyeshëm ndërkombëtar. Në këtë kuadër, Mjoes përmendi rolin e ish-presidentit finlandez në ndërmjetësimin e tij për Kosovën.

Në vitin 1999, si i dërguar kryesor i Bashkimit Evropian, Ahtisaari arriti të bindë Sllobodan Millosheviçin që t’i pranojë kushtet e NATO-s për t'i dhënë fund fushatës ajrore në Kosovë.

"Në vitin 1999 dhe përsëri në vitin 2005, e deri në vitin 2007, ai synoi në rrethana veçanërisht të vështira, për të gjetur zgjidhje për konfliktin në Kosovë", tha Mjoes.

Vitin e kaluar, Ahtisaari ishte njeriu kyç që ndërmjetësoi në bisedimet për statusin e Kosovës, e cila u kurorëzua me pavarësinë e bazuar në planin e tij.

"Është një pranim i përgjithshëm se nuk ka kthim prapa. Kosova tash është e pavarur dhe do të fillojë të kërkojë anëtarësim në institucionet financiare ndërkombëtare që ta përmirësojë ekonominë e saj", tha Ahtisaari.

Përveç Kosovës, ish-presidenti finlandez ndërmjetësoi me sukses edhe në zgjidhjen e konfliktit në Aceh të Indonezisë, ndërsa në vitin 2000 u angazhua për zgjidhjen e konflikteve në Irlandën e Veriut, Izrael dhe Bririn e Afrikës.

Në fillim të tetorit, UNESCO gjithashtu i ndau Ahtisaarit Çmimin për Paqe, Felix Houphouet-Boigny, për kontributin e tij jetësor për paqen në botë.

Martti Oiva Kalevi Ahtisaari lindi më 23 qershor 1937, në qytetin Viipuri. Ai u diplomua në Universitetin Oulu në vitin 1959 dhe iu bashkua Ministrisë për Punë të Jashtme të Finlandës në vitin 1965.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka pasur poste të ndryshme diplomatike. Ishte ambasador i Finlandës në Zambia, Somali dhe Mozambik dhe ndihmoi mbikëqyrjen e Namibisë drejt pavarësimit të saj nga Afrika e Jugut në vitet 1977-1981.

Në vitet 1994-2000, derisa ishte president i Finlandës, Martti Ahtisaari e udhëhoqi vendin e tij drejt Bashkimit Evropian dhe eurozonës, duke u bërë i njohur kështu si një burrështetas që me lehtësi i trajton çështjet botërore.

Ahtisaari: Shpresoja të fitoj

Pas marrjes se Çmimit Nobel për Paqe Marti Ahtisaari ka thënë se ka shpresuar se do fitojë këtë çmim.

“Përfundimisht kam shpresuar se do të fitoj, sepse kjo është mirënjohja më e madhe që një personi të profesionit im mund t'i bëhet. Nuk besoj se është lënë më dicka pa u bërë, meqë javën e kaluar e fitova Çmimin e UNESCO-s për Paqe", ka thënë Ahtisaari për të shtuar:

"Ja si është teoria ime- kur të bëhem 70 vjec- miqtë e mi brengosen se -ai nuk do mund të vazhdojë më gjatë. Më mirë t'i japim mirënjohje për punën e tij", ka thënë ish presidenti finlandez Marti Ahtisaari, i cili ndër të tjera ishte edhe negociator për statusin e Kosovës.

Liderët botërorë vlerësojnë Ahtisaarin

Liderë të ndryshëm botërorë kanë përgëzuar Marti Ahtisaarin për marrjen e Çmimit Nobel për Paqe.

Shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana ka thënë se Ahtisaari e meriton plotësisht këtë çmim, meqë gjatë karrierës së tij, përkushtimi i tij për promovimin e paqes ndërkombëtare, drejtësisë dhe pajtimit kanë qenë i palëkundur.

Berlini zyrtar ka shprehur kënaqësinë me ndarjen e këtij çmimi, duke thënë se meritat kryesore të Ahtisarit kanë qenë në zgjidhjen konfliktit të Kosovës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Francës Bernard Kouchner ka lavdëruar Ahtisaarin për kurajo dhe përkushtim të vendosur në Namibi, Kosovë, Aceh të Indonezisë dhe vatra tjera të krizës.

Ish- sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ka thënë se askush nuk e ka meriutar më shumë sesa Marti Ahtisaari Çmimin Nobel për Paqe, meqë sic e ka përshkruar atë, Ahtisaari ështe njeriu, që ndërmjetësoi për arritjen e paqes në tri kontinentet.

Ndërsa, Grupi Ndërkombëtar i Krizave duke përgëzuar Marti Ahtsaarin, që është kryetar nderi i këtij grupi, ka thënë se me ndarjen këtij çmimi Nobeli i sivjetëm iu kthye rrugës së paqes dhe sigurisë.

"Nuk ka mundur të bëhet ndonjë zgjedhje tjetër më e mirë", ka thënë presidenti i ICG-së Gareth Evans.

Në anën tjetër, ish kryeministri serb Vojisllav Koshtunica ka thënë se fakti që Ahtisaari ka marrë çmimin Nobel për Paqe flet se "mentorët e krijimit të shtetit të rrejshëm të Kosovës po bëjnë presion në të gjitha fushat".

Por, vetë sekretari i Komitetit Norvegjez të Nobelit Geir Lundestad ka thënë se nuk ka pasur dhe nuk ka alternativë për pavarësinë e Kosovës.

"Shpresoj se kjo zgjidhje do të zgjasë", ka thënë Lundestad.



Kosova uron laureatin Ahtisaari

Autoritetet në Kosovë kanë përshëndetur vendimin e Komitetit Norvegjez për dhënien e Çmimit Nobel për Paqe ish-presidentit të Finlandës Martti Ahtisaari.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vlerësuar se zoti Ahtisaari ka bërë punë të madhe në zgjidhjen e konflikteve nëpër botë, ndërsa vend të veçantë këtu ka edhe Kosova.

“Unë mund të them se është një evoluim i jashtëzakonshëm që është bërë nga Komisioni i Lartë i Mbretërisë Norvegjeze për t’i dhënë meritën një njeriu që ka bërë punë të madhe, kohë të gjatë, për paqen dhe stabilitetin në hapësirat e ndryshme të globit. Në këtë rast, mund të them se me peshë të veçantë është çështja e Kosovës, në formulat që ai ka ofruar, në rrugën që ai ka përcjellë në gjithë procesin e vështirë të negocimit", tha presidenti Sejdiu.

Presidenti Sejdiu ka thënë se që nga përfshirja e tij në negociatat për statusin e Kosovës, vazhdon të mbajë kontakte me Ahtisaarin, i cili ka shprehur gatishmërinë që edhe më tej ta ndihmojë Kosovën aty ku ka nevojë.

“Ne jemi në kontakt të vazhduar me presidentin Ahtisaari, në cilësinë e bashkëpunimit të thellë me të. Nuk mund të themi se është një angazhim institucional i tij. Takimin e fundit me të e kam pasur gjatë vizitës që kisha në Kombet e Bashkuara në Nju Jork - një bisedë shumë të gjatë, shumë përmbajtjesore dhe shumë miqësore e mbështetëse. Mendoj se ky njeri, që ka ofruar një projekt të rëndësishëm ndërkombëtar, do të lëvizë edhe më tej në qasjen e tij për të dhënë shpjegime edhe atje ku ka nevojë”, tha Sejdiu.

Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka uruar ish-presidentin e Finlandës dhe emisarin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, për Çmimin Nobel për Paqe.

“Na gëzon fakti se çmimi iu dha më shumë se për çdo gjë tjetër, edhe për propozimin e suksesshëm që arriti në procesin politik për pavarësinë e Republikës së Kosovës. Konsiderojmë se kjo është një fitore e shtetit të Kosovës në forcimin e njohjes ndërkombëtare të saj", thuhet në deklaratën e Kuvendit të Kosovës.

Po ashtu, edhe Qeveria e Kosovës ka përshëndetur vendimin e Komitetit Norvegjez për çmimin që i është dhënë ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtissari. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka thënë:

"Parlamenti i Kosovës e ka shpallur pavarësinë e vendit në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të zotit Ahtisaari, që e ka mirëkuptuar realitetin në Kosovë, si dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ahtisaari është një mik i madh i paqes dhe Çmimi Nobel për Paqe i është dhënë njeriut të merituar, që ka bërë shumë anembanë globit për zgjidhjen e konflikteve dhe arritjen e paqes".

Nga ana tjetër, edhe qytetarët e Kosovës konsiderojnë se ish-negociatori ndërkombëtar për statusin e Kosovës e ka merituar Çmimin Nobel për Paqe.

Idriz Zhegrova thotë: "Në bazë të angazhimit të tij, besoj që e ka merituar”.

Kurse, Bekim Gashi thotë se Martii Ahtisaari e ka merituar çmimin për paqe edhe për punën që ka bërë në Kosovë.

"Sigurisht edhe për këtë, se ka pasur konflikte të përgjithshme në botë të pazgjidhura dhe ai ka qenë një nga iniciatorët dhe është munduar për zgjidhjen e këtyre konflikteve".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›