E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gracka" për fëmijë, sot në Teatrin e Metropolit

Nën regjinë e Leonard Daliut vjen sot në Teatrin e Metropolit shfaqja për fëmijë, "Gracka". Ajo nuk do të jetë një shfaqje me kukulla klasike dhe marioneta, por personazhet do të jenë maskota sfungjeri, ku aktori vishet me pelushin e personazhit. Fabula është marrë nga bota e kafshëve dhe në qendër janë katër personazhe lepuri, ujku, ariu dhe dhelpra, të cilët vijnë nën interpretimin e aktorëve Albana Sançolli, Sonjela Leço, Petrika Thano. Mesazhi që përcillet për fëmijët është të mos joshen nga lajkat e të panjohurve për të mos rënë në grackën e keqdashësve. Dhelpra lajkaton lepurushin për t‘i bërë vizitë ujkut meqenëse është i sëmurë. Kur ujku shkon të ndezi zjarrin, dhelpra gllabëron trutë e lepurushit. Ujku padit dhelprën te gjykatësi i pyllit, ariu. Ajo justifikohet duke thënë se ai lepur nuk kishte tru, ndryshe nuk kishte si të vinte në shtëpinë e ujkut për vizite. Edhe ariu i jep të drejtë dhelprës, duke u nisur nga kjo logjikë dhe ujku me dhelprën vazhdojnë miqësinë e tyre. "Gracka" do të shfaqet në Teatrin e Kukullave të Metropolit, duke nisur nga sot deri më 27 dhjetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›