E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Akademia e Shkencave, si e shkatërruan qeveritë demokratike"

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si institucioni më i lartë shkencor i vendit, u ngrit më 10 Tetor 1972 me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, ndërsa veprimtaria e saj filloi në janar 1973. Anëtarë të Akademisë së Shkencave-Akademike, u përzgjodhën nga organet kompetente të kohës, personalitetet më në zë në fushën akademike si: Prof.Aleks Buda, Prof. Eqrem Çabej, Prof.Mahir Domi, Prof. Dhimitër Shuteriqi, Prof. Kole Popa, Prof. Petri Radovicka, Prof.Selaudin Bekteshi, Prof. Sotir Kuneshka, Prof.Zef Kakariqi, Prof. Androkli Kostallari etj; pjesa më e madhe e tyre nuk kanë qenë anëtarë të PPSH; edhe ata pak që ishin anëtarë të PPSH dalloheshin për vlerat e tyre shkencore. Anëtarët e rinj të Akademisë zgjidheshin nga Asambleja e Akademisë; zgjedhje të tilla u bënë në vitet 1984 e 1989; edhe anëtarët e rinj ishin nga personalitetet më të spikatura të shkencës. Në krye të Akademisë së Shkencave u emërua personaliteti i shquar Prof.Aleks Buda, një shkencëtar erudit që e drejtoi me sukses në periudhën 1973-1992 këtë institucion të larte dhe i dha atij prestigj të merituar kombëtar e ndërkombëtar. 

Në varësi të Akademisë së Shkencave u përfshinë, kryesisht, institucione ose bërthama shkencore që ishin në varësi të Fakulteteve të Universitetit si: Instituti i Historisë, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, Instituti i Folklorit (themeluar në vitin 1961)- Instituti Kulturës Popullore, Instituti i Fizikës Bërthamore, Instituti Hidrometeorologjik (themeluar në vitin 1962), Qendra e Matematikës Llogaritëse, Qendra Sizmologjike dhe Laboratori i Kërkimeve Hidraulike. Më vonë u ngritën Qendra e Kërkimeve Arkeologjike (1976), Instituti i Kërkimeve Biologjike (1978), Qendra e Studimeve Gjeografike (1986) dhe Qendra Enciklopedike (1998). Përfshirja e këtyre institucioneve në Akademinë e Shkencave mundësoi forcimin e tyre me kuadro shkencore të talentuara, infrastrukturë shkencore përgjithësisht adekuate, rritjen e thellimin e kërkimit shkencor në fushat përkatëse; gradualisht ato kthyen në qendra të mirëfillta të kërkimit shkencor. Punonjësit shkencorë të këtyre institucioneve ishin edhe pedagogë të jashtëm të fakulteteve dhe kanë dhënë një kontribut të vyer në përgatitjen e kuadrove të reja qoftë me mësimdhënien, hartimin e teksteve universitare, udhëheqjeve të disertantësh etj. 

Deri në fund të viteve 80-të në veprimtarinë shkencore ndikuan një varg kufizimesh të karakterit jashtë shkencor, kryesisht të natyrës politike e ideologjike, të cilat cenonin kryesisht fushën e shkencave shoqërore, duke u bërë pengesë në vlerësime sa më objektive të ngjarjeve apo dukurive shoqërore. 

Megjithatë studimet e kryera nga institucionet e Akademisë se Shkencave kanë zgjidhur një varg problemesh të rëndësishme të lidhura me njohjen e historisë, gjuhës e kulturës së popullit shqiptar, me njohjen e natyrës e të pasurive natyrore të vendit, me futjen dhe përdorimin e metodave e të teknologjive të përparuara në prodhimin industrial e bujqësor, në përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit e të shëndetit të popullsisë etj. 

Arritjet në fushën e shkencave albanologjike si në histori, gjuhësi, kulturë popullore e arkeologji ishin të mëdha dhe Shqipëria, nëpërmjet Akademisë, u bë qendra më e rëndësishme e studimeve albanologjike; Në këtë fushë u organizuan me sukses shumë veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. 

Deri në fund të viteve 80-të u botuan nga punonjësit shkencorë të institucioneve të Akademisë së Shkencave me qindra monografi e studime shkencore e ndër to spikatin veprat madhore si "Fjalori i gjuhës së sotme shqipe", "Gramatika e gjuhës shqipe", "Historia e popullit shqiptar", "Historia e letërsisë shqiptare", "Drejtshkrimi i gjuhës shqipe", "Ilirët", "Shqipëria arkeologjike", "Atlasi klimatik i Republikës së Shqipërisë", "Flora e Shqipërisë", "Rajonizimi sizmik i Republikës së Shqipërisë", "Gjeografia fizike e Shqipërisë", etj. Krahas veprave të mësipërme albanologjike, që hedhin dritë në autoktoninë e shqiptarëve, historinë, gjuhën e kulturën e tyre u botuan vepra të tjera më specifike për çështjen kombëtare si "E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët e Jugosllavisë" (1990), "Popullsia shqiptare e Kosovës në shk. XV-XVI" etj. ( 1984) etj.
Pas viteve '90-të me ndryshimin e sistemit politik mjaft punonjës shkencorë të sistemit të Akademisë, që ndodheshin me specializime apo kualifikime jashtë shtetit nuk u kthyen më në atdhe; edhe mjaft të tjerë punonjës të aftë e me përvojë, për një jetë më të mirë, u larguan jashtë vendit dhe për rrjedhojë u dobësuan së tepërmi institucionet shkencore; u larguan rreth 40% e punonjësve. Nga ana tjetër qeveria e re e zotit Meksi dhe Presidenti Sali Berisha, me gjithë kërkesat e Asamblesë së Akademisë së Shkencave, nuk morëm asnjë masë për të mundësuar rimëkëmbjen e Akademisë dhe institucioneve të saj, përkundrazi pezulluan 'de fakto' Asamblenë e Akademisë, emëruan një kryesi të re me Prof.Shaban Demiraj -akademik kryetar dhe tre zëvendës të tij jo akademikë, por militantë partiakë; shkarkuan drejtuesit e institucioneve të saj të zgjedhur në mënyrë demokratike, me votë të fshehtë, nga kolektivat shkencore të institucioneve një ose dy vjet më parë (në vitin 1990 ose 1991) dhe në vend të tyre u emëruan militantë të Partisë Demokratike, u hoqën nga puna disa punonjës për arsye politike, etj. Mbështetja financiare e kërkimit shkencor ishte minimale. Në periudhën 1993-1998 qeveria nuk lejoi të mblidhej asnjëherë Asambleja e Akademisë së Shkencave me synimin e tjetërsimit të saj; ngjarjet e vitit të mbrapshtë të 1997 nuk mundësuan tjetërsim e mëtejshëm të Akademisë së Shkencave. 

Pas mbarimit të mandatit të kryesisë së Akademisë së Shkencave, të emëruar nga qeveria Meksi, në shtator të vitit 1997, qeveria Nano, emëroi një kryesi të re të përkohshme me kryetar Prof.Ylli Popa, akademik, një personalitet i shquar në fushën e mjekësisë dhe tre personalitete të tjera: Akademik Farudin Hoxha, akademik Luan Omari dhe Prof.Kristo Frashëri. Kryesia e re e mori detyrën me kushtin që për një periudhë rreth njëvjeçare të hartonin një statut të ri të Akademisë së Shkencave. Një grup pune i emëruar nga Asambleja e Akademisë hartoi statutin e ri në të cilën u morën për bazë statutet e disa vendeve të Evropës. Ky projektstatut ju nënshtrua diskutimeve në Asamblenë ekzistuese të Akademisë, në institucionet shkencore e mësimore të vendit, dhe pasi u miratua në Asamblenë e Akademisë u dërgua për miratim në Parlamentin e Shqipërisë, i cili e miratoi atë në fund të vitit 1998. Mbështetur në këtë dokument themelor Asambleja ekzistuese e Akademisë përzgjodhi akademikët të rinj, të cilët më parë ishin miratuar në disa hallka-këshill shkencor institucioni, senat universiteti dhe seksionet shkencore të Akademisë. Asambleja e plotësuar zgjodhi në maj të vitit 1999 organet drejtuese të Akademisë. 

Gjatë periudhës 1997- maj 1999 kryesia e emëruar e Akademisë krahas hartimit të statutit u mor edhe me riorganizimin e institucioneve të Akademisë, me zgjedhjen e drejtuesve në rrugë demokratike, drejtor, shefa departamentesh etj. Si dhe me mbështetjen e institucioneve me fonde për të përmirësuar infrastrukturën dhe kërkimin shkencor etj. 

Ndërkohë e preokupuar për gjendjen e shqiptarëve jashtë kufijve të shtetit, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi si dhe çështja e Çamërisë, kryesia e Akademisë angazhoi një grup personalitetesh të Akademisë, të cilët duke marrë edhe mendimin e personaliteteve shqiptare jashtë Shqipërisë, hartuan dhe miratuan "Platforma për Zgjidhjen e Çështjes Kombëtare" (viti 1998)- botuar në tre gjuhe, shqip, anglisht e frëngjisht. Ajo u mirëprit dhe u përshëndet nga opinioni shqiptar brenda e jashtë saj; pati jehonë jashtë vendit dhe shqetësoi qarqe shovinistë e sidomos akademitë e shteteve fqinj. Kryesia e Akademisë denoncoi deklaratën e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Maqedonisë akademik G.Efremov, për çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe të kufijve të saj në vitin 2001. Edhe pretendimeve të shovinistëve greke për Himarën, Akademia ju është përgjigjur me një vepër madhore "Himara në shekuj" (2006) etj. 

Pas zgjedhjes se kryesisë së re të Akademisë në maj të vitit 1999 filloi një etapë e re e ringritjes së Akademisë së Shkencave dhe të rrjetit të saj të institucioneve. Mbështetja financiare nga qeveria u rrit gjë që mundësoi që dora-dorës të rikonstruktoheshin godinat e institucioneve, të pajiseshin ato me teknikat e kohës, filloi dixhitalizimi i arkivave shkencore; u mundësua rritja cilësore e sasiore e botimeve shkencore duke arritur mesatarisht në mbi 50 botime në vit, botimin e 13 revistave periodike shkencore, dy nga të cilat në gjuhë të huaj; u rritën pagat e punonjësve shkencorë etj. U vendosën ose u rivendosën marrëdhëniet me shumë Akademi të Evropës e më gjerë, me të cilat u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Bashkëpunim tepër i ngushtë u vendos me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës me të cilën u realizuan mjaft projekte të përbashkëta. Akademia u anëtarësua në mjaft organizma shkencore botërore e evropiane dhe në veprimtaritë e organizuara prej tyre janë prezantuar arritjet e saj, etj. Institucionet e Akademisë e punonjësit shkencorë të tyre u përfshinë në projekte të organizmave ndërkombëtare-UNESCO, UNDP, NATO për Paqe, Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si dhe në projekte bilaterale etj. Ky bashkëpunim mundësoi si realizimin në nivel të kohës së mjaft studimeve të rëndësishme sidomos në fushën e shkencave teknike e natyrore me dobi për ekonominë e vendit si dhe kualifikimin e kuadrit shkencor pjesëmarrës në to. 

Gjatë kësaj periudhe u realizua projekti i hartimit të Historisë së Popullit Shqiptar" në katër volume, "Fjalori Enciklopedik Shqiptar" në tre volume, "Korpusi i Veshjeve Popullore" në katër volume, "Korpusi i banesës popullore", "Fjalor i shqipes së sotme", "Fjalori frazeologjik i gjuhës shqipe", "Fjalori sinonimik i gjuhës shqipe", "Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe" e shumë vepra të tjera si në fushat e shkencave shoqërore e albanologjike ashtu dhe në ato natyrore e teknike. 

Në vitin 2006 qeveria e zotit Berisha ngarkoi një grup ekspertësh nën drejtimin e zotit Myqerem Tafaj të studionin mundësinë e reformimit të kërkimit shkencor në vend dhe në këtë kuadër dhe të Akademisë së Shkencave. Të gjithë ishim dakord që kërkimi shkencor në Shqipëri duhet të reformohej, të riorganizohej, por me synimin e forcimit të kërkimit shkencor në vend; dihej nga të gjithë që vendit i mungonin mjaft kuadro të përgatitura, investimet për kërkimin shkencor ishin në nivel minimal 0,18% të GDP, më i ulëti në Evropë; në vendet e BE-së ky tregues është mbi 2,7 % e GDP-s; edhe vendet rreth nesh e kanë ketë tregues shumë më të lartë; numri i punonjësve shkencorë tek ne ishte 0,2 për njëmijë banorë, përsëri më i ulëti në rajon e më tej. Synimi i qeverisë së zotit Berisha ishte tjetërsimi i Akademisë së Shkencave, gjë që ishte parashikuar që në periudhën 1992-1997, duke i larguar asaj institutet e duke e kthyer atë në një institucion honorifik-anemik; institutet do t'u atashoheshin universiteteve duke ngritur të ashtuquajturin sistemi unik mësim-kërkim". Grupi i ekspertëve dhe kryeministri propagandonin që ky organizim është i vetmi në të gjithë Evropën dhe sistemi ekzistues ishte një sistem i dështuar i tipit sovjetik. Kjo që propagandohej nuk i qëndron realitetit.
Mbështetur në eksperiencën pozitive 36-vjeçare të këtij sistemi, i cili është edhe sot në mjaft vende të Evropës si në Holandë, Austri, Suedi, Greqi, Serbi, Bullgari, Rumani, vende të ish BS etj. Ne e kundërshtuam me argumente këtë lloj reformimi duke paralajmëruar se adaptimi i tij do të dobësonte së tepërmi kërkimin shkencor dhe do të sillte venitjen e Akademisë së Shkencave. Në mbështetje të Akademisë sonë, të shqetësuar për situatën e krijuar, në vitin 2007, erdhën akademik Pieter Drenth, President i Federatës Evropiane të Akademive Kombëtare të Shkencave (ALLEA) dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave të Holandës, bashkëpresidenti i grupimit InterAkademik (Rrjeti botëror i Akademive) akademik Yves Quere dhe sekretar i përgjithshëm i Akademive të Francës. Ata u takuan me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Zv.kryeministrin, Ministrin e Arsimit dhe Shkencës dhe përfaqësues të Parlamentit. Ata shprehën mendimin e tyre dhe të organizmave që përfaqësonin se nuk ishin dakord me mënyrën e menduar nga qeveria për reformimin e Akademisë së Shkencave dhe largimin prej saj të instituteve, duke argumentuar atë me eksperiencën botërore dhe të vendeve të tyre; theksuan rëndësinë që kanë institutet shkencore jashtë universiteteve dhe argumentuan se kjo mënyrë do të dëmtonte së tepërmi kërkimin shkencor në Shqipëri. Është e kuptueshme që universitetet duhet të merren edhe me punë shkencore, e cila duhet të jetë e lidhur me atë mësimore e me përgatitjen sa më të mirë të kuadrit të ri.
Akademik P.Drenth i tregoi kryeministrit eksperiencën e Akademisë së Shkencave të Holandës, Akademi e ngritur rreth dy shekuj më parë, e cila ka në gjirin e saj 18 institute të fuqishme shkencore; ai theksoi që akademitë në gjithë botën janë ikona të kombeve, ato nuk duhet të preken, se ato gjithmonë janë të prirura për vetëreformim. Të njëjtën gjë theksoi dhe akademiku i Francës, Y.Quere. Në mbështetje të Akademisë u radhitën të gjitha Akademitë e Shkencave të Ballkanit, të Austrisë e vendeve të tjera, të cilat nëpërmjet letrave dërguar kryeministrit, në ndonjë rast dhe kryetarit të Parlamentit apelonin për mosprekjen e Akademisë sonë. 

Kryetari i Akademisë, akademik Ylli Popa më shumë se dy herë kërkoi takim me kryeministrin për të biseduar për problemin, por asnjë përgjigje nuk morëm. Pavarësisht apelit tonë e institucioneve e personaliteteve të mësipërme ndërkombëtare qeveria amendoi ligjin e vitit 1998 të Akademisë. Sipas ligjit të amenduar në organet drejtuese të saj nuk mund të zgjidheshin akademikë në moshë mbi 75 vjeç. Asambleja e Akademisë duke u nisur nga fakti që mandati i kryesisë kishte kaluar me kohë, qysh në muajin maj 2007, për të përshpejtuar procesin e plotësimit të Asamblesë me anëtar të rinj u detyrua të bëjë zgjedhjen e kryetarit të ri nga radhët e akademikeve nën 75 vjeç, në nëntor 2007; votimi u bë i fshehtë e në mënyrë demokratike. Kryetari i ri i zgjedhur nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, rast ky i paprecedent. Duhet të theksoj se Akademia është institucion i pavarur dhe zgjedhjet janë kompetencë e Asamblesë. 

Menjëherë pas kësaj zgjedhje qeveria Berisha, duke e trajtuar në këtë rast problemin politikisht, përgatiti një projektligj të ri diskriminues për Akademinë, i cili u miratua nga Parlamenti në dhjetor 2007. Sipas tij Akademisë i hiqeshin të gjitha institucionet shkencore në varësi të saj; akademikët me moshë mbi 75 vjeç dalin në pension e nuk janë pjesë e Asamblesë, rast edhe ky i paprecedent. Dua të theksoj se akademik zgjidhesh për ato që ke bërë dhe qëndron aty për tërë jetën, kjo është përvoja botërore. 

Pjesa dërrmuese e akademikëve shqiptarë me moshë mbi 75 vjeç janë edhe sot nga më produktivët; ata vazhdojnë të punojnë në shtëpi, pa u krijuar asnjë kusht, botojnë vepra me vlerë të madhe shkencore; po përmend ndër ta akademik Kristo Frashëri (92 vjeç), akademik Shaban Demiraj (91 vjeç), akademik Arben Puto (89 vjeç), akademik Luan Omari (88 vjeç) ; akademik Alfred Uçi (83 vjeç) edhe pjesa tjetër, që nuk po i përmend, janë në punë të vazhdueshme duke dhënë kontribute me vlerë për vendin. 

Në shkurt 2008 qeveria emëroi një kryesi të re që do të merrej me transferimin e instituteve në universitet dhe me përgatitjet për anëta-rësime të reja. 

Institutet e shkencave albanologjike u grumbulluan në Qendrën e Studimeve Albanologjike, ndërsa institucionet e shkencave teknike e natyrore u tjetërsuan dhe u përfshinë në Universitet; numri i punonjësve u shkurtua në më shumë se 40%. Me gjithë këmbënguljen tonë që tre nga institutet e Akademisë, me karakter kombëtar e strategjik si Instituti i Hidrometeorologjisë, Instituti i Sizmologjisë dhe Instituti i Fizikës Bërthamore të mos prekeshin sepse ato janë mëse të domosdoshme për ekonominë e vendit; ato u rrudhën së tepërmi, u bënë thuajse inekzistentë, u tjetërsuan dhe u përfshinë në një qendër bashkë me mjaft institucione të tjera, duke humbur identitetin e tyre. Në drejtim të këtyre qendrave u emëruan militantë të Partisë Demokratike, persona pa asnjë lidhje me institucionet. Përvoja e gati 5 vjetëve, 2008-2013, vërtetoi katërcipërisht shqetësimin tonë. Puna kërkimore-shkencore në këto institucione, sidomos në ato të shkencave teknike e natyrore ka rënë në nivele të papranueshme për kohën që jetojmë. 

Për pranimet e anëtarëve të rinj të Akademisë u caktuan pesë ekspertë të huaj, asnjë nga ta akademik, dhe tre akademikë shqiptarë, të cilët përzgjodhën anëtarët e rinj. Ky rast i pranimit të anëtarëve të rinj të Akademisë jo nga Asambleja e Akademisë përbën një rast unikal e të paprecedent në historinë e Akademive. Pa paragjykuar kapacitetet e këtyre të pranuarve nga kjo trupë e huaj, pa asnjë njohje të institucioneve tona, mendoj se duhet gjetur një formë për rikonfirmimin e tyre. 

Nga sa më lart mendoj se qeveria e re duhet të rishqyrtojë me kujdes gjendjen aktuale të Akademisë së Shkencave dhe ish-instituteve të saj dhe më gjerë, dhe pas diskutimeve me personalitete të shkencës, vendas e të huaj të marrë masat për të bërë të mundur edhe në vendin tonë fuqizimin e ringritjen e Akademisë së Shkencave e kthimin në gjirin e saj të instituteve të shkencave albanologjike dhe të ringritjes pranë saj të instituteve më të rëndësishme të shkencave teknike e natyrore. 

Dua të besoj se qeveria e re do të angazhohet seriozisht për të rilindur edhe këtë fushë jetike të vendit tonë. 

*Akademik, ish-Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave në përudhen
1999 - Mars 2008.

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›