Akademikët serbë me propozim konkret për Kosovën

Akademikët serbë janë shprehur të gatshëm ta ndihmojnë presidentin e Serbisë Tomisllav Nikoliq në “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës. Por, siç theksohet “elita intelektuale” serbe është e pakënaqur me faktin që nisma nuk ka arritur më herët.
Megjithatë, siç shkruan gazeta “V. novosti”, krerët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë (SANU) ditëve të ardhshme do të harmonizojnë një propozim konkret,me të cilin ajo “do t’i përgjigjet ftesës së Nikoliqit për ta ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
“Politikanët kurrë nuk janë mbështetur shumë në rezultatet shkencore, por kanë improvizuar dhe kanë bërë gabime të rënda që kanë pasur pasoja të këqija për shtetin , jo vetëm kur bëhet fjalë për Kosovën”, ankohet akademik Vasilije Krestiq, një nga anëtarët më radikalë të akademisë serbe, transmeton QIK.
Një tjetër akademik serb, Çaslav Ociq, kujton se qysh para shtatë vjetësh SANU kishte organizuar një konferencë shkencore për Kosovën, punimet e së cilës janë botuar edhe në gjuhën angleze, duke thënë se atëherë politikanëve kjo nuk u interesonte. Por ai thekson se ato punime edhe sot mund t’u hyjnë në punë politikanëve.
Ndërsa akademik Vidojko Joviq thotë se zgjidhja e problemit rreth resurseve energjetike në Kosovë është çështje politike. Por, sipas tij, shkencëtarët mund të tregojnë se çfarë xehesh dhe resursesh të tjera ka në Kosovë.
Por është një akademik që mendon më esëll se të tjerët, Lubomir Maksimoviq thotë se duhet menduar mirë se si të ndihmohet. “Nuk duhet SANU të hyjë në sferën e politikës. Idetë e saj duhet të udhëhiqen kryekëput nga motive shkencore e jo politike”, vlerëson Maksimoviq./Indeksonline/