E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia britanike e Mbrojtjes: Në Shqipëri ligjin e bën Argita

Nga Armand Maho

Një raport i Akademisë së Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar del në përfundimin se zgjedhjet e këtij viti janë të rrezikuara, jo vetëm për shkak të problemeve teknike, por dhe për shkak se mazhoranca mund të tentojë manipulimin e tyre.

Raporti i përgatitur nga James Pettifer thekson se është e nevojshme që ndërkombëtarët të përqendrojnë vëmendjen e tyre te media, e cila do jetë një gardian ndaj manipulimeve zgjedhore.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në qershor 2009 dhe duhen pritur tensione politike dhe sociale. Me pak fat dhe me shmangien e krizës ekonomike, Partia Demokratike mund të mbetet në pushtet, por rezultati do jetë shumë i ngushtë. Rreziqet janë të mëdha dhe vëzhgimi ndërkombëtar për ndershmërinë e zgjedhjeve është një çështje e rëndësishme. Vëmendje e veçantë nga ndërkombëtarët kërkohet në mbrojtjen e medies relativisht të lirë nga presionet, si një barrierë kundër manipulimeve të mëdha elektorale”, - thekson Petiffer në raport.

Por, një konstatim i rëndë bëhet për qeverisjen e kryeministrit. Sipas raportit, është vajza e kryeministrit ajo që bën emërimet në poste kyçe dhe se qeverisja është nepotike.

“Zhvillimi i institucioneve të shtetit post-komunist ka qenë i ngadaltë në Shqipëri, dhe vazhdon të jetë kështu. Anëtarët e familjes së zgjeruar të Berishës, që nuk janë zgjedhur, kanë pushtuar poste me influencë, veçanërisht vajza e tij, dhe nepotizmi është një problem serioz. Ka të dhëna në rritje për përpjekje të forta për të mbytur zërin e kriticizmit të brendshëm, ndërkohë që afrohet periudha parazgjedhore, megjithatë tani është më e vështirë se më përpara për çdo qeveri të Tiranës, për shkak të diversitetit në media dhe përmirësimit të institucioneve të shoqërisë civile”, - thuhet në raport.

Përfundime të rënda dalin në raport edhe për ekonominë shqiptare nën drejtimin e Berishës.

“Qeveria Berisha po përballet me probleme serioze, dhe ekonomia po shfaq shenja serioze lodhjeje. Reformat e kërkuara për të ecur drejt anëtarësimit në BE, janë ngadalësuar dhe progresi i shpejtë në këtë drejtim është në dyshim.

Problemet kryesore që prekin jetën e përditshme të një shqiptari mestar, nuk janë cekur shumë nga qeveria Berisha. Ka mungesa në ujë, energji, probleme me transportin dhe strehimin, dhe dhjetëra probleme me infrastrukturën”, - thuhet në raport.

Akademia britanike e Mbrojtjes është një institucion i rëndësishëm që përgatit të dhëna në lidhje me shumë politika që pasojnë në këtë vend.

Zgjedhjet


Qeveria e kryeministrit, Sali Berisha, në Tiranë po i afrohet fundit të mandatit me zgjedhjet parlamentare në mesin e verës 2009. Ka të dhëna se qeveria dëshiron të shtyjë zgjedhjet, për shkak të problemeve me regjistrin elektoral dhe dokumentet e identitetit. Kjo pritet të kundërshtohet nga opozita.

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në qershor 2009 dhe duhen pritur tensione politike dhe sociale.

Me pak fat dhe me shmangien e krizës ekonomike, Partia Demokratike mund të mbetet në pushtet, por rezultati do jetë shumë i ngushtë.

Rreziqet janë të mëdha dhe vëzhgimi ndërkombëtar për ndershmërinë e zgjedhjeve është një çështje e rëndësishme.

Vëmendje e veçantë nga ndërkombëtarët kërkohet në mbrojtjen e medies relativisht të lirë nga presionet, si një barrierë kundër manipulimeve të mëdha elektorale.

Qeverisja


Mbetet një qeveri me vendimmarrje thellësisht të personalizuar, me shumicën e vendimeve të përqendruara në zyrën e kryeministrit, dhe një numër thelbësor bashkëpunëtorësh nga sfondi politik, kryesisht nga veriu, që ishte i dukshëm në vitet 1992-‘97.

Zhvillimi i institucioneve të shtetit post-komunist ka qenë i ngadaltë në Shqipëri, dhe vazhdon të jetë kështu. Anëtarët e familjes së zgjeruar të Berishës, që nuk janë zgjedhur, kanë pushtuar poste me influencë, veçanërisht vajza e tij, dhe nepotizmi është një problem serioz.

Ka të dhëna në rritje për përpjekje të forta për të mbytur zërin e kriticizmit të brendshëm, ndërkohë që afrohet periudha parazgjedhore, megjithatë tani është më e vështirë se më përpara për çdo qeveri të Tiranës, për shkak të diversitetit në media dhe përmirësimit të institucioneve të shoqërisë civile.



Ekonomia


Qeveria Berisha po përballet me probleme serioze, dhe ekonomia po shfaq shenja serioze lodhjeje. Reformat e kërkuara për të ecur drejt anëtarësimit në BE janë ngadalësuar dhe progresi i shpejtë në këtë drejtim është në dyshim.

Problemet kryesore që prekin jetën e përditshme të një shqiptari mestar, nuk janë cekur shumë nga qeveria Berisha. Ka mungesa në ujë, energji, probleme me transportin dhe strehimin, dhe dhjetëra probleme me infrastrukturën.

Edukimi publik dhe sistemi shëndetësor janë në vështirësi, çka ka sjellë dhe rritjen e shumë institucioneve private, të standardeve shumë të ndryshme. Korrupsioni është endemik dhe është e nevojshme që të paguhet për shumë shërbime që teknikisht supozohet të jenë pa pagesë.

G99: Realiteti i Berishës, ndryshe nga realiteti që shohin të huajt

Në lidhje me raportin e Akademisë britanike ka reaguar dhe lëvizja G99. Në një deklaratë të tyre theksohet se realiteti që shet kryeministri nuk është si realiteti që shohin ndërkombëtarët. “Polemikat e fundit mes kryeministrit Berisha dhe ndërkombëtarëve mbi tendencat autoritariste të qeverisjes së Shqipërisë po iu konfirmojnë shqiptarëve se kryeministri i vendit po dështon për të qeverisur vendin sipas kritereve të domosdoshme demokratike për integrimin tonë euroatlantik. Raporti i Akademisë së Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, publikuar në fund të dhjetorit që sapo kaloi, nënvizon qartazi opinion ndërkombëtar se Berisha jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po investon gjithçka për të kontrolluar institucionet e vendit, zgjeruar nepotizmin, e përqendruar pushtetin ekonomik, duke cenuar kështu parimet demokratike të qeverisjes.

Është e qartë se problemet kryesore që kushtëzojnë jetën e çdo shqiptari nuk janë përmirësuar aspak gjatë mandatit qeverisës së Berishës. Përkundrazi, edhe në këtë vit të 18 të tranzicionit të stërmundimshëm shqiptar, do vazhdojmë të ndeshemi me problemet e ujit e dritave, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës etj. Edhe këtë vit do të shohim pensionistë që nuk arrijnë të mbyllin muajin, mësues të revoltuar për rrogat, pronarë të pakompensuar, studentë të edukuar në kushtet e një arsimi aspak modern, minatorë të harruar në galeritë e Veriut, e shumë të tjerë, viktima të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë qeverisëse.

Është e qartë, edhe në sajë të këtij raporti, se realiteti në sytë e ndërkombëtarëve të pavarur është krejt ndryshe nga ai që na shet kryeministri me premtime boshe. Mbetet shqetësues fakti se reformat e munguara dhe marrëdhëniet gjithnjë e me konfliktuale të Berishës me ndërkombëtarët po cenojnë rëndë imazhin e Shqipërisë si pro-evropiane dhe ecurinë e integrimit të vendit tonë në BE”, - tha Olta Xhaçka, një nga drejtueset e kësaj lëvizjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›