Flamuri sqaron “skupin” e Fazlliçit në TV “Klan”
Antena brenda familjes
Kryeministri, Sali Berisha, vendosi t’i kushtojë dhe mbledhjen e djeshme të qeverisë Damir Fazlliçit. Si gjithmonë kur ngelet pa argumente, ai sajon një shaka. Dje kishte zgjedhur për viktimë të shakasë Majlinda Bregun.
- E takove Fazlliçin ti zonjë, - i tha, - se më mori në telefon që ishte në Tiranë?
- Jo, - i tha Majlinda, - se ti na the që do ta sillje në parlament dhe e çove në TV “Klan”.
- Tani, se ç’bën ata të TV “Klan”-it nuk e di, se ata e kanë censuruar, - tha Berisha duke qeshur.
Kaq u desh që Flamuri të vihej në lëvizje, pse i ishte bërë kjo padrejtësi Damirit. Mori Frangajn në telefon dhe e pyeti:
- Pse e keni censuruar Damirin?
- Po ia fuste p... o trap, - i tha Frangaj.
- Pse mo çfarë thoshte?
- Po thoshte që “Argita merret me pronat e mia në Tiranë dhe atë burrin e kam mik për gjithë jetën”. Pastaj, në fund, lavdërohej se do shkonte në prokurori po ta thërrisnin. Po ku e dinim ne që ajo komunistja e prokurorisë e kishte prerë fletëthirrjen? Kur e morëm vesh ne që po e kërkonte, e hipëm fshehurazi në një makinë, e nxorëm pas “Klan”-it dhe e di vetë ti si e çuam deri në Rinas. Tani këto s’i linim dot në intervistë ne.
- Po për Edi Ramën ka thënë gjë ai apo jo? Se ai burri tha në mbledhje qeverie që “se ç’ka thënë, po e ka heq Frangaj, se ka ca probleme me katet pa leje në një pallat”.
- Po jo mo, ç’kam heq unë. As ka thënë gjë fare për Ramën. E lamë me fjalë që ta thoshte atë punën që thotë doktori, po ai nuk e tha. Meqë nuk e tha, ne hoqëm këtë pjesën e rrezikshme dhe i thamë doktorit të hapë fjalë sikur ka thënë ndonjë gjë për Ramën. Pastaj, ishte ca idiot ai, se s’e kisha takuar. Ia futi kot për atë tokën. Tha ia kam shit vetvetes 1,7 milionë euro. Kjo është me ia fut vetvetes.
- Po unë mendoj se ia vlen, - tha Flamuri. - Se siç e pashë unë në tatime, kompania e tij për dy vjet s’ka bërë asnjë punë, dhe s'ka lëviz nga vendi për asgjë. Është e re si makinë me kilometrazh zero, e pakonsumuar. Ndaj do ta ketë çmimin e madh.
- Po jo mor burrë se kompania që e ka blerë është kompani e Argitës. Ashtu e kanë firmat qipriote. U jep dy mijë euro, të japin një përfaqësi në Shqipëri, por realisht ke ekskluzivitetin të bësh ç’të duash me ato prona në Shqipëri. Ato shërbejnë thjesht për të fshehur identitetin. E kishte ky, ia shiti Argitës, mori lekët si sekser për punë të tjera dhe iku. Kështu e bëjnë të gjithë. Po ai ishte ca budalla dhe na i nxori në shesh. Le pastaj me doktorin që e djallosi fare. Tha: “E mora në telefon, sa dola nga burgu”. E rëndë ishte ajo, po doktori s’ka ç’i bën, se ka hall, se i nxjerr ndonjë pisllëk dhe s’flet.
- D.m.th., kjo punë e censurës tuaj qenka kot? - tha Flamuri. - U gëzova kot, thashë se mos ishte ndonjë skup.
- Jo mo burrë ç’skup. E sajuam që të hiqnim ato pjesët për Argitën, për doktorin dhe prokurorinë. Po ç’e do se e djallosëm, ia kishte nisur Fevziu më parë të zbardhur gazetave dhe ato e dhanë të plotë. Na ngeli ajo tani.
- Hajt, mos çani kokë. Shumë mirë i kishit gazetat sot, dhe ti, dhe “55”. Në një zë ishit. Sikur i kishte bërë e njëjta dorë. Kështu duhet të veproni në grup, se s’kanë ç’thonë.
- Po mo, po, ç’të bëjmë. Ne mbetëm tani. Do luftojmë sa të mundemi. Po ky Fazlliç na prishi ca punë, se na shajnë njerëzit kot. Doktori në fakt desh të na ndihmonte, të bënim skup.
- Skup keni bërë. Ky është skupi më i madh në botë. Ai është njeriu më i kërkuar për median shqiptare. Asnjë nuk e gjente dot ku ishte. Çdo gazetar do kishte marrë charter për të shkuar për ta intervistuar. Kurse ai theu rekord, mori charter dhe erdhi u vetintervistua te ju. Ku ka më skup se kaq. Në gjithë botën skup është të vesh të gjesh Bin Ladenin, kurse juve u erdhi ju gjeti vetë. Superskup është.