Durrësi antik, muza e 10 grave piktore
Plot 30 tabllo të frymëzuara nga bukuritë monumentale e natyrore të Durrësit të sotëm dhe pjesës së mbetur nga antikiteti janë objekti i ekspozitës më të fundit, e cila pritet të çelet në fundjavë në qytetin bregdetar nga 10 gra piktore, shqiptare e të huaja. Ky aktivitet vjen në kuadër të takimit ndërkombëtar të pikturës “Artdea”, i cili zhvillohet këto ditë. Tablotë me emocionet dhe muzën e piktoreve nga qyteti antik do të ekspozohen në galerinë private tashmë të afirmuar “Jozef” në Durrës. Koordinatore e projektit në fjalë është piktorja shqiptare Shpresa Beqiri, e cila tregon për mediet se puna e piktorëve me veprat e tyre ka nisur qysh ditën e hënë me muret mesjetare të Durrësit dhe Torrën Veneciane të tij. Gjithashtu, sipas piktores Beqiri, programi i këtij takimi ndërkombëtar me piktore nga Shqipëria, Kosova, Italia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmban në pikat e tij edhe shfrytëzimin e peizazheve të plazhit të Currilave apo Kalasë së Balshtovës. Ky takim që është i veçantë dhe risi në llojin e vet ka për qëllim jo vetëm këmbimin e eksperiencave mes grave piktore, por edhe promovimin tepër origjinal të pasurive kulturore e natyrore të qytetit antik. Ndër piktoret shqiptare që marrin pjesë janë Natasha Bega, Ikbal Kalaja, Mirsa Hysa e Majlinda Frashëri, kurse nga të huajat mund të përmendim arkitekten Wei Wang dhe piktoren Deti Ademi (SHBA), Maria Grazia Turco (Itali) dhe Blerta Sula nga Kosova.
10 Tetor 2008