Flamuri sqaron rritjen ekonomike dhe ndryshimin e shifrave
Antena brenda familjes
Gazetari që merret me Antenën ngeli i shushatur nga kakofonia e shifrave të rritjes ekonomike dhe s’dinte kë të besonte si me afër së vërtetës.
Dyshifrorja e kryeministrit iu duk një palaçollëk dhe e hodhi tutje. 9,9 përqindëshi iu duk si ato çmimet e veshjeve sezonale që shënojnë 999 dhe jo 1000 në çmim, edhe pse dihet se s’ka lekë për kusur aq të vogël, Ridvani thoshte 7%, FMN 6%.
- Eh, bela e madhe në këtë Shqipërinë tonë, s’e gjen dot kollaj të vërtetën, - tha.
Vendosi që për t’u iluminuar sadopak t’i drejtohet si gjithnjë mikut të Antenës, Flamur Nokës ose Feimit, siç i thërrasin së fundi, për shkak se e ka ndryshuar emrin, kur ka ra poshtë nga fshati.
- E di ç’ke ti, - i tha Flamuri. - Me makinë je, hidhu këtej nga lagjja ime, se unë s’kam dalë në punë, se jam pak me grip, jam ftohur në Maçedoni, kur bëra Vitin e Ri.
Zbritën poshtë në klubin afër shtëpisë dhe gazetari e pyeti si ishte kjo puna e shifrës së rritjes ekonomike.
- Mixhë, mos e vra mendjen aq shumë. Po kush e merr vesh të vërtetën se sa jemi rritur. E rëndësishme është që jemi rritur dhe Shqipëria po ndryshon …
- Mirë, mirë, e di që po ndryshon, po shifra e vërtetë më duhet…
- Po ku ka shifër të vërtetë?! Ajo që thotë ai burri duhet marrë si e vërtetë…
Gazetarit s’po ia rrokte kandari këtë logjikën e Flamurit.
- Ja ta them unë se si e nxori shifrën ai burri, që të bindesh.
Më thirri mua në zyrë dhe më tha: “Flamur, si thua ti, sa ta shpallim rritjen ekonomike?”
- E bëjmë 50 %, i thashë.
- Jo, është shumë dhe na thonë gënjeni.
- E bëjmë 25 %, i thashë.
- Prapë shumë është.
- Epo, pa bisht fare s’do ta lëmë, se ne po rritemi vërtet.
- Dëgjo këtu, ke një makinë llogaritëse?
- Jo, i thashë, po i bëjmë me celular, se ka kalkulatriçe.
Seç bëri ca shumëzime e ca pjesëtime me celularin tim dhe në fund më tha: “Ta caktojmë 9,9 %, është dyshifrore”.
- Po dyshifrore është mbi 10?
- Pse, dy nëntat s’të pëlqejnë ty? Merre këtë dhe shpërndaje, jepja dhe Institutit të Statistikave të deklarojë sikur e ka bërë ai vetë llogaritjen.
- Po jemi që jemi, s’humbasim gjë sikur ta deklaronim 15 %?
- Jo, jo, duhet me presje dhjetore, se duket sikur i kemi llogaritë një më një dhe duket më e besueshme.
- Ja o mixhë, kjo qe shifra që doli dje në TV.
Gazetari vazhdonte ta shikonte i hutuar. Ndërkohë, te xhami i dritares së kafenesë kishin ngjitur hundën ca fëmijë dhe Flamuri u ngrit t’i ndiqte.
- Kalamaj të shpëjft. Janë cullët e një kushërinit tem që ka marrë shtëpi këtu afër, që ma dine akoma emrin Feim. Vetëm në i zënça… S’kanë faj, ma kanë bërë emrin si rritja ekonomike, herë me katër gërma, herë me 6 gërma.
Kalamajt u shfaqën prapë te xhami duke thërritur në kor: “O Feim, o Feim/ Puna jote aferim.”
Flamuri u ngrit prapë t’i përzinte dhe gazetari mori rrugën e kthimit po aq i trullosur sa erdhi.
Nga pas dëgjohej jehona e korit të fëmijëve:
O Feim, o Feim
Puna jote aferim.
Gomar ti, gomar kush t’vuni
Sot a nesër valon druni.