E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo që mbetet nga erosi

Ekzistojnë shumë mënyra për ta definuar erotizmin, por, ndoshta, më e përvetësuara është »disanimalizim« i dashurisë fizike: shndërrimi i tij nga kënaqja e pastër e një pulsoni instinktiv në diçka kreative dhe të bashkëndarë që e zgjat dhe e sublimon kënaqësinë fizike duke e stolisur me rituale dhe finesa që arrijnë ta bëjnë të jetë një vepër arti. Me gjasë në asnjë aktivitet tjetër nuk është, dora-dorës, ravijëzuar një kufi kaq evident mes kafshërores dhe njerëzores si në fushën e seksit: një diferencë që, në nismë, në natën e kohëve, nuk ekzistonte dhe i përziente të dy caqet në një çiftëzim mishëror pa mister, pa takt, pa elegancë dhe pa dashuri.

Njerizimi i jetës së burrave dhe grave është një proces i gjatë në të cilin ndërhyjnë evolucioni i njohjeve shkencore, idetë filozofike e religjioze, zhvillimi i arteve e letrave dhe, në këtë rrugëtim, asgjë nuk pasurohet dhe ndryshon aq sa jeta seksuale. Ajo ka qenë prore tharmi i zjarrtë i kreacionit artistik e letrar dhe, si kundërshpërblim, piktura, letërsia, muzika, skulptura, vallëzimi, të gjitha manifestimet e inventives njerëzore kanë dhënë ndihmën e tyre në pasurimin e kënaqësisë në sjelljen seksuale. Prandaj nuk është e çuditshme të pohojmë se erotizmi paraqet një moment të lartë të qytetërimit dhe njërin nga komponentët e tij fondamental. E është edhe diçka që i bën të kthehen në sipërfaqe ato fantazmat shkretuese e vdekjeprurëse të fshehura në sferën irracionale. Freud-i ka folur, përkitazi me këtë, për »vokacionin tanatik«: të lënë në vetvete të pa frenuar, përbindëshat e tillë të pavetëdijes, që nxjerrin kokën dhe pretendojnë të kenë të drejtën e nënshtetësisë në jetën seksuale, do të mund të çonin në njëfarë mënyre në zhdukjen e species. Për këtë erotizmi gjen, te ndalimi, jo vetëm një stimul eksitus, por edhe një limit që, nëse ndalohet, shkakton vuajtjen dhe vdekjen.

Askush me shumë se Georges Bataille nuk e ka studiuar me luciditet këtë aspekt të dyfishtë të erotizmit jetën dhe vdekjen, dhimbjen dhe kënaqësinë, krijimin dhe shkatërrimin dhe, prandaj, ka bërë mirë Guillermo Solana që i ka dhënë ekspozitës së drejtuar nga ai, në Muzeun Thyssen Bornemisza të Madridit, po atë titull që eseisti francez i ka dhënë librit të tij të fundit të shkruar para se të vdiste: Lotët e Erosit. Bëhet fjalë për një përmbledhje të shkëlqyeshme që, përmes 120 kuadrosh, skulpturash, fotografish e videosh, ilustron varietetin e temave dhe shkëlqimin formal, të prekura nga përvoja seksuale në shprehjet e saj artistike më domethënëse.

Njëri prej mësimeve më befasues i kësaj ekspozite është se erotizmi nuk është aq një fakt në vete, një entitet i izoluar në krahasim me të tjerat, por, më tepër, një shikim, një zgjedhje subjektive, një pasion ose një mani që projektohen mbi gjithçka duke i erotizuar, nganjëherë, edhe realitetet që dukej të ishin krejtësisht të huaja, apo tamam të kundërta, si religjioni.

Është e natyrshme dhe pothuajse e obligueshme që antikiteti pagan, me amoralizmin e tij, të ketë qenë frymëzues pjellor i pikturave dhe skulpturave erotike ka qenë edhe letërsia dhe që tema si Lindja e Venerës, Sfinkset, Apoli e Xhaçinto, Andromeda e magjepsur e Endimioni i përgjumur ti kenë nxitur artistët e mëdhenj të krijojnë vepra mjeshtërore. Por hiç më pak stimuluese për fantazinë erotike nuk ka qenë krishterimi, nga Eva dhe Gjarpri temë e pranishme te qindra piktorë deri te Maddalena, mëkatarja e penduar dhe pendestare, format nudo, emfatike e gotike, të të cilit janë ikona të imagjinimit erotik në të gjitha epokat e për të gjitha shkollat.

Religjioni është bërë si karficë për ta bllokuar fluturimin e kreativitetit e edhe si alibi për ta mbështjellë censurën ekleziastike. Nëse shfaqja e trupave lakuriq të meshkujve dhe femrave të zakonshëm në emër të bukurisë në vetvete ishte e censurueshme, nuk ishte, përkundër, nëse kush i shfaqte gjinjtë, kofshët, mollaqet, e bile edhe qimet e mbivetes dhe organet seksuale, ishin bash Shpëtimtari, apo një shenjtore ose një shenjtor. Ata që kanë përfituar nga kjo strategji për ti mbushur afresket dhe pëlhurat e tyre me nudo me epsh të mjaftueshëm ose të pacipë, kanë qenë piktorë të respektuar nga estabilishmenti dhe hierarkia, si Rubens, Ingres, Rodin apo Doré.

Ka edhe një konkludim tjetër të çuditshëm deri diku edhe deprimues që rrjedh nga ekspozita Lotët e Erosit dhe veç ishte profetizuar edhe nga Bataille. Zhdukja e frenave dhe censurave, lejimi total në fushën dashurore, në vend se të pasurojë dashurinë fizike dhe ta çojë në nivele superiore të elegancës, finesës dhe kreativitetit, e banalizon, e bën vulgare dhe, disi, e kthen mbrapa, në ato kohërat e lashta stëgjyshërore kur ishte vetëm shfryrje e një instinkti kafshëror. Dëshmi e kësaj është varfëria e jashtëzakonshme e artit erotik bashkëkohor që Guillermo Solano, pavarësisht mundimeve të tij në seleksionimin e veprave për ekspozitën, ska mundur ta fshehë. Është e vërtetë se një Picasso apo një Delvoux çojnë lart bukur mirë nivelin mesatar, por pjesa më e madhe e pikturave, videove dhe skulpturave të artistëve modernë të ekspozuara aty kanë një varfëri rënduese imagjinative, që të mos themi se janë thjesht një idiotësi e trishtë. Të kalosh nga Endimioni i përgjumur i Antonio Canova te videoja e Davidit e Sam Taylor-Wood, në të cilën e shohim futbollistin David Robert Joseph Beckham teksa fle i lum i kthyer në krahun e djathtë, nuk është vetëm një »antiklimaks«, por një kërcim dialektik nga arti i vërtetë në artin e mutaft (apo thjesht në një budallallëk të hamamtë).

Ky poshtërim e ky degradim i erotizmit i ditëve tona është, paradoksalisht, pasojë e fitimeve të mëdha të lirisë të eksperimentuara nga bota perëndimore: lejimi (permissivismo) seksual, toleranca ndaj praktikave dhe fantazive që, dikur, ishin damkuar nga refuzimi i moralit mbizotërues, të ndëshkuara nga shoqëria dhe të sanksionuara nga ligji. Me tu zhdukur ndalesa është zhdukur edhe shkelja, ajo aurë e kuturisur, përshtypja e dhunimit të një tabuje, e mëkatimit që, në të kaluarën, u jepte shije praktikave të erotizmit dhe që kështu ka stimuluar krijimtarinë letrare e artistike. Në eksperiencën e përbashkët të njerëzve, fakti se jeta seksuale ka kaluar nga klandestiniteti i një kohe në sheshin publik (ose pak më pak) dhe që, sot, »erotizmi« është një nga përbërësit kryesorë i reklamës komerciale (»Eva me gjarpër«, fotografuar nga Richard Avedon-i, me Nastassja Kinski dhe bollën constricor që e përqafon, është një shembull i asaj që dua të them) dhe shpalljeve ekonomike të gazetave të publikuara nga prostitutat për ti tërhequr klientët, do të thotë thjesht se erotizmi tashmë nuk ekziston, se është bërë karikaturë dhe fantazmë e asaj që ishte.

Është një e mirë apo një e keqe? Në terma shoqërorë, pa dyshim se është një e mirë. Jetëgjatësia e paragjykimeve, ndalesave dhe censurave ka bartur me vete agresione, abuzime, diskriminime dhe vuajtje për shumë veta (në këtë rast, para se gjithash, për femrat dhe pakicat seksuale). Por nga pikëpamja e arteve dhe letërsisë ka dashur të thotë se kënaqësia fizike është bërë një temë e shpëlarë dhe konvencionale, si peizazhi, portreti, bregdeti dhe himnet patriotike. Tashmë të bësh dashuri nuk është më art. Është një sport pa rreziqe, si të vraposh mbi tapis ruolant në palestër apo si tiu japësh pedaleve mbi cyclette.

(El Pais, La Stampa)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›