Qosja: Bashkimi Kosovë-Shqipëri në BE, ndarje

Akademiku i njohur Rexhep Qosja gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, me temë “Roli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar”, është shprehur se megjithëse shqiptarët kanë sot dy shtete, nuk mund të thuhet se programi kombëtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, është realizuara plotësisht.
Sipas Qoses ajo mund të quhet e plotësuar pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. “Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë sot është një çështje shumë më tepër se politike dhe ekonomike: është një çështje ekzistenciale historike. Mund të thuhet kështu për disa arsye”, është shprehur Qosja.
Akademiku nënvizon se ideja për bashkim në BE “është ide demagogjike dhe mashtruese: Bashkimi i Shqipërisë dhe i Kosovës në Bashkimin Evropian është si bashkimi i Shqipërisë a i Kosovës, fjala vjen, me Francën, me Gjermaninë, me Çekinë, me Greqinë a me Luksemburgun”.
“Një bashkim i tillë i ndarë, jo vetëm se nuk mund të jetë bashkim, por mund të jetë largim gjithnjë e më i përshtrirë identitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe, këtu mund të jetë burimi i dobësimit, madje, i shpërbërjes së identitetit të shqiptarëve. Nuk e thoshte kot një mendimtar i njohur: kaosi ndodh aty ku ndahen ato që duhet të jenë bashkë dhe bashkohen ato që duhet të jenë të ndara”, ka thënë ai.
Sipas Qoses “në Bashkimin Evropian shqiptarët do të mund të mbahen shumë më sigurt si komb me identitetin e tyre në radhë të parë në qoftë se Shqipëria dhe Kosova bashkohen para integrimit në atë Bashkësi shtetesh”.
Qosja kritikon qasjen politike e Shqipërisë ndaj Kosovës u përmbys me ardhjen në pushtet të kryeministrit, Sali Berisha. Pavarësisht kësaj politike kundër kombëtare ndaj Kosovës, të Berishës, Qosja thotë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk do të mund të bëhej pa Shqipërinë, transmeton shekulli.
“Politika e Shqipërisë shtetërore ndaj Kosovës, ndërkaq, do të përmbyset posaçërisht shumë, duke u bërë politikë jokombëtare dhe johistorike, sidomos në kohën kur në krye të saj, qoftë në cilësinë e kryetarit të shtetit, qoftë në cilësinë e kryeministrit të shtetit, do të bëhet kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Dëshmi e kësaj që thuhet janë: deklaratat e tij të tipit se Kosova është djep i binjakëve shqiptarë dhe serbë; furnizimi i Serbisë, në të vërtetë i Jugosllavisë së mbetur, me naftë në kohën kur OKB-ja kishte vënë embargo ekonomike ndaj Serbisë; dëbimi prej Shqipërisë i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E të tjera”, është shprehur Qosja./Indeksonline/