Anri Sala: Tirana, absurditet më shumë politik sesa artistik
Këtë vit, Anri Sala ka qenë vazhdimisht i pranishëm në Tiranë në projekte artistike, apo edhe në ndërhyrje bashkëbiseduese me studentë të arteve. Ardhja e radhës është nxitur nga Bienalja e Tiranës. Nuk ka sjellë një punë të gatshme. Ka preferuar një performancë live, ideja e së cilës ka lindur rastësisht rreth dy vite më parë. Ka të bëjë me interferencat, shpesh të padëshiruara e njëkohësisht të pakontrollueshme nga vullneti i njeriut. Në dhomën që ndodhet në skaj të hollit të hotel "Dajtit", mbrëmjen e djeshme instrumentistë shqiptarë, nën drejtimin e dirigjentit Fatos Qerimi, kanë interpretuar muzikë klasike baroke. Një video, shtysa nga e cila lindi ideja e interpretimit live, është projektuar në kohë reale për publikun. I gjendur në një parkim kamionësh në Arizona, Sala kishte ndaluar të vëzhgonte e njëkohësisht filmonte. "Në radio po dëgjoja muzikë klasike barok dhe herë pas here diçka interferonte në radio dhe në të njëjtat vende futej muzikë country (karakteristike për këto hapësira). Pasi e filmova këtë gjë, i kërkova një kompozitori në Berlin të më ndihmonte në deshifrimin e notave. Nisur nga ky eveniment tërësisht rastësor, por tepër interesant nga pikëpamja muzikore, lindi performanca e instrumentistëve", thotë Sala, i cili i është bashkuar grupit të artistëve të pranishëm në hapjen e episodit të tretë dhe të fundit të bienales. Përmes këtij bashkëveprimi artistik, edhe njëherë Sala ka dashur t‘i bëjë jehonë apo të kërkojë fenomene të karakterizuara nga ambiguiteti. Në këtë rast, interferenca për të përbën një territor që e njohim si nocion teorik, na ndodh që në ditë të caktuara ta provojmë, por pa mundur ta parandalojmë. "Mua më pëlqejnë territoret e panjohura. Nuk flas vetëm për vende të prekshme fizikisht, por për territore artistike. Më pëlqen të ruaj dinamikën në punët e mia, ambiguitetin, ku gjërat deri diku janë të qarta e deri diku jo. Ndoshta kjo ka lidhje edhe me të formuarit dhe të jetuarit në vende të ndryshme", shprehet Sala. Gjithsesi për të i rëndësishëm nuk është vetëm ekspozimi apo prania artistike në një aktivitet. "Unë synoj që vepra ime të kthehet në një eksperiencë përjetimi nga publiku. Nëse ai bashkëvepron, përfshihet emocionalisht në të, pak rëndësi kanë shpjegimet nëpër katalogë prezantimi", shprehet ai. Realizimet e tij të fundit duket se shkojnë drejt kësaj ideje. Ashtu si edhe vetë pohon, synon t‘u shmanget referencave apo simbolikave që mund të ngelen vetëm brenda një konteksti të caktuar. "Simbolika është një pakt i pranuar mes njerëzve dhe i përsëritur. Si qenie njerëzore nuk më intereson sepse më duket e pavërtetë dhe më duket se varfëron botën. Ndërsa parë nga pozicioni i artistit, shpëtimi nga referencat e bën më të mundshëm komunikimin tim me një publik ndërkombëtar. Me shumë shokë të ngushtë të mi, artistë të njohur që kanë lindur në Amerikë, Gjermani apo Francë, kemi gjëra të përbashkëta si ndjeshmëri artistike, në anën intelektuale, por nuk ndaj pika reference me ta për vitet kur jemi formuar. Në vitet para ‘90-ës nuk kemi qeshur me të njëjtët filma vizatimorë, nuk kemi qarë me të njëjtët fundfilmash. Ne vijmë nga një botë që ka qenë e izoluar, që ka të bukurat e veta, por që është pak. Ti nuk mund ta përdorësh referencën si bazë komunikimi me të tjerët, me botën që quhet bota perëndimore e artit, qofshin anglezë, amerikanë apo francezë, të cilët kanë kaluar shumë gjëra të përbashkëta që ndikojnë në botëkuptimin e tyre", thekson artisti. Por kjo për të nuk do të thotë mohim i së shkuarës. "Sigurisht që ka pulse brenda meje kur e shkuara është prezente. Megjithatë mundohem të mos kem raport historik me të. Ajo çfarë më intereson është vetëm pjesëmarrja e së shkuarës në realitetin ku jetoj. Dhe ngaqë e tashmja është gjithnjë në zhvillim dhe raporti im me të shkuarën është gjithnjë në zhvillim, ndryshon vazhdimisht". Videoja mbetet mediumi që ai ka zgjedhur për t‘u shprehur artistikisht, të cilin kërkon ta pasurojë vazhdimisht. Nuk është nihilist i artit tradicional të skulpturës, pikturës, vizatimit, por videoja për të është një lloj filmi ku spektatori e sheh veten tërësisht të projektuar tek ideja, ngjarja, personazhi duke harruar për disa momente se ku ndodhet fizikisht. Anri Sala, një nga ata artistët bashkëkohorë që është bërë i njohur jashtë vendit, fillimisht me punë që e kanë marrë spunton në vendin e tij, përmendim këtu videon "Intervista", shprehet se për momentin realiteti shqiptar nuk është ushqim i punëve të tij. Nuk është i distancuar ndaj zhvillimeve të vazhdueshme, politike e sociale. Sidomos në këto vajtje-ardhje të shpeshta në Tiranë. "Nuk jam indiferent ndaj Tiranës sociale, emocionale apo politike, por nuk ka shumë "xhepa" që papritur të më tërheqin e të kuptoj se aty mund të realizohet diçka. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me faktin që gjërat janë normalizuar, nuk ka më kontraste të mëdha që të të ngacmojnë. Duket se absurditeti është kthyer më së shumti në absurd politik. Më parë ka pasur një absurd vizual, pamor, kolazh mes ngjyrave, pastaj shkatërrim, rindërtim. Të tilla ndryshime të flasin artistikisht", vazhdon artisti. Fakti që e gjithë bienalja, por edhe performanca e tij mbahet në hotel "Dajti", merr domethënie për Salën. Ai është shprehur se ndjen keqardhje që një ambient i tillë parashikohet të shndërrohet në Ministri të Jashtme. "Do të ishte një godinë mjaft e përshtatshme për t‘u shfrytëzuar edhe në të ardhmen për organizimin e veprimtarive artistike". Të njëjtin mendim ndante edhe kuratorja e episodit të tretë të bienales, Corinne Diserens. Ndërkohë në vazhdim Sala ka të tjera projekte. Sërish një ndërhyrje artistike me muzikën. Këtë radhë në një godinë të madhe e të bukur franceze, e cila prej 30 vjetësh qëndron e mbyllur. Kur ende debatohet nëse kjo godinë duhet të hapet e të rikthehen koncertet, për herë të parë, sipas projektit të Salës, kjo godinë do të nxjerrë zë. Në të gjithë hapësirën e saj do të transmetohet njëkohësisht muzikë që do ta kthejë gati në një altoparlant të madh. "Ajo godinë ka histori dhe prezencë. Shpresoj se do të jetë diçka e bukur", tregon Sala, i cili është në kërkim të vazhdueshëm të ideve për t‘i kthyer në vepra të artit bashkëkohor.