Akademiku shqiptar, Luan Omari, në krye të AIESEE
Akademiku shqiptar, Luan Omari, u zgjodh president i AIESEE, Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Europës Juglindore, gjatë Kongresit X, i cili zhvilloi punimet në Paris, nga data 24 deri në 26 shtator, me temë "Njeriu dhe mjedisi i tij në Europën Juglindore". Në Kongres, përveç studiuesve të vendeve ballkanike morën pjesë edhe studiues nga vende të ndryshme si Franca, Rusia, Gjermania, Italia, Polonia, Ukraina, Zvicra dhe SHBA. Në seancë u mbajtën tri referate, kurse gjatë seksioneve të veçanta u mbajtën rreth 110 kumtesa, me një tematikë të gjerë e me shtrirje kohore nga lashtësia në ditët e sotme. Në ndryshim nga pjesëmarrja e gjerë e studiuesve nga Shqipëria në nëntë kongreset e mëparshme (i nënti u bë në Tiranë, më 2004), në këtë kongres vendi ynë u përfaqësua nga akademiku Luan Omari, zëvendëskryetar dhe anëtar i Byrosë së Komitetit Drejtues të AIESEE dhe akademiku Muzafer Korkuti, kryetar i Komitetit Shqiptar të AIESEE. Kongresi, në rendin e ditës, kishte edhe zgjedhjen e presidentit të ri të shoqatës, si dhe caktimin e vendit ku do të mbahet kongresi i ardhshëm. Në përfundim të punimeve, Luan Omari u zgjodh president i AIESEE-së për një mandat pesëvjeçar (2009-2014) ndërsa akademiku Muzafer Korkuti u pranua si anëtar i Komitetit të Përhershëm të AIESEE. Gjithashtu u rikonfirmua si sekretar i përgjithshëm i kësaj shoqate akademiku Razvan Teodorescu nga Rumania. Kongresi i ardhshëm do të mbahet në Turqi në vitin 2014.