Akademia e Arteve, fitues me 50 për qind të pikëve
Akademia e Arteve do të çelë ditën e sotme, konkurset e pranimit për vitin 2008-2009. Rreth 300 kandidatë do të konkurrojnë midis tyre, për të fituar të drejtën e vazhdimit të studimeve në artet e bukura. Konkurrimi, i cili do të zgjasë për disa ditë, do të nisë sot në orën 8, për t’u mbyllur në orën 13:00. Në Fakultetin e Muzikologjisë do të konkurrojnë për 107 vende, 141 kandidatë. Konkursi në këtë fakultet, për shkak të numrit të lartë të degëve, do të zgjasë 8 ditë, për t’u mbyllur më datë 30 korrik. Pikët maksimale në konkursin e zhvilluar në Akademinë e Arteve do të jenë 300, nga të cilat 20 për qind do t’i përkasin Maturës Shtetërore, dhe 80 për qind konkursit në specialitetin e pranimit. Për të fituar specialitetin e dëshiruar, një kandidat që konkurron në Akademinë e Arteve, këtë vit, duhet të marrë 50 për qind të pikëve. Konkurrentët të cilët nuk arrijnë të marrin një pikaverazh të tillë, automatikisht skualifikohen nga gara. Për kandidatët të cilët pas përfundimit të konkurrimit renditen me pikë të njëjta, ata do të renditen midis tyre, sipas rendit zbritës të fituar në testin special. Rektorati i Akademisë së Arteve ka bërë të ditur se shpallja përfundimtare e pikëve do të bëhet nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave.