E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, ky “kapter” i Rezart Taçit

Nga Mero Baze

Qeveria shqiptare ka legalizuar dje politikën monopol në fushën e naftës të një biznesmeni të afërt me familjen e kryeministrit. Rezart Taçi, i cili prej 27 nëntorit është pronar de facto dhe de jure i kompanisë shtetërore ARMO dhe i kompanisë së naftës “Taçi Oil”, ka marrë dje nga qeveria shqiptare ekskluzivitetin që të tregtojë i vetëm naftën D2 në tregun shqiptar. Sipas këtij vendimi, Rezart Taçi prej datës 1 janar 2009 ka një treg të gatshëm, pa konkurrencë, duke shitur, sipas shoqatës së karburanteve, potencialisht rreth 400 mijë tonë naftë, 300 mijë nga të cilat ua ka marrë konkurrentëve dhe 100 mijë tonë i prodhon vetë. Shoqata, duke iu referuar çmimeve të tregut ndërkombëtar, thotë se diferenca mes naftës Eurodiesel D1 dhe naftës Diesel D2, kuotuar në bursë, është jo më pak se 80 USD/ton. Nga mënyra se si llogariten detyrimet fiskale për këtë produkt (75% akcizë+20 % TVSH), ARMO përfiton edhe 80 USD/ton nga kjo llogaritje. Kjo shoqatë thotë se në këtë mënyrë, qeveria, jo vetëm i jep monopol kësaj kompanie ndaj konkurrentëve të tjerë për rreth 400 mijë tonë Diesel D2, që ka të drejtë ta tregtojë vetëm ARMO, por i kursen kompanisë rreth 64 milionë dollarë taksa (400.000 tonë x 160 USD/ton = 64 milionë USD).

Pra, nga këto përfitime kompania e Rezart Taçit fiton rreth 140 milionë dollarë në raport me kompanitë e tjera, çka është e barabartë me shifrën që Rezart Taçi ka blerë pa i paguar ende paratë për kompaninë ARMO. Ky skandal shtetëror, ndoshta më i frikshmi për nga guximi i qeverisë shqiptare, përveçse hedh dyshime të forta mbi lidhjet personale dhe familjare të këtij biznesmeni me kryeministrin Berisha, fut në qorrsokak detyrimet që ka Shqipëria ndaj tregut të lirë sipas detyrimeve që rrjedhin nga OBT dhe nga Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit.

Vendimi i djeshëm është më tepër se cinik dhe për një arsye tjetër. Në përpjekje për t’ia bërë fitimin të sigurt Rezart Taçit, kryeministri Berisha ka urdhëruar shpërndarjen e naftës D2 te gjithë shitësit e tjerë të pakicës duke e kthyer me ligj Rezart Taçin në furnitor me shumicë të gjithë tregut shqiptar me D2. Pas kësaj, tregu i naftës në Shqipëri është seriozisht i falimentuar dhe pronar i vetëm i tij është Rezart Taçi, ai që kryeministri Berisha tri vjet më parë e ka quajtur kontrabandisti më i madh i naftës në Shqipëri dhe rajon.

Kjo miqësi e re e kryeministrit Berisha me këtë “ish-kontrabandist” dhe privilegjet e forta financiare që ai po i bën me ligj, vërtetojnë më së miri kapjen e shtetit nga elementët mafiozë dhe kthimin e kryeministrit Berisha në një lodër në duart e trafikantëve.

Kryeministri Berisha vendosi në vitin 2007 që të mos tregtojë naftë D2 në vitin 2009, por, pasi ARMO-n e fitoi Rezart Taçi, ai ndryshoi mendje dhe lejoi vetëm ARMO-n të shiste naftë D2. Vendimi i sotëm e vulos këtë kapje të shtetit prej mafies, pasi prej sot jo vetëm që naftë D2 do të shesë vetëm klienti i Argita Berishës, dhe donatori i Liri Berishës, por do të detyrojë dhe gjithë shitësit e tjerë me pakicë të tregtojnë naftën e tij të Ballshit mbushur me squfur dhe standard të papranueshëm duke shkatërruar tregun e naftës, cilësinë e karburantit dhe duke hedhur në erë lirinë ekonomike dhe konkurrencën e lirë në Shqipëri. Dhe të mendosh që në fillim të vitit 2009, ai që në vitin 2005 ishte kontrabandisti më i madh, sot është i preferuari më i madh i Sali Berishës, e kupton lehtë se nga kemi ardhur dhe ku kemi përfunduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›