E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelet episodi i tretë i Bienales së Tiranës

Pjesë e episodit të tretë të Bienales së Katërt Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë, krahas 20 veprave të artit, do të jetë dhe një koleksion filmash me metrazh të shkurtër. Organizatorët e bienales bënë të ditur programin e episodit të tretë dhe të fundit të këtij aktiviteti që u çel dje në mbrëmje në mjediset e hotel "Dajtit" në Tiranë, me pjesëmarrjen e 20 artistëve nga vende të ndryshme të botës. "Në kuadër të episodit të tretë, një pjesë e artistëve pjesëmarrës kanë treguar artin e tyre dhe në zbukurimin e fasadave të disa pallateve në rrugën ‘Bardhyl‘ në Tiranë", tha artistja Corinne Diserens, kuratore e episodit të tretë. Kuratorja Diserens vlerësoi dhe arkitekturën e hotel "Dajtit". Sipas saj, ky hotel, me arkitekturë speciale dhe interesante, i vendosur në qendër të Tiranës, është një zgjedhje shumë e mirë për vendosjen e edicionit të katërt të Bienales së Tiranës. Në këtë episod të fundit të Bienales së Tiranës do të paraqesin punimet e tyre artistë si Francis Alys, Sandra Boeschenstein, Vincenzo Castella, Marta Dell‘Angelo, Peter Friedl, Anri Sala, Alexander Schellow, Rosemarie Trockel etj.

Çelja e episodit të tretë përkon dhe me plotësimin përfundimtar të edicionit të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës, me pjesëmarrjen e 60 artistëve nga vende të ndryshme të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›