Poliçan, Oketa shmang mediat, dhunë mbi gazetarin e “Vizion Plus”
Vetëm 24-orë pas tragjedisë në njërin prej poligoneve brenda ambienteve të Kombinatit Mekanik, Poliçan, ku pas shpërthimit të një djegoreje humbi jetën punëtorja 45-vjeçare, Suzana Kapxhiu, dhe u plagosën dy punëtorë të tjerë, rreth orës 10:00 të ditës së djeshme ka mbërritur në këtë qytet për t’u njohur me situatën dhe për të ngushëlluar familjen e të ndjerës Suzana Kapxhiu, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa.
Pas ngushëllimit në familjen Kapxhiu, ministri Oketa ka ndaluar në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, por në këtë vizitë, në ambientet ku ndodhi ngjarja e rëndë, është lejuar të hyjë vetëm një person me logon e televizionit “Klan”, i cili ndodhej në njërën prej makinave që shoqëronte eskortën e ministrit Oketa, ndërkohë që jo vetëm që nuk është lejuar asnjëra prej medieve tjera për t’u futur brenda ambienteve të uzinës, por ndaj tyre dhe sidomos ndaj televizionit “Vizion Plus” janë përdorur fjalë fyese si: “Ju jeni televizion i ndyrë, ju nuk jepni të vërtetën, ju kritikoni qeverinë” etj. E gjitha kjo ka ardhur nga një militant i PD, i cili brenda ambienteve të uzinës prej disa vitesh ka marrë një lokal me qira dhe që ka dalë prej andej, kur ka parë logon e televizionit “Vizion Plus”. Lejimi i një kameramani të vetëm, atij të TV “Klan”, ka sjellë reagimin e gazetarëve të tjerë, të cilët kanë kërkuar të hyjnë në ambientet e uzinës, por kërkesa e tyre është përcjellë me fyerje dhe ironi nga oficerët e shërbimit, ndërkohë që një civil, i cili është pronari i lokalit të marrë me qira brenda ambienteve të uzinës, ka fyer televizionin “Vizion Plus” dhe ka ushtruar dhunë mbi gazetarët brenda ambienteve të uzinës në prani të oficerëve të shërbimit që vazhdonin të bënin sehirxhiun. Atë që duhet ta bënin oficerët e shërbimit, e ka bërë njëri prej përfaqësuesve të sindikatës të uzinës, i cili i ka kërkuar pronarit që të futet në lokal dhe mos të fyejë dhe kërcënojë gazetarët.
“Ministria mashtron, aty demontoheshin djegore në kundërshtim me rregulloren”
Ndonëse Ministria e Mbrojtjes e ka cilësuar incidentin e ndodhur mëngjesin e dy ditëve më parë në Kombinatin Mekanik, Poliçan si një gabim njerëzor, duke pohuar zyrtarisht se në këtë kombinat nuk ka filluar procesi i demontimit të djegoreve, kryetari i sindikatës së pavarur të punëtorëve të kësaj uzine, njëkohësisht ish-përgjegjës i sigurimit teknik, z. Fatos Mançe, ka pohuar për gazetën se në atë poligon është punuar rregullisht, pa asnjë ditë ndërprerje për çmontimin e djegoreve edhe me dy punëtorë të vetëm, gjë që nuk lejohet, sipas rregullores. Sipas Mançes, në atë poligon me rrezikshmëri të lartë dhe me precedent marrje jete, duhet të punonin të gjithë ata specialistë që kanë vite që merren me prodhimin, montimin dhe mbylljen e djegoreve. Mançe ka theksuar se ngjarja e ndodhur në këtë kombinat lidhet drejtpërdrejt me papërgjegjshmërinë e drejtuesve të saj, pasi edhe ushtarët dhe administrata nuk komandohen nga Ministria e Mbrojtjes, por komandohen nga civilë, dhe kjo është edhe arsyeja që të gjithë sot folën me gazetarët me gjuhën e forcës. Mançe ka pohuar se gjatë viteve 2004-2007 ai ka qenë përgjegjës i sigurimit teknik në këtë kombinat dhe gjatë çmontimeve në këtë periudhë 3-vjeçare nuk ka ndodhur asnjë incident. Mançe bën përgjegjës për ngjarjen e ndodhur drejtorin e kombinatit, z. Myqerem Xhaferri, i cili pas vitit 2007 nxori në pension të parakohshëm të gjithë specialistët dhe mbajti në punë militantët e partisë së tij, punëtorë që nuk janë të profilizuar për këto lloj demontimesh.
“Më vjen shumë keq që drejtori i ujësjellësit që është akuzuar nëpër gazeta për helmim uji në qytetin e Poliçanit gjatë shpërthimit të epidemisë së dizenterisë, vihet drejtor kombinati dhe përfundon me një vrasje tragjike në qytetin e Poliçanit”, - ka thënë Mançe.
“Ngjarja duhet të ketë përgjegjësit e saj”
Një tjetër punëtor i vjetër i kësaj uzine ka pohuar se ngjarja e ndodhur nuk mund të kalohet pa nxjerrë përgjegjësit e saj, duke filluar nga drejtoria e deri te përgjegjësit e sigurimit teknik. Ai është shprehur se janë flakur në rrugë të gjithë specialistët e vjetër të kësaj uzine, të cilët janë zëvendësuar me punonjës të paspecializuar, ku e vetmja vlerë e tyre është se janë militantë partiakë.
“Drejtori i uzinës, përgjegjës për tragjedinë, kemi kërkuar prej kohësh largimin e tij”
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Mbrojtjes dhe Rendit të Shqipërisë, z. Vladimir Guri, është shprehur për gazetën se ngjarja e rëndë që ka ndodhur mëngjesin e ditës së pardjeshme në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, ka vetëm një përgjegjës dhe ai është drejtori i këtij kombinati. “Ne, si sindikatë, - ka thënë Guri, - duke e ditur se çfarë drejtori ishte vendosur në krye të kombinatit, i jemi drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Mbrojtjes 2 muaj më parë, duke kërkuar largimin e drejtorit, Myqerem Xhaferri, por kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.”
Sipas Gurit, shkaku i tragjedisë së ndodhur është mungesa e sigurisë teknike, sepse në një uzinë ushtarake nuk lejohet rreptësisht të ndizet cigare e jo më të ndizet zjarr brenda ambienteve të saj dhe kjo tragjedi duhet të ketë patjetër përgjegjësit e saj. Guri ka pohuar se menjëherë pas kësaj tragjedie, drejtori i Kombinatit Mekanik të Poliçanit duhet të kishte dhënë dorëheqjen, ndërkohë që organi i drejtësisë duhet të hetojë përgjegjësit e kësaj ngjarjeje tragjike.
PS: Ndërsa tragjedia godiste, Berisha dhe Bode talleshin me rritjen ekonomike
Partia Socialiste deklaroi dje se pasiguria kronike në këtë shtet i mori jetën një fatkeqeje, ndërsa kryeministri dhe ministri i Financave talleshin me një skeç banal në lidhje me rritjen ekonomike.
“Dje, lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë që rritet përditë, vrau një grua të pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike. Të dy gënjenin!
Dje, një nënë la pas dy fëmijë jetimë në një familje të këputur nga skamja në qytetin e varfër të Poliçanit, ku nuk mbërriti asnjë ngushëllim nga qeveria, së cilës për shkak të mungesës së çdo kushti sigurie iu vra një punonjëse e ndershme.
Kryeministri dhe ministri i Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që iu kanë mbetur duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu, si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së PS, Mimi Kodheli.
Meta: Duhen forcuar masat e sigurisë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga Poliçani, ku ishte i pranishëm në ceremoninë e varrimit të Suzana Kapxhiut, gruas që humbi jetën në mënyrë tragjike nga shpërthimi i një predhe në uzinën e municioneve në Poliçan, kërkoi forcim të masave të sigurisë nga autoritetet shtetërore. “Duhen forcuar masat e sigurisë”, - është shprehur kryetari i LSI, Ilir Meta, ndërsa ka shprehur keqardhjen e tij për pasojat e rënda të shpërthimit të ndodhur vetëm një ditë më parë në uzinën e municioneve në Poliçan.
Shfaqet Mediu, kritikon Topin pas ngjarjes së Poliçanit
Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes për më shumë se 2 vjet e gjysmë, thyen heshtjen në lidhje me çështjen e municioneve.
Zoti Mediu dha dorëheqjen pas shpërthimit të Gërdecit dhe aktualisht është person në hetim nga prokuroria.
Pa dashur të japë një vlerësim të veçantë për shpërthimin e Poliçanit, duke thënë se nuk ka dijeni të plotë për kushtet dhe rrethanat në të cilat ai ndodhi, ish-ministri Mediu e ka për zemër të theksojë se çështja e armatim-municioneve prek direkt sigurinë kombëtare.
“Meqenëse është çështje kombëtare, kërkon një mirëkuptim politik, një veprim institucional. Nuk ka pasur një plan konkret veprimi”, - shprehet Mediu, i cili kritikon kreun e shtetit se nuk ka mbledhur ende Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Presidenti duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë, duke përfshirë në të faktorin politik, prokurorinë, SHIU-n dhe SHIK-un. Të gjitha organet duhet të dalin me një plan veprimi”, - pohon Mediu.
Sipas tij, shmangia e tragjedive që mund të ndodhin nga demontimi i municioneve ushtarake kërkon një veprim të koordinuar dhe jo vetëm veprime nga qeveria.
“Ekzekutivi është ai që vendos, por nuk varet vetëm nga ai. Duhen rreth 35 milionë për të demontuar. Por duhet pasur vëmendje që tragjedi si e Gërdecit të mos ndodhin. Nuk duhet lënë gjithçka në dorë të një ministri dhe një qeverie”, - nënvizon Mediu.
Ai e cilëson çështjen e demontimit të municioneve ushtarake si një nga përparësitë kryesore të shtetit.
“Nëse flasim se kemi problem nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, kjo është gjendja e armatimit të municionit. Këtë e kanë deklaruar ushtarakë shqiptarë e të huaj. Municionet ushtarake përbëjnë një kërcënim të madh dhe demontimi është një prioritet absolut”, - shton Mediu.
TCH