E Diel, 1 Nëntor 2026

Akademikët: Në 100-vjetor po nëpërkëmbet Ismail Qemali

Tiranë- Në një kohë kur për 100- vjetorin e pavarësimit të vendit flitet ngado dhe nga kushdo, akademikët e Shqipërisë ngrenë një shqetësim. Pojektin për monumentin e 100- vjetorit, nën/kryetari i Akademisë së Shkencave, arkeologu Muzafer Korkuti e cilëson diletantizëm dhe të panevojshëm.

Ndërsa mungesën e vëmendjes ndaj Ismail Qemalit, një harresë e qëllimtë kjo sipas tyre ndaj atij që është arkitekt i pavarësisë, akademikët Muzafer Korkuti dhe Jorgo Bulo e cilësojnë si politike dhe të pajustifikueshme.

“Në vitet 1981-1982 kur po ndërtohej Muzu Historik Kombëtar unë isha në grupin e punës me ata që e ndërtuan muzeun, njerëz përpara të cilëve të gjithë duhet të përulemi. Në Pavionin e Pavarësisë, u ndëtua pjesa për Beslidhjen e Lezhës pa të cilën nuk mund të kishte pavarësi e po diskutohej për figurën e Ismail Qemalit…Nga aq sa mund të thuhej e aq sa mund të kuptohej, po kërkohej që figura e tij të zvogëlohej pak. Që në atë moment e kam ndjerë një boshllëk. Atëhere ishte për arsye politike.

Tani, 40 vjet më pas po përsëritet e njëjta gjë. Ne flasim për përmendore, monumente e sheshe  dhe vetëm për themeluesin e shtetit shqiptar askush nuk flet për një shesh a përmendore, këtu, në kryeqytetin e shqiptarëve të cilëve ju dha shtetin. Kjo është thjesht dhe vetëm politike dhe është e turpshme”- pohon akademiku Korkuti.

Prof. Korkuti kthehet pas në kohë, në periudhën e mbretërisë të Ahmet Zogut e pohon: “Në 20-vjetorin e pavarësisë, një akt që duhet ta shënojmë si madhor u krye nga regjimi i kohës. Eshtrat e Ismail Qemalit u morën nga Kanina për t’u prehur në Vlorë. E pajustifikueshme se si ne sot nuk arrijmë dot të bëjmë asgjë për ta nderuar këtë figurë, për të nderuar veten. E paimagjinueshme se si mund të nëpërkëmbet kjo figurë që i detyrohemi qenien tonë”.

Një tjetër akademik, studiuesi Jorgo Bulo me ashpërsi dhe shqetësim prej intelektuali që vetëm fjalën ka në dorë të thotë, pohon: “Ne e kemi monumentin e pavarësisë, kemi Sheshin e Flamurit dhe aty janë eshtrat e Ismail Qemalit. Shteti shqiptar i detyrohet një shesh dhe një përmendore në kryeqytetin e shqiptarëve sepse kjo është e patolerueshme që nga institucionet dalin lista përmendoresh që do të realizohen dhe veç emri i Ismail Qemalit nuk gjendet asgjëkundi”.

Akademikët Korkuti dhe Bulo ndalen gjithashtu edhe në atë që po ndodh me kremtimet e shumëpërfolura të këtij jubileu të pavarësisë. Me tone të ashpra, ata flasin për mungesë fondesh për institucionin më të lartë shkencor në vend dhe gjithashtu për mungesën e një plani konkret festimesh i cili do duhej të mos ishte i momentit të fundit për të qenë i denjë për këtë 100- vjetor.

“Në këtë rast po injorohet mendimi i specialistëve, shkencëtarëve. Ne kemi një kalendar aktivitetesh, por që gjendemi në vështirësi nëse do i realizojmë apo jo, pasi për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk ka asnjë fond për këtë 100- vjetor e realizojmë botime me të huajt sepse shteti ynë nuk financon botime për jubileun e themelimit të shtetit”- thekon akademik Korkuti.

Përveç konkursit ndërkombëtar të monumentit të 100- vjetorit i cili nuk ka ende një faturë financiare pasi gjithçka e vendos shpallja e fituesit dhe vendi ku do të qëndrojë, ende i pa përcaktuar, nga institucionet shqiptare nuk ka një kalendar aktivitetesh për jubileun, as buxhet të bërë publik dhe as shpërndarje fondesh në institucionet që pritet të mbajnë aktivitetet. Akedemiku Jorgo Bulo preferon që shqetësimin e tij ta mbyllë me këtë frazë: Kjo që po ndodh me aktivitetet e kremtimit të 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë më kujton një shprehje shkodrane “M’ka çu nana me la  gojën”.

Nga Anisa Ymeri


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›