E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejtësia e mohuar, 27 seanca gjyqësore në pritje të ekspertit

Tiranë- Në ndjekje të çështjeve që kanë thyer rekorde harrese në Gjykatën e Tiranës, gazeta IDEA publikon sot një padi shkaktim dëmi ngritur mbi një kompani private të trasportit urban. Paditësi Arben Lacej ka plot 1372 ditë kalendarike që pret një vendim gjykate.

Prej më shumë se katër vitesh, ai rezulton i papunë sepse i është mohuar e drejta e ushtrimit të aktivitetit. Angazhimi i tij i këtyre viteve ka qënë sorrollatja nëpër dyert e gjykatës dhe ajo çka është më e rëndësishmja, ai nuk po merr dot një përgjigje nga drejtësia shqiptare.

Shoqëria Tirka 2000 sh.p.k është një kompani që operon në fushën e transportit të udhëtarëve dhe jep ose heq të drejtat e ushtrimit të aktivitetit subjekteve të ndryshme. Arben Lacej është një qytetar që pretendon që kjo kompani i ka mohuar të drejtën e ushtrimit të aktivitetit pa të drejtë. Në kushtet e mosgjetjes së gjuhës së kompromisit mes tij dhe kompanisë, qytetari në fjalë i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të kërkuar të drejtën që sipas tij i është mohuar.

Z. Arben ka ngritur një padi ndaj kësaj komanie më 28.07 2008. Objekti i padisë së depozituar është: Detyrimin e pales se paditur per pagimin e demit te shkaktuar si rezultat i mohimit te te drejtes se ushtrimit te aktivitetit ne transportin e udhetareve si dhe detyrimin e pales se paditur per mospengimin e ushtrimit te aktivitetit ne kuadrin e shoqerise Tirka 2000 sh.p.k. .  Që nga viti 2008, kjo cështje ka kaluar gjithsej në 45 seanca gjyqsore, pa aritur ende në një verdict përfundimtar apo të apelueshëm.

Në vëzhgimet e mëparshme IDEA ka identifikuar elementët më problematikë që kanë çuar në vonesa të proçeseve apo shtyrje të tyre. I rradhës rezulton elementi i ekspertizës. Në 45 seanca gjyqësore, 27 prej tyre janë shtyrë për mosprezencë të ekspertit apo formulime më të detajuara të akteve të ekspertimit. Seanca të veçanta janë shtyrë edhe me arsye nga më absurdet të tipit, shtyhet seanca që eksperti tu përgjigjet me shkrim pyetjeve, ndërkohë që seanca pararendëse është shtyrë me motivin që eksperti t’i përgjgjej pyetjeve të palës paditëse. Pyetja që në shtrojmë për përgjgije është: A ka nevojë të konsumohen dy seanca gjyqësore dhe dy muaj kohë çështje e zvarritur në mënyrë që eksperti të kuptojë që përgjigjjet në një proces gjyqësor jepen me shkrim dhe jo me gojë?

Sigurisht, të gjitha këto vonesa rëndojnë mbi supet e qytetarit, sepse me apo pa të drejtë, ai po kërkon dëmshpërblim mbi të drejtë që i është mohuar. Dhe në rast se gjykata vendos t’i jap atij të drejtë dhe ta dëmshpërblejë, sërish kohën, mundin, paratë e shpenzuara tërë këto vite në pritje të një vendimi gjyqësor, atij nuk ia kompenson dot. Sepse një çështje që ka një mesatare gjykimi 385 ditë, dhe zgjatet plot katër vjet, në çdo rast e ka një humbës de facto, paditësin.

Matilda Alku /IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›