E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ajo cka fitojne shqiptaret, me hyrjen ne NATO"

INTERVISTA/ Ish-Presidenti i Republikes dhe kryetar i Shoqates se Atlantikut Verior, Alfred Moisiu, rrefehet per "Koha Jone" si e perjeton ai zyrtarizimin e anetaresimit. Flet per krizen ekonomike globale dhe per kujtimet qe po shkruan.

Me cfare po merreni aktualisht z. Moisiu?

Sigurisht qe nje njeri, qe eshte mesuar me pune nuk mund te rrije pa te. Une tani po merrem me shkrimin e kujtimeve te mija, pervec kesaj nga mesi i majit do te pergatis nje konference me ish-presidente dhe ish-kryeministra, si dhe presidentet aktuale, mbi temen e sigurise ne rajonin e Ballkanit. Po keshtu, kam mjaft takime me ambasadore, me perfaqesues te mediave qe vijne e kerkojne mendime te ndryshme etj.

Nuk eshte rasti i pare qe kujtimet tuaja botohen. Kur do te shohin driten kujtimet tuaja te fundit?

Po, volumi i pare, me rreth 300 faqe, qe nis qe nga koha e Zogut, permbledh kohen e pushtimit, te luftes, se clirimit dhe nje pjese te jetes sime ushtarake deri ne vitin '58, ka dale. Tani jam duke punuar per volumin e trete, qe flet per kohen kur une kam qene ne krye te shtetit, ne te ardhmen do te punoj gjithashtu edhe volumin e dyte. Mendoj se do te dale nga qershori, por nuk mund te them dot nje date te sigurt.

Duke qene se ju keni jetuar ne disa periudha, si e konsideroni recesionin ekonomik, qe besohet se ka prekur edhe Shqiperine. Cfare masash mendoni se duhet te marre qeveria?

Recesioni ekonomik nuk varet nga ne, ka karakter global, ku jane perfshire edhe vendet e medha, qe kane peshen kryesore ne prodhimin global. Pavaresisht se vendi yne nuk ka hyre teresisht ne hapesiren globale, por pjeserisht eshte prekur nga kriza. Degjojme qe kompani te ndryshme kane shkurtuar vendet e punes, po keshtu eksporti po bie, si dhe bie kerkesa per shtepi te reja, por kjo do te thote se duke bere qe te bjere kerkesa per cimento, hekur etj. Kjo do te thote qe bie punesimi dhe rrjedhimisht edhe zhvillimi. Sigurisht qe politika duhet ta kete parasysh e ta vleresoje situaten, sidomos ekzekutivi, ne menyre qe vendi te mos kapet i papergatitur, pavaresisht se kriza eshte si puna e dallgeve, qe fillojne ne mes te oqeanit e vijne ne breg te detit me vone. Edhe vendi yne, vertet eshte ne periferi, por nuk mund te rrije pa u prekur. Qeveria ka ekspertet dhe te dhenat e saj, qe thone vazhdimisht se ne duhet te jemi te kujdesshem, ndaj edhe une mendoj se ekzekutivi duhet te jete i kujdesshem. Sot pashe ne shtyp qe BE-ja, ka vendosur ne dispozicion nje sasi te hollash per Ballkanin Perendimor dhe njekohesisht ambasadori Lohan, ka thene qe do te monitorohen shpenzimet, pra ata e parashikojne krizen, keshtu edhe ne duhet te jemi gati per ta kaluar ate sa me lehte.

Kalojme ne nje tjeter argument. Kujtojme faktin se ju keni komunikuar edhe me Presidentin Topi, ne lidhje me statusin e ish-presidenteve. Cfare eshte bere ne kete drejtim?

Fatkeqesisht, nuk e ka vene njeri ujin ne zjarr, une e kam thene dhe e perseris qe kjo nuk eshte ceshtje e lehtesimit te punes se njerit apo tjetrit, por eshte nje pune qe ka te beje me respektin qe shteti vete, ka per personalitetet qe i kane sherbyer ketij vendi dhe qe duhet te vazhdojne t'i sherbejne. Shqiperia eshte i vetmi vend qe nuk e ka nje status te tille, kur komunikoj me ish-presidente te tjere, me mua komunikojne sekretaret e tyre. Dua te them qe nuk jemi ne nivele te barabarta, edhe kjo zyre qe ju shihni ketu, me eshte dhene provizorisht nga disa private, te cilet une gjej rastin t'i falenderoj.

Nje nga pikat me te nxehta gjate mandatit tuaj 5-vjecar, ka qene sigurisht zgjedhja e prokurorit. Cilat mendoni se do te jene disa nga pikat me te nxehta te Presidentit aktual, z. Bamir Topi?

Kete eshte e veshtire ta them une, sepse kushtet dhe situatat ndryshojne, une ka thene dikur nje shprehje qe "mesa duket, te jesh presidentet dhe prokurore, ne vendin tone eshte shume gje e veshtire, te mos them qe eshte nje funksion i nemur". Kjo ne kuptimin qe vazhdimisht krijohen veshtiresi ne permbushjen e ketij funksioni. Sipas meje kjo varet nga kultura ligjore, e cila ne vendin tone, edhe kultura e politikaneve nuk eshte ne nivelin qe duhet, duke pasur parasysh faktin se ne aspirojme per te hyre edhe ne Bashkimin Evropian.

Kemi qene deshmitare te marredhenieve te ftohta te Presidentit aktual me qeverine, edhe pse ai ka dale nga radhet e Partise Demokratike. Si e shpjegoni kete?

Nuk e di se c'ka ndodhur, sipas Kushtetutes, Presidenti perfaqeson unitetin e kombit dhe duhet te jete mbi palet. Vetvetiu, kjo e detyron qe ai te shkeputet nga origjina e tij. Edhe po te marrim si shembull shtetet qe kemi afer, Greqine, ku qeveria eshte e djathte dhe presidenti eshte i majte, ky i fundit manovron sipas te drejtave Kushtetuese qe ka. Te ne, President u be fillimisht Berisha, qe ishte nga partia ne fuqi, erdhi me pas Meidani, qe doli nga radhet e se majtes, e me pas e drejtova shtetin une, si nje President konsensual. Sipas mendimit tim, une jam perpjekur, qe si nje President konsensual, te jem mbi palet dhe te ruaj pozicionin neutral qe kerkonte Kushtetuta. Sigurisht qe pakenaqesi ka pasur edhe nga e majta edhe nga e djathta. Une mendoj se Presidenti Topi po ben perpjekjet e tij qe ta kryeje detyren e tij sa me mire me kushtet dhe mundesite qe ka.

A mund te quhet Shqiperia nje shtet i suksesshem, sidomos nga pikepamja e politikes?

Une them qe politika jone ka pasur uljet dhe ngritjet e saj, ka pasur vleresime te ndryshme nderkombetare dhe te brendshme, por vete fakti qe ne kemi 18 vjet ne tranzicion, kjo nuk eshte pozitive per te gjitha palet. Kur them te gjitha palet, nenkuptoj edhe te majten, ashtu sikurse edhe te djathten.

Argumenti kryesor i dites, eshte fakti qe Shqiperia anetaresohet ne NATO. A ishim ne gati per kete anetaresim?

Jane pranuar ne NATO edhe vende diktatoriale, p.sh. Spanja nen regjimin e Frankos, Turqia dhe Greqia, qe ishin gati per t'u perplasur njera me tjetren. Kane qene pranime te diktuara nga faktoret. Diku me shume e diku me pak, por Shqiperia ka punuar. Te themi te drejten, e meritonte kete anetaresim dhe kete duhet ta pranojme te gjithe. Aq me teper kete e pranoj une qe kam qene kryetar i Shoqates se Atlantikut dhe kam punuar qe ne vitin '84, pa folur per kohen kur kam qene kryetar i shtetit, kohe ne te cilen kam qene i angazhuar teresisht ne kete ceshtje. Do te ishte gabim ama, qe kjo t'i atribuohej njeres apo tjetres pale, aq me teper individeve te ndryshem. Ky eshte kontributi i te gjitheve, politikaneve, ushtarakeve, qe kane vene nga nje tulle ne pjesen qe i takonte. Sigurisht qe nje force te caktuar politike, do t'i takonte ta mbyllte kete zhvillim apo nisme. Nuk me vjen mire te degjoj perplasje te politikes sone, ne nje dite qe eshte e gezueshme. Do te ishte mungese realizmi, nga kushdo qofte, qe nuk pranon se ky eshte nje kontribut i gjithe shqiptareve.

Ne c'raport qendrojne perparesite dhe detyrimet e anetaresimit ne NATO per vendin tone?

Kombi shqiptar do te kete nje imazh tjeter tani, sepse kemi hyre nen ombrellen e NATO-s. Per kete, duhet te plotesojme disa kushte, disa prej te cilave jane permbushur e te tjera do permbushen ne vazhdimesi. Tashme jemi nje vend krejt i sigurt dhe qytetaret shqiptare, qofte brenda apo jashte vendit, do te kene nje tjeter ndjenje, jo te statusit personal, sepse kjo do kohe, deri ne anetaresimin ne BE, por do te kene nje status moral tjeter. Sigurisht qe kjo nuk u arrit ne nje dite. Qe me '92 qeveria aplikoi per partneritetin per paqe, me vone u hodhen hapa te ndryshem. Me '95 une dhe Starova kemi qene ne komitetin politik te NATO-s dhe kemi paraqitur atje programin e partneritetit per paqen per Shqiperine, ndersa ngjarjet e '97 shenuan sprapsje nga keto arritje dhe na detyruan ta fillojme nga e para. Por, gjithmone NATO-ja na ka pasur ne vemendje, sepse shume arsye kane bere qe vendi yne duhet te ishte pjese e NATO-s. Ne nentor te vitit 2002, ne samitin e NATO-s ne Prage, jemi takuar me Presidentin Mesic te Kroacise, me Presidentin e Maqedonise, Trajkovski, me te cilet rame dakord per te punuar karten e Adriatikut 3, te mbeshtetur nga SHBA dhe presidenti BUSH, qe na siguroi se dera e NATO-s ishte per ne e hapur. Me pas, ne shkurt 2003, ne Tirane u takuan 3 presidentet, ku ishte edhe ambasadori i SHBA-se ne Tirane, Jeffrey dhe ne maj te po atij viti u nenshkrua nga ministrat e jashtem te tre vendeve dhe nga Sekretari i Shtetit Pauell. Tre vendet sinkronizuan punen e tyre, per te arritur standardet e tyre. Integrimi ne NATO ka dy shtylla: ate ushtarake dhe ate politike. Duhet thene hapur se ushtaraket punuan mire. Sa i perket shtylles politike, ajo ka pasur zig-zaget e veta. Shpresoj qe edhe pse nuk i kemi plotesuar sa duhet kriteret e ketij anetaresimi, i takon politikaneve qe te mos flene, por te jene shume te kujdesshem, sidomos persa i perket zgjedhjeve te qershorit, qe jane tregues serioz per vendin, qe dot e percaktojne te ardhmen per integrimin ne BE.

Ju jeni shprehur per nevoje rotacioni, ne zgjedhjet e qershorit. Perse?

Une gjykoj se te ne, eshte mire qe te mos rrije asnje force politike me shume se kater vjet ne pushtet. Rotacion nenkupton jo thjesht nderrimin e forcave politike, por edhe rotacion ne kuptimin e drejtimit te politikes dhe te shtetit. Mendoj se politika shqiptare ka shume gjera per te bere, sidomos sa i perket reformes ne drejtesi, per te cilen flasin te gjithe, por pak behet. Drejtesia eshte baza e demokracise. Akoma ne kemi reminishenca te se kaluares, te partise ne pushtet dhe te liderit, njeshit. Ndaj duhet ndryshuar, jo vetem ta themi me fjale, por edhe ta pranojme ate. Dua te shtoj se keto zgjedhje jane shume te rendesishme. Ne beme nje rotacion paqesor ne vitin 2005 dhe duhet te bejme zgjedhje te ndershme dhe te pakontestueshme. Deri tani jemi i vetmi vend qe nuk kemi pasur zgjedhje te pakontestuara. Duhet te degjojme me shume keshillat e nderkombetareve, sepse jemi ne qe po kerkojme te hyjme ne shtepine e tyre, ndaj mendoj se duhet te jemi shume te kujdesshem ne zbatimin e te gjitha kushteve dhe kerkesave. E perseris, keto zgjedhje ose do te na cojne perpara, ose do te na kthejne pas.

Ne nje interviste per "KJ", pak kohe me pare, vajza juaj, Rubena Moisiu, tha se do ta konsideronte pjesemarrjen e saj ne politike. Ju si e vleresoni kete iniciative?

Eshte ceshtje e saj, une nuk ndikoj te zgjedhjet e saja personale. Jam i mendimit se cdo njeri e zgjedh vete, kohen e perfshirjes ne politike. Nuk mund te them as se do te me pelqente, e as se nuk do me pelqente.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›