E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Sporteve, në shtator hapet konkursi për Master

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë, ka shpallur konkurrimin paraseleksionues për kursin ”Master Evropian.” Burime nga kjo Akademi njoftojnë se kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë dokumentet deri në datën 3 shtator 2008.
Konkursi
Ndërsa dy ditë më vonë, në datën 5 shtator, do të zhvillohet konkursi për të gjithë të interesuarit. Akademia nuk ka vendosur akoma se sa fitues do të mund të përzgjidhen, pasi ky është një program bashkëpunimi mes Akademisë së Sporteve “Vojo Kushi” dhe partnerëve evropianë. Këta të fundit do të bëjnë dhe përzgjedhjen e kandidatëve fitues në bazë të konkursit që do të zhvillohet më 5 shtator.
Kriteret
Një ndër kriteret që kandidatët e interesuar duhet të disponojnë është edhe dëshmia e gjuhës angleze. Kjo e fundit preferohet të jetë mbrojtur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Pavarësisht dëshmisë, aplikuesit për studimet “Master Evropain” do të testohen sërish për njohuritë në gjuhën angleze. Burime nga Akademia e Sporteve bëjnë të ditur për kandidatët e interesuar se financimet nuk mund të përballohen nga vetë Akademia.
Bursa
Por një mundësi lehtësimi për aplikuesit janë bursat e studimit që mund të fitohen nëpërmjet programit “Tempus Erasmus”. Për çdo informacion të intersuarit duhet të paraqiten pranë zyrës së marrëdhënieve me jashtë në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi”.
Dokumentet
Ndërsa lidhur me dokumentacionin e kërkuar aplikantët duhet të paraqesin deri në datën 3 shtator 2008: diplomë të studimeve në AEFS (origjinale ose të noterizuar); Dëshmi të gjuhës së huaj, Anglisht; listë notash, fotografi 4x6 me ngjyra, dokumente që vërtetojnë kualifikime të ndryshme shkencore ose punë shkencore të kryera nga vetë konkurruesi. Fituesit do të përzgjidhen pas testimit nga vetë partnerët evropianë, të cilët kanë ofruar këto programe specializmi për kandidatët shqiptarë që kanë përfunduar studimet e larta në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi”.
Ky lajm është publikuar: 05/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›