E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazlliç, ortak në firmën që akuzohet si pronë e familjes Millosheviç

Nga Faktori Plus

Damir Fazlliç është shfaqur dje në Tiranë, në një vizitë thuajse ilegale, me masa sigurie nga policia, dhe ka shmangur me vetëdije kontaktet me medien dhe prokurorinë. Disa zyrtarë të lartë të policisë injoruan fletëthirrjen e protokolluar nga prokuroria së paku një orë e gjysmë para ikjes së tij. Ndarja mes policisë dhe prokurorisë zbuloi në njëfarë mënyre krizën që ekziston në vendin tonë mes pushtetit ekzekutiv dhe institucioneve të drejtësisë. Policia ishte totalisht nën kontroll të interesave private të një televizioni, i cili, për t’i shërbyer qeverisë, kishte sjellë Fazlliçin me charter në Tiranë.

Por, çfarë të rejash ka dosja ‘Fazlliç’ që kur ajo është bërë publike fundjavën që shkoi?

Së pari, është verifikuar mashtrimi publik i Fazlliç se nuk e ka shitur kompaninë e tij “Crown Acquisitions”.

Por konfuzioni këtu bëhet më i madh, nëse shikon dokumentet e kësaj kompanie në tatime dhe në QKR. Sipas aktmarrëveshjes së shitjes së kompanisë, “Crown Acquisitions” i është shitur kompanisë anonime qipriote “Altaria Research Limited”, më 20 qershor 2007.

(FAKSIMILE 1)

Fazlliç tha në fillim në “Top Channel” se nuk e ka shitur këtë kompani dhe se të gjitha janë trillime të Mero Bazes.

“Nuk është e vërtetë. Unë ju tregova në fillim. Nuk kam ndërmend t'ju tregoj detaje, pasi pastaj do të më duhen gjashtë orë të bisedoj rreth gënjeshtrave që njerëz si Mero Baze kanë shkruar. E vetmja gjë e vërtetë e shkruar është emri im, të tjerat janë gënjeshtra”.

Zoti Baze tha se, nëse kjo gjë është e vërtetë, atëherë duhet ndjekur penalisht avokatja Flutura Kola. “Nëse këto që thotë Fazlliç janë të vërteta, atëherë Flutura Kola duhet të arrestohet për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Ajo ka marrë pëlqimin e Fazlliçit për shitjen e kompanisë që në maj të vitit 2007, ka shkuar në Qipro, ka marrë prokurën e përfaqësimit të tyre në Tiranë, ka blerë kompaninë fantazmë të Fazlliçit, e ka riregjistruar me vendim të gjyqtares në Tiranë dhe e ka depozituar në QKR. Dokumentet janë të gjitha aty. Tani duhet të dënohet ose Fazlliç, ose Flutura Kola.”

Pas kësaj reagoi Shoqata e Avokatëve dhe tha se avokatja Flutura Kola, që është bashkëpronare në studio me Argita Malltezin, ka vepruar konform ligjit dhe ka bërë aktet e shitjes së kësaj kompanie.

Dhoma Kombëtare e Avokatëve tha se, pasi u njoh me kërkesën e paraqitur nga avokatja Flutura Kola, anëtare e Dhomës të Avokatëve, Tiranë, me nr. 709 të licencës, si dhe me kopje të praktikës ligjore të shitjes së kuotave të shoqërisë “Crown Acquisitions” sh.p.k., subjekt i së drejtës shqiptare, në favor të shoqërisë “Altaria Research Limited”, subjekt i së drejtës qipriote, në përgjigje të kërkesës së saj prononcohet se nga shqyrtimi i praktikës, tashmë e depozituar në Regjistrin Tregtar, Dhoma Kombëtare e Avokatëve konstaton se praktika ligjore e shitjes së kuotave të shoqërisë “Crown Acquisitions” sh.p.k., sigurisht është bërë konform kërkesave ligjore në fuqi, si në aspektin formal të dokumenteve të plotësuara, ashtu dhe në përmbajtje.

Sipas DHKASH, të gjitha veprimet e kryera nga avokatja, në zbatim të prokurës së lëshuar nga klienti i saj, janë në përputhje të plotë me ligjin.

“Dhe ajo që është më e rëndësishme, në realizimin e kësaj praktike nga ana e avokates Flutura Kola nuk ka asnjë shkelje të rregullave të Kodit të Etikës të Avokatit”, - thekson DHKASH.

Pas kësaj, në një intervistë në gazetën “Panorama”, Fazlliç ndryshoi tërësisht qëndrim dhe tha se e ka shitur kompaninë dhe se ajo ka pasur asete në Porto Romano.

Në fakt, në zyrat e tatimeve rezulton se ajo nuk ka asnjë aset dhe asnjë veprimtari tregtare, përkundrazi ka borxhe.

Sipas këtij dokumenti, shoqëria është regjistruar për konsulencë tregtare dhe jo për veprimtari të tjera. Ajo rezulton me borxhe dhe pa asete të deklaruara.

(FAKSIMILE 2)

Por Fazlliç i ka dhënë gazetës “Panorama” një dokument tjetër, ku tregon se në emër të kësaj kompanie ka blerë toka në Porto Romano.

(FAKSIMILE 3)

Sipas këtij dokumenti i bie që Fazlliç ka blerë tokë në Porto Romano në emër të kësaj kompanie më 1 gusht të vitit 2007, ndërsa e ka shitur kompaninë më 20 qershor 2007.

Këtu ngatërrohet gjithë historia dhe del hapur mashtrimi publik lidhur me shitjen fiktive të kompanisë në Qipro.

Nëse ai e ka shitur kompaninë më 20 qershor, nuk ka si regjistron prona në emër të saj më 20 gusht.

Skandali i dytë që ka të bëjë me këtë fakt, është blerja e tokës dhe kapja e shtetit për interesa të tij. Fazlliç ka shkuar, ka blerë tokë në Porto Romano, përpara se aty të hidhej ideja e Parkut Energjitik. Ai ka blerë tokën në Porto Romano, pasi ka marrë siguri nga ish- ministri i Transporteve, Lulëzim Basha, që aty do të ndërtohet Parku Energjitik. Pasi e ka bërë blerjen, ideja e Parkut Energjitik ka evoluar dhe Berisha para një muaji në mbledhje të qeverisë e shpalli atë zonë, vend ku do të ndërtohet Parku Energjitik. Kjo është kapje reale e shtetit. Sekseri Damir Fazlliç, kompania e të cilit atë kohë administrohej nga kunati i ministrit të Transporteve, Lulëzim Basha, blen tokë me paramendim në një zonë të shkretë, ku më pas del që do të ndërtohet një Park Energjitik.

Burime tona të sigurta dëshmojnë se studioja e Argita Berishës ka asistuar deri në fund pranë Ministrisë së Ekonomisë kuadrin ligjor për ndërtimin e parqeve energjitike, duke dërguar si përfaqësuese në këto borde këshillimore avokaten Flutura Kola.

Pra, ky është superskandal, pasi Berisha po ndërton një park energjitik në pronat e Damir Fazlliçit me paramendim, duke përdorur ish- ministrin e Transportit, Lulëzim Basha, dhe studion e vajzës së tij për të favorizuar një sekser të familjes së tij.

Skandali i dytë

Evazioni fiskal me “Rompetrol”

Së dyti, po verifikohen dyshimet pse Damir Fazlliç në vitin 2007 është përfshirë në Këshillin drejtues të dy kompanive me pronar “Rompetrol”. Ky është një skandal i ri që duhet të bëhet objekt hetimi nga tatimet, doganat dhe prokuroria.

Sipas të dhënave nga tatimet, kjo kompani ka pasur probleme me gjoba me shtetin shqiptar. Konkretisht, dy kompanitë me pronare “Rompetrol”, të quajtura, “Rompetrol Albania Downstream” dhe “Rompetrol Albania Wholesale”, kishin marrë dy gjoba nga shteti që shkonin afërsisht 1 milion euro. Në përpjekje për të shpëtuar nga këto gjoba, këto dy kompani i afrohen sekserit Fazlliç. Ai iu gjen zgjidhjen. Duke i siguruar në mbështetjen politike që kishte me kryeministrin dhe ministrin e Transporteve, Lulëzim Basha, ai iu këshilloi atyre falimentimin dhe krijimin e dy kompanive të reja me të njëjtit pronarë, por që kishin në Këshillin Mbikëqyrës Damir Fazlliç.

Dy kompanitë e reja quhen “Rompetrol Distribution Albania” dhe “Rompetrol Albania”. Pronarët janë të njëjtë me dy të parët. I vetmi që shtohet është Damir Fazlliç si anëtar i vetëm i Këshillit Mbikëqyrës.

Skema funksionoi. Dy kompanitë e vjetra, të krijuara në vitin 2004, kaluan për likuidim. Eksperte kontabël në dy kompanitë që kalojnë për likuidim është Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishës dhe konfidenciale me organet tatimore për shkak të afërsisë me familjen e kryeministrit.

Dy kompanitë e reja ku Fazlliç është vetë në Këshillin Mbikëqyrës morën jetë dhe kështu shpëtoi gjoba prej 1 milion eurosh. Ky është një tjetër skandal që i shtohet dosjes ‘Fazlliç’. Skema është qesharake, pasi dy kompanitë e reja kanë të njëjtët pronarë, që është “Rompetrol”, të njëjtin përfaqësues ligjor, që është Bogdan Ghita Badea, të njëjtën adresë që është rruga “Pjetër Bogdani”, pallati 23/1, kati 1, Ap 1, Tiranë, të njëjtin objekt për tregti karburantesh.

(FAKSIMILE 4 dhe FAKSIMILE 5)

(FAKSIMILE 6 dhe FAKSIMILE 7)

Skandali i tretë

Origjina e pronarëve të kompanisë qipriote shkon te djali i Millosheviçit

Së treti, ka dyshime të forta për lidhjet reale të Fazlliç me ata që qëndrojnë pas kompanisë qipriote “Altaria Research Limited” që ka bërë blerjen fiktive të kompanisë së Fazlliç në Tiranë. Një përfaqësues i kësaj kompanie në Vjenë, Aleksandër Lupsiç, është po ashtu pronar i një kompanie që i ka shitur qeverisë shqiptare energji elektrike.

Por, skema e kompanisë që ka blerë firmën e Fazlliçit në Tiranë është dhe më e komplikuar. Ajo përbëhet nga dy drejtorë që përfaqësojnë dy kompani, “Avomar Limited” dhe “Amerito Limited”. Të dyja këto kompani, të bashkuara nën emrin “Altaria Research Limited”, kanë blerë së fundi kompaninë “Putnika” në Serbi që merret me ndërtime rrugësh dhe konstruksione.

Sipas shtypit zyrtar serb, ka akuza të qarta se pas këtyre kompanive qëndrojnë njerëzit e Marko Millosheviçit, djalit të Millosheviçit. Ky duhet të bëhet objekt hetimi për drejtësinë shqiptare, për të verifikuar, nëse kjo kompani, e cila tashmë është prezente në Tiranë, na çon drejt njerëzve të vjetër të Beogradit.

Tentakulat e kompanisë qipriote janë shtrirë në gjithë Serbinë, aty ku Damir Fazlliç është zot. Sipas të dhënave bankare nga Laiki Bank në Qipro, dy kompanitë themeluese të “Altaria Research Limited”, që ka blerë kompaninë e Fazlliçit në Tiranë, kanë krijuar në Serbi një kompani të quajtur “Acciona Investments Limited” me të njëjtën adresë mëmë në Qipro, Thiseos 4 Egkomi, P.C. 2413, Nikozi, Qipro, dhe të njëjtët pronarë si në rastin e “Altaria Research Limited”.

(FAKSIMILE 8)

1. “Avomar Limited”

600 aksione

50%

2. “Amerito Limited”

600 aksione

50%

Akuzat shpërthyen në muajin prill në Serbi, kur kjo kompani, pra e njëjta që ka blerë kompaninë e Fazlliçit në Tiranë, bleu në Serbi kompaninë “Putnik”. Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë serbe, botuar në median serbe thotë se “Fondi aksioner i Serbisë” i ka shitur kompanisë qipriote “Acciona” paketën prej 70% të aksioneve të “Putnik”. Akuzat shpërthyen për favorizim të kësaj kompanie qipriote, pasi media zbuloi një proces jotransparent dhe antiligjor. Një avokat ka paditur procesin e privatizimit duke theksuar se pas “Acciona” janë dy firma qipriote “Avomar Limited” dhe “Amerito Limited” dhe se pas kësaj blerjeje qëndrojnë tajkunët ose super-milionerët e kohës së Millosheviçit.

Pra, rrënjët e kompanisë që ka blerë tashmë atë që do të bëhet Park Energjitik në Porto Romano na çojnë në Serbi, te djali i Sllobodan Millosheviçit, Marko Millosheviç, i cili ka ndërtuar bizneset e tij me të njëjtët partnerë që Fazlliç po na i instalon në Porto Romano.

Fazlliç e ka të lehtë të fshihet pas gjithë këtyre degëve që krijojnë kompanitë fantazmë në Qipro. Problemi ynë është, nëse në oborrin e kryeministrit dhe në familjen e tij ka hyrë një trafikant ballkanik që ka vetëm interesa biznesi dhe parash apo dhe interesa politike për të kontrolluar familjen kryesore në pushtet?

Nëse Parku Energjitik në Porto Romano iu jepet disa qipriotëve fantazmë, që në Serbi akuzohen se kanë lidhje me kohën e Millosheviçit dhe bizneset e tij në Qipro, atëherë siguria jonë kombëtare vihet në rrezik dhe Parku i ri Energjitik që Berisha po e ndërton me paramendim mbi pronat e Damir Fazlliçit, ngrenë shumë pikëpyetje.

Nëse ky skandal përfundon kështu, atëherë mafia ballkanike dhe njerëzit e kohës së Millosheviçit na janë ulur këmbëkryq në Tiranë, dhe po bëhen zotër të rinj të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›