Dy anët e terrorizmit
Izraeli nuk del nga Gaza, dhe jo e kundërta, që ai po hyn në Gaza. Të paktën kjo është pikëpamja e palestinezëve, të cilët në Gaza krijuan me dhjetëra tunele për të gjetur një mënyrë mbijetese pas bllokadës që iu bë nga Izraeli dhe pjesërisht nga Egjipti. Kampet e refugjatëve në Gaza po përjetojnë një masakër dhe kjo ka të bëjë me faktin se Izraeli po lufton terrorizmin, por akoma nuk është e qartë se nga kush. Nëse të gjithë palestinezët quhen terroristë, sepse ata janë krah për krah luftëtarëve të Hamasit, atëherë Izraeli ka legjitimitet të vrasë sa më shumë mbështetës që të mundet. Por, nga lind kjo e drejtë? Të paktën deri tani jemi me fat të shohim se ende nuk janë piketuar se cilët palestinezë janë Hamas dhe cilët jo. Kjo na jep më shumë shpresë se jo të gjithë do të përfshihen në masakër, por dhe pa qenë të sigurt se kush do përfshihet në ndëshkimin Izraelit.
E shkuara me terrorizmin ka një histori të gjatë dhe të trazuar. Shtete ndëshkuese ndaj një vendi tjetër kanë marrë zakon ta quajnë rezistencën terroriste, ndërsa vendasit kanë marrë zakon ta quajnë rezistencën luftëtarët e lirisë. Çdo pretendim ka një dekadencë dhe koha përcakton më mirë se kushdo, se kujt i përkiste çfarë. Kemi një Gaza që ka mbledhur refugjatët që Izraeli përzuri nga të katër anët e territorit, të cilin e populloi me kolonët e vet. Ishte koha kur të gjithë të këqijat i kishin rënë këtij populli, i cili mësoi shumë se si të trajtosh më të dobëtit gjatë Luftës së Dytë Botërore, por dhe më parë dhe kemi një tokë si Palestina apo “vendet e Shamit”, siç e thërrasin vendasit Sirinë, Libanin, Jordaninë dhe Palestinën, e cila ka qenë mikpritëse për këdo që ka trokitur në portat e Jerusalemit.
Në Gaza sheh dëshpërim dhe fëmijë të vegjël që sillen çdo ditë në morg, mjafton të kërkoni në youtube.com për Gazën dhe dëshpërimi nuk njeh kufij për atë që sheh. Një tufë njerëzish të Hamasit mbajnë peng nën agoni mijëra njerëz, të cilët nuk e dinë se Izraeli po mbron të drejtën e tij për t’iu përgjigjur çdo agresioni. Këtë s’mund ta kuptojë Muhamedi i vogël gjashtë muajsh, i cili vdiq nga një shpërthim, ndërsa flinte në dhomën e tij, djali i vetëm i asaj familjeje. Por a janë tashmë të gjithë palestinezët atje pjesë e rezistencës? A po shkelet e drejta e tyre për të jetuar në të njëjtën mënyrë si izraelitët duan të jetojnë? Pyetje si kjo dhe si disa të tjera në Irak duan gjakftohtësi t’iu përgjigjesh, ndërkohë që arabët nuk po tregohen dhe aq gjakftohtë.
Terrorizmi ndërkombëtar po shkëmbehet ndërmjet shteteve si një e drejtë që vetëm ato mund ta përcaktojnë dhe askush tjetër nuk e ka këtë legjitimitet. Vende si Izraeli dhe të ngjashëm gjejnë popuj të dobët dhe iu krijojnë agresion, ndërkohë që veprime si bllokadat nxisin lëvizje të rezistencës, të cilave iu duhesh përgjigjur me të njëjtën mënyrë dhe të krijosh precedentin e akteve terroriste nga ana jote. Kjo është një rrugë e vështirë për t’i parë gjërat reale pa u bërë pjesë e propagandës. Nëse shtetet terrorizojnë popullsinë për të detyruar rezistencën të dorëzohet, atëherë ato po kryejnë akte terroriste dhe ky fenomen i ri dhe i vjetër nuk duhet trajtuar vetëm si një term që karakterizon një grup të caktuar njerëzish, por dhe shtete, të cilat përsërisin të njëjtën kundërpërgjigje dhe nuk rregullojnë, përkundrazi përkeqësojnë situatën. Kjo ndodhi në 2004, kur Izraeli iu përgjigj me të njëjtën mënyrë Gazës, së cilës, sikurse Izraelit i duhej të mbrohej, dhe asaj i duhej të mbrohej. Apo Afganistani, i cili kontrollohet në 70% të tij nga talebanët, të cilët Amerika u betua t’i shporrte njëherë e përgjithmonë. Apo veprimet në Irak, ku një pjesë e mirë e popullsisë është shfarosur dhe vazhdon të ekzekutohet për shkak të disa terroristëve, të cilët duhen shporrur. Po të ishin dhe aq terroristë këta luftëtarë, nuk do kishin mbështetje lokale dhe të fitonin popullaritet, por ata janë pjesë e akteve të dëshpëruara që një guerilje mund të ndërmarrë sot, përballë teknologjisë apatike të shteteve. Nëse ata janë terroristë, atëherë duhet të ulen në bisedime si të barabartë për të arritur marrëveshje paqeje. Përndryshe nuk po bëjmë gjë tjetër veçse po përsërisim një moszgjidhje të vazhdueshme që nuk njeh kufij për të dyja palët, të cilat kurrë nuk do e pranojnë se e kanë gabim, sepse të dyja palët kanë argumente për të mos u tërhequr, sepse asnjëra palë nuk mund të tërhiqet. Të drejtën e vetëmbrojtjes e kanë të dyja.