E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër e hapur, drejtuar Kryeministrit tim, qytetarit Sali Berisha!

Nga Inida Gjata ZHAKU

I dashur Kryeministër!

Kohët e fundit kam nisur intervistat për përzgjedhjen e banorëve të ardhshëm të Kafazit!

(Sepse në Shqipëri zhvillohet një lojë, ku Brenda një Kafazi prej Ari cicërojnë thagma Shqiptari!)

Aty zoti Kryeministër, meqenëse Ne (televizioni pra), jemi e vetmja shpresë e mbetur e të rinjve shqiptarë, vijnë e konkurrojnë qindra 18-20 vjeçarë, shumë prej të cilëve vijnë nga larg, sepse shpresojnë te fama për të fituar një vend pune edhe sikur … si kamerier!

(Në këtë rast, nuk dua të them se çdo kamerier mund të bëhet i famshëm, por që reformat kanë qenë kaq të suksesshme, saqë kanë rritur standardet edhe në punët e “thjeshta”!)

Juve mbase keni kohë që nuk i ndeshni të rinjtë e zonave të thella apo rurale apo sikur edhe urbane qoftë! Ndaj dhe me devotshmërinë më të lartë, po ju tregoj pak nga ato që shoh e dëgjoj prej tyre, kur vijnë me sytë gjithë lumturi, se më në fund ia dolën të ndjekin pas një ëndërr! Kanë shansin t’iu dëgjohen hallet nga të gjithë! Mbase i ndihmon kush!

Dhe ata djem, zotëri, janë 18-20 vjeçarë. Aq sa ju, kur keni ardhur në Kryeqytet me ëndrrën e një karriere të lavdishme, të cilën, fatmirësisht për ju, arritët ta realizoni!

Mirëpo ju kishit mbështetjen e shtetit dhe garanci sociale për t’ia dalë asaj e kësaj dite! Ju ishit 20 vjeç përpara 40 vjetësh, zotëri!

Ndërsa këta të rinj janë 20 vjeç sot, në 2008! Naivë, të paditur e të parritur, vijnë me asgjë në xhep, në kërkim të diçkaje për në zemër!

Për më shumë Dinjitet në sy të shoqërisë, të rinjtë zgjedhin të vetmin shans që kanë, Kafazin! E kështu të kenë pak më shumë vëmendje! Duan vetëm të tregojnë se ekzistojnë. Të flasin për problemet që kanë. T’i dëgjojë dikush. E meqë në këtë vend u vihet veshi vetëm të “Famshmëve”, ata na drejtohen Ne!

Kanë përfunduar shkolla të mesme dhe presin …….ose të ikin jashtë, (Kujdes! Vazhdojnë të mendojnë si klandestinë!), ose të hyjnë në Kafaz, ose të presin, se mos……….ndodh ndonjë mrekulli që të mund t’i nxjerrë nga bataku!

(Ka nga ata që kanë bërë edhe vetëm 8 klasë shkollë, por ai është faj i prindërve më shumë sesa i shtetit!)

Batak është vendi ku rrojnë. Nuk ka asnjë vend punësimi për të rinj! Të rinjve do t’u kërkoni të votojnë, e ata do t’jua japin votën, nëse u premtoni shkollim e punësim, se kanë nevojë! Por, duke vazhduar siç po vazhdon prej 15 vitesh ky shtet të funksionojë, do bëheni shkaktarë të djegies edhe të një brezi tjetër duke mos mbërritur dot deri te dita e përmbushjes së këtij premtimi. “Brezi i Ri” do të digjet 31-sh, edhe një herë, në Shqipëri!

Por në Kafaz nuk konkurrojnë vetëm të rinj, zotëri! Në Kafaz vijnë për të rrëfyer hallet e tyre edhe pensionistë! Posi! 2 zotërinj, deri tani, me shpatulla punëtorësh e fytyra të vrara prej varfërie, vijnë me rroba të mbi-përdorura të konkurrojnë për Kafazierë! Sepse duan të rrojnë të sigurt. Me një çati mbi thinja, me ushqim të sigurt e pa e shpenzuar pensionin për dy-tri tableta!

I dashur zoti Kryeministër! Nëpërmjet kësaj letre të “hapur” nuk kam aspak ndërmend t’ju mallëngjej. As ju e askërkënd. Ka ikur koha e lotëve. Mbani premtimin! Jepuni Shqiptarëve atë që ua kanë marrë Udhëheqësit vit pas viti. Kohë pas kohe. Jetë pas jete. Brez pas brezi.

Dinjitetin!

Nëpërmjet kësaj letre dua të shpreh revoltën time për qeverisje vazhdimisht poshtëruese në Shqipëri!

(Njerëzve u mjafton një jetë e vetme për t’u jetuar! Qeverive Shqiptare, jo! Nuk i mjafton veç një mandat për dy-tri gjëra të thjeshta!)

I dashur Kryeministër, ju kërkoj me këmbëngulje të fortë e me gjak të nxehur nga vuajtjet e Brezave të të tria kohëve, të ndizni motorët e qeverisë e të shkundni nga letargjia administratat, institucionet, shoqëritë, institucionet fetare gjithashtu. Ky shtet duhet të nisë të mendojë për mishin që po kalbet, përpara se të ndihet era e kërmës!

Ne, me kënaqësi do të paguanim çdo taksë për ngritjen e qendrave sociale e azileve për njerëz të moshuar që s’kanë asgjë, e të cilët janë të shumtë. Ai Brez e meriton mbase më shumë se çdokush një herë në jetë njerëzillëkun e shërbimin e shtetit që u ka marrë çdo pikë gjak e djersë, e dinjitet një jetë të tërë.

Ne, me kënaqësi, do paguanim çdo taksë të mundshme, në rast se ju ato pará do t’i investonit në kurse kualifikimi për profesione të ndryshme e bursa për studentë të varfër, të cilët janë shumë. Por me aq universitete sa ka Shqipëria mund të përballohen lehtësisht.

Vijnë 18-vjeçarë që kanë mbaruar shkolla të mesme profesionale, e përveçse kanë dalë me rezultate të dobëta, (faj edhe i mësuesve që lëshojnë pe e fre duke u mjaftuar me realizimin e normës, përveçse shumë faj i prindërve që nuk i edukojnë fëmijët me dëshirën për shkollim, e i fëmijëve që tundohen nga asgjëja më shumë sesa nga shkolla), e kanë edhe shumë të ulët koeficientin për t’u marrë parasysh nga universitetet shtetërore. (Universitetet private janë tmerrësisht të shtrenjta. Bankat s’mund t’u japin dot kredi këtyre “varfanjakëve”).

I dashur Kryeministër! Në thelb, problemet janë të lehta për t’u zgjidhur! Duhet vetëm punë prej vërteti dhe devotshmëri!

Unë mund t’ju jap një këshillë nga eksperienca ime, nëse dëshironi.

Këtë herë nuk do ta drejtoj vetë Kafazin. Do jem vetëm autore, skenariste, regjisore dhe përzgjedhëse. Ky fakt më ka bërë të punoj më mirë, më shpejt dhe me më shumë efektivitet. Mund të ndiqni shembullin tim edhe ju gjithashtu. Mund të nisni e të bëni vetëm atë që dini të bëni më mirë. Pra, të bëni atë që është më i dobishëm dhe i suksesshëm! Harrojeni PD dhe fushatën për një çast! Mos e digjni edhe një tjetër Brez për hir të së ardhmes që nuk është e sigurt, nëse do të bjerë sërish në duart tuaja apo jo!

I dashur Kryeministër! Kjo letër nuk ka aspak qëllimin të jetë as kundër jush e as pro ndonjë tjetri. (Shpresoj që kjo letër të rrojë aq gjatë në mendjet e lexuesve, sa të vlejë për çdo Kryeministër shqiptar, brez pas brezi. (Dhe mua, sikur po shpëtoj Shqipërinë më duket tani, teksa e shkruaj (bëj shaka).)

Dua vetëm që t’ju nxis të shihni vetëm në një drejtim! T’ia drejtoni shikimin Brezit të 3, Fëmijëve të brezit të tretë. Si dhe fëmijëve të fëmijëve të Brezit të tretë. Të shihni e njihni ç’vështirësi kanë, e të punoni edhe për to! Shqipëria është shumë vend i vogël për të mos u futur në rrugë të mbarë me nja dy-tri institucione që punojnë nën ALARM!

Shpresoj që më në fund të dëgjoj një herë në Shqipëri edhe zhurmën e motorëve të Shtetit! Meqë të motorëve të ANARKISË, jo vetëm ia kemi dëgjuar zhurmat kërcëllitëse, por i kemi pirë dhe lëngun. Lëngu i Anarkisë vlon nëpër damarët tanë, zoti Kryeministër. Na ka hyrë në gjak!

Me bindje të thellë se diçka do të ndodhë pas kësaj letre,

Nderime dhe respekte

Inida Gjata ZHAKU alias Një e “famshme” prej Kafazit, që i dëgjohet fjala !

P. S.,

Kjo letër është e HAPUR, sepse Kryeministri nuk na e ka dhënë adresën e shtëpisë tek ai spoti ku ka dhënë numrin e celularit.

Shpresoj që Kryeministri të lexojë këtë gazetë “TemA”, dhe jo atë “Temën” tjetër (atë të qeverisë)!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›