E zhgënjen Suedia

Para disa viteve konsiderohej si ylli i ardhshëm i përfaqësueses së Suedisë dhe nga ekspertë të futbollit krahasohej me yllin e Milanit, Zlatan Ibrahimovicin. Por sot, Kosovare Asllani ka mbetur jashtë ekipit kombëtar.
Sulmuesja me prejardhje nga Mitorivicas nuk do të jetë pjesë e Kampionatit botëror për femra, i cili do të mbahet në Gjermani, gjatë kësaj vere, nga 26 qershori deri më 17 korrik.
Futbollistja kosovare është lënë anash nga selektori i përfaqësues së Suedisë, Thomas Dennerby, i cila e publikoi listën prej 21 futbollistesh të hënën. Ky lajmë e ka zhgënjyer tej mase sulmuesen e Linkopingut.
Ajo ka treguar se disa orë para se të publikohej lista, kishte pranuar një thirrje nga selektori Thomas Dennerby, i cili i kishte kumtuar lajmin se nuk e ka ftuar në skuadër.
“Jam aq shume zhgënjyer që nuk mundem të gjej fjalë për ta përshkruar. Kupa e Botës është ëndrra ime më e madhe, është shumë e vështirë të mos jesh atje”, ka thënë 21-vjeçarja për gazetën e përditshme suedeze Expressen.
Ish futbollistja e klubit amerikan Chicago Red Stars, thotë se ishte përgatitur mentalisht
për mundësin që mos të jetë pjesë e Suedisë në kampionatin Botëror për femra.
Sipas gazetës Expressen, Asllani gjithmonë ka qeshur gjatë intervistave derisa kësaj radha i kanë munguar vetëm lotët dhe e ka pasur shumë të vështirë t’i kontrolloj ndjenjat.
“Nuk di çfarë të them në këtë moment”, ka thënë ajo.
Në janar Asllani kishte pësuar një lëndim në kofsh në ndeshjen kundër Kanadasë. Ky lëndim iu është përsërit dhe i cili ia pamundësoi që të kthehet dhe ta gjej formën më të mirë për kampionatin Botëror.
“Kam hasur në vështirësi për ta rikthyer formën më të mirë të mundshme. Kam kaluar orë të tëra në palestër dhe kampe stërvitore, të gjitha këto për të qenë në Kampionatin botëror. Tash e shihi edhe vetë”, ka theksuar e zhgënjyer Asllani e cila në vitin 2007 ka debutuar me përfaqësuesen A të Suedisë.
Në anën tjetër, trajneri i ekipit suedez, Thomas Dennerby, ka bërë të ditur se konkurrenca e fortë në ekipin skandinav ka bërë që 21-vjeçarja të mbetet në shtëpi.
“I kemi parë shtatë ndeshje të Linkopingut, kështu që e kishim një pasqyrë të mirë të kësaj skuadre. Kemi biseduar me lojtaret që kanë mbetur jashtë. Kosovarja ka pasur një sezon të mirë, por në pranverë ka ngecur paksa. Ne po shkojmë në një kompeticion të nivelit të lartë, kështu që nuk mendoj se Kosovarja për momentin është në nivelin e Sofia Jakobsson, Linda Forsberg, që luajnë në atë pozitë. Kosovarja ishte e zhgënjyer, por ky është futbolli”, ka thënë Dennerby.
Në Botërorin 2011 të femrave do të marrë pjesë vetëm një futbolliste shqiptare. Ajo është sulmuesja kosovare, Fatmire Bajramaj, e cila e përfaqëson Gjermaninë.