E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e pusit

Një ditë ra shi dhe shumë rrugë të vendit u bllokuan nga uji. Madje edhe rrugët e reja si magjistralja Prishtinë-Pejë, afër Kroit të Mbretit, duke ndërprerë kështu komunikacionin. Edhe në kryeqytet pati bllokim rrugësh nga uji. Nga Lirita Halili më 22 shtator 2011 në ora 08:39

Kur të gjithë i gëzohen shiut, Hajriz Obrisë i shtohet derti. Jo pse ai nuk e do këtë shi që më në fund nisi të bie, por këtij burri me profesion automekanik i bllokohet biznesi i vogël që ka. Hajrizi është pronar i një punëtorie të vogël në fshatin Korreticë të Epërme të Drenasit.

Ky biznes, me të cilin ai mban pesë anëtarët e familjes, është shumë pranë rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë, që tash është shndërruar në formë të auto-udhës, asfalti i të cilës është shtruar vitin e kaluar. E prej asaj kohe, Hajrizi ka shumë probleme.

Sa herë që bie shi, këtij automekaniku i bllokohet e gjithë hyrja e punëtorisë, pasi pikërisht në atë pjesë të rrugë e cila është në formë lugu, mblidhet gati gjithë uji i fshatit. Kjo ka bërë që Hajrizit për më shumë se një vit t’i dështojë puna në biznesin e tij me makina. “Prej se është ndërtuar kjo autostradë, unë ia pash sherrin. Më ka hup krejt puna”, thotë Hajrizi për Express.

Ai thotë se kur kjo rrugë ka nisur të asfaltohet, është gëzuar shumë, duke shpresuar se mund të ndikojë për mirë në biznesin e tij. Por, tash pasi punët kanë përfunduar, e ka parë që nuk ka përfituar asgjë përveç humbjes. “Çfarë pune është kjo, kur unë sapo fillon sezoni i shiut, çdo ditë i lutem Zotit që të ndalet. Krejt uji i katundit mblidhet bash para punëtorisë sime”, pohon ky automekanik.

Si për ironi, afër rrugës që ka mbetur në formë lugu ndodhen edhe katër puseta, por uji nuk shkon aty. Pavarësisht kësaj, Hajriz Obria thotë se nuk e ka ndërmend të ankohet askund për këtë problem. “Problemi im është diçka e dukshme. Besoj se dikush nga udhëheqësit tanë kalon këndej edhe e shohin rrugën në formë lugu ku mblidhet uji që shihet edhe prej aeroplanit”, thotë Hajrizi.

Pavarësisht se Hajrizi e di se ndonjë ditë uji i mbledhur mund t’ia shkatërrojë ato pak makina që dikush i dërgon për t’i rregulluar, ai nuk e ka ndërmend ta rregullojë asnjë milimetër të rrugës me paratë nga xhepi i tij. “E kam ndërtuar një mur afër magjistrales dhe më ka kushtuar një dreq e gjysmë. Kështu, si po humbi në biznes, nuk ma merr mendja se do të kem të holla për ta mbajt familjen e lëre t’i rregulloj defektet që i lë ministria”, shprehet ai.

Krejt ky grumbull i ujit ka ndodhur për shkak se ende nuk janë në funksion kanalizimet atmosferike, ndërsa punëkryesit nuk e kanë përfunduar vazhdimin e magjistrales nga Sllatina deri tek Orllati. Si pasojë e kësaj, në orët e vona të së martës, njëri shirit i autostradës, në drejtimin të Prishtinës, ka qenë i bllokuar për disa orë ku kanë intervenuar policia dhe zjarrfikësit e Drenasit.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Drenas, Sokol Krasniqi, ka thënë se ndonëse është nën menaxhimin dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës, ai ka angazhuar zjarrfikësit e Drenasit që i janë bashkuar edhe policia dhe pas disa orëve kanë arritur të largojnë ujin e grumbulluar në magjistralen Prishtinë –Pejë, afër vendit “Kroi i Mbretit”.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë, e cila është përgjegjëse për këtë rrugë, grumbullimi i ujit nuk është diçka për të cilën duhet shqetësuar. Sipas tyre, shirat ndodhin edhe në Amerikë. Por Lah Nitaj, këshilltar i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës, thotë se ky dikaster ka të kontraktuara kompanitë që merren me këto probleme të rrugëve. “Kompanitë janë kontaktuar nga ne dhe secila janë në segmentet e rrugës për të cilat ato kanë kontratë me Ministrinë”, sqaron Nitaj për Express. Edhe përkundër se në fshatin Korreticë të Epërme është shtruar edhe pjesa e fundit e asfaltit, Nitaj thotë se projekti akoma nuk është pranuar teknikisht. “Magjistralja Prishtinë- Pejë është projekt në finale, por nuk është finalizuar”, pohon ai.

Sidoqoftë, nuk është vetëm asfalti i ri i fshatit Korreticë të Epërme, aty ku jeton Hajrizi, që është ndërtuar qysh në fillim me defekte të dukshme. Situatë e njëjtë është në Prishtinë. Njëjtë sikurse në fshatin e Hajriz Obrisë, edhe në disa pjesë të kryeqytetit sa herë që bie shi, rruga që të shpie drejt qendrës, në dalje të Veternikut, duket sikur ndonjë lum artificial. Derisa këtë ujë ta pijë toka, rendit të makinave aty nuk i shihet fundi. Edhe pse e ka problemin e njëjtë me magjistralen Prishtinë- Pejë, për defektet e kësaj rruge është përgjegjëse Komuna e Prishtinës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›