Ajay Banga zgjidhet presidenti i ri i Bankës Botërore

Ajay Banga do të jetë presidenti i ri i Bankës Botërore për një mandat pesë vjeçar. Banga, 63 vjeç, u propozua për këtë post nga Presidenti i SHBA Joe Biden në fund të shkurtit dhe ishte pretenduesi i vetëm për të zëvendësuar shefin në largim të Bankës Botërore, David Malpass, një ekonomist dhe ish-zyrtar i Thesarit të SHBA-së, i cili shërbeu në administratën Trump.
Ai fillon punën e re më 2 qershor, raporton CNN.
“Vendimi erdhi me votim nga 24 anëtarë të bordit, me Rusinë që abstenoi, në vend të procesit të zakonshëm të bazuar në konsensus”, tha një burim i njohur me procesin.
Biden e përgëzoi Bangan për “miratimin e tij të fuqishëm” për të drejtuar Bankën Botërore, të cilën ai e përshkroi si “një nga institucionet më kritike të njerëzimit për të ulur varfërinë dhe për të zgjeruar prosperitetin në mbarë globin”.
“Ajay Banga do të jetë një lider transformues, duke sjellë ekspertizë, përvojë dhe inovacion në pozicionin e Presidentit të Bankës Botërorore. Ai do të ndihmojë në drejtimin e institucionit ndërsa ai evoluon dhe zgjerohet për të adresuar sfidat globale që ndikojnë drejtpërdrejt në misionin e tij kryesor të reduktimit të varfërisë përfshirë ndryshimin e klimës”, tha Biden.
Banka tashmë u jep qindra miliarda dollarë hua vendeve në zhvillim, por po punon për të rritur kreditimin e saj për t’i ndihmuar ato të adresojnë sfidat globale të mbivendosura, si ndryshimi i klimës, konflikti dhe përgatitja për pandemitë e ardhshme.
Banka Botërore është udhëhequr nga një amerikan që nga themelimi i saj në fund të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar është udhëhequr nga një evropian.
Banga, i cili ka lindur në Indi dhe e kaloi karrierën e tij të hershme atje, ka qenë shtetas amerikan që nga viti 2007.
/rtsh.al/